Sot përkujtohet 19 vjetori i masakrës së forcave kriminale serbe, në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill të vitit 1999, ushtria e policia e Serbisë ka ekzekutuar e masakruar 377 shqiptarë liridashës. Për t’i përkujtuar të rënët drejt Mejës janë nisur mijëra qytetarë të Kosovës e më gjerë, të cilët po tubohen te vendi që tash quhet “Lëndina e Pikëllimit”. Në Meje do të bëjnë homazhe edhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kurse, në orën 12:00, do të mbahet Tubimi Qendror Përkujtimor, në Kompleksin Memorial të Mejës.
Më 27 prill të vitit 1999 forcat ushtarake e policore serbe kishin rrethuar “Rekën e Keqe” dhe “Lugun e Carragojës” në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve kriminelët barbarë serbë ekzekutuan dhe masakruan 377 shqiptarëve, gra, burra, pleq e fëmijë. Kjo është maskara me numrin më të madh të masakruarve shqiptarë nga serbët gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Ekzekutimet e ushtrisë serbe kundër shqiptarëve në Meje, për nga brutaliteti, mizoria e barbaria janë të ngjashme me ato të vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës, ku nuk u kursyen të sëmurët, të plagosurit gratë as fëmijët e mitur.