Sot përkujtohet rënia heroike e Nebih dhe Tahir Mehës në kullën e tyre në Prekaz. Aktivitetet përkujtimore për jetën dhe veprën e tyre heroike fillojnë me mbajtjen e një Akademie përkujtimore e cila mbahet në orën 12:00 në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj. Me këtë rast do të përkujtohen edhe dëshmorët e martirët e tjerë të renë gjatë muajit maj në luftën e UÇK-së në komunën e Skenderajt.
Më 13 maj të 1981, në fshatin Prekaz i Poshtëm të Drenicës, të rrethuar nga njësitë speciale të Jugosllavisë, kanë rënë në altarin e Atdheut, pas një luftë krejtësisht të pabarabartë, Tahir Nebih Meha dhe babai i tij, Nebih Emin Meha. Atë ditë forcat e Milicisë së Jugosllavisë, të cilat mbanin në rrethim të hekurt tërë Kosovën, meqë kishte kulmuar Kryengritja e Marsit dhe e Prillit me kërkesë për krijimin e Republikës së Kosovës, ishin kthyer në Drenicë me qëllim për të shënuar edhe një “fitore” kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë. Gjatë luftimeve që kishin zgjatur 17 orë, kishin rënë heroikisht: Tahir Meha dhe Nebih Meha, ndërsa gjatë luftimeve ishin vrarë 5 ushtarë e policë jugosllavë dhe ishin plagosur dhjetëra të tjerë, sipas versionit zyrtar të shpallur asokohe.