Sot para trupit gjykues të Gjykatës Speciale në Hagë, ka filluar paraqitjen e tij dëshmitari i 30-të i Prokurorisë. Nga përmbledhja e lexuar në gjykatë, u tha se dëshmitari është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmia e tij ka të bëjë me strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në zonën e Pashtrikut. Këtë dëshmitar, ka filluar ta marrë në pyetje prokurori special, Matt Halling, i cili e ka pyetur lidhur me një intervistë të cilën ai e ka dhënë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për disa plotësim-ndryshime të saj që janë bërë. Pas kësaj, prokurori Halling ka kërkuar nga trupi gjykues që kjo intervistë dhe dokumentet përcjellëse të pranohen si prova materiale. Paraprakisht, pasi u vendos që dëshmitari i 29-të ta vazhdojë dëshminë të hënën, trupi gjykues konfirmoi se një dëshmitar tjetër është i gatshëm të ofrojë dëshminë e tij. Mbrojtja kërkoi që për kundërpyetjet që do ia drejtojnë dëshmitarit të 30-të duhet të përgatiten deri të hënën, përveç avokatit mbrojtës të Kadri Vesilit, Ben Emmerson, i cili tha se është i gatshëm të enjten në mëngjes. Prokurorisë i duhen dy orë për ta marrë në pyetje, ndërsa vlerësimet e mbrojtjes kanë qenë në mënyrë të përgjithshme që i duhen 13 orë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar.
