Rapsodi i mirënjohur, Sefë Mleçani ka lindur në vitin 1918, në fshatin Mleçan. Kishte origjinë nga një familje me tradita atdhetare. Në kohën e rinisë së hershme frymëzohet nga rrëfimet dhe këngët që i këndonin rapsodët e kohës nëpër oda, në ndeje, në dasma e ahengje të ndryshme. Ai ka filluar të këndojë qysh në moshë të re, meqë natyra i kishte falur një zë melodik dhe ishte shumë i dhënë pas këngës.
Sefë Mleçani ka qenë rapsod ndër më të njohurit e kohës së tij në Kosovë, krahas Salih e Feriz Krasniqit, Rizah Bllacës, Tahir Drenicës e disa të tjerëve. Ka qenë i njohur sidomos për mënyrën autentike, me elemente arkaike të këndimit të këngëve legjendare, sidomos të ciklit të këngëve të kreshnikëve.
Po ashtu, rapsodi Sefë Mleçani, ka kënduar këngë të shumta atdhetare, këngë historike dhe të trimërisë, duke u bërë burim frymëzimi për dëgjuesit e veçmas për bijtë, nipat e mbesat e tij, të cilët kanë vazhduar dhe po e mbajnë gjallë traditën familjare të këndimit, duke u dalluar në mesin e këngëtarëve më të njohur të kohës sonë.
Rapsodi, Sefë Mleçani ka ndërruar jetë në vitit 1975.