Sot shënohet 25-vjetori i Betejës së Qirezit e Likoshanit, që ishte përballja e dytë e fuqishme e luftëtarëve të lirisë kundër policisë serbe, pas betejës së Ludovikut ( Rezallë e Re) më 26 nëntor të vitit 1997, të cilën e kishte udhëhequr kryekomandanti, Adem Jashari me trimat e tij dhe që dy ditë më pas rezultoi me daljen publike të UÇK-së, më 28 nëntor të po atij viti, në fshatin Llaushë.
Më 28 shkurt të vitit 1998 pas luftimeve me policinë serbe, në Qirez dhe Likoshan të Drenicës, kanë rënë 4 dëshmorë të UÇK-së, Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, kanë rënë në luftime të drejtpërdrejta, më pas kanë rënë edhe Muhamet Gjeli dhe Naser Gjeli. Atë ditë janë kanë marrë plagë lufte edhe shumë luftëtarë të UÇK-së. Serbët, në shenj hakmarrjeje mizore për pësimet përballë luftëtarëve të lirisë iu kishin drejtuar popullatës civile ku kishin derdhur mllefin e mizorinë barbare. Më 26 shkurt ata kanë masakruar 20 pjesëtarë të popullatës civile: Beqir Sejdiun, Ilir Nebihun, Rukie Nebihun, (shtazënë) Xhemshir Nebihun, Nazmi Sejdiun, Bedri Sejdiun, Bekim Sejdiun, Ibish Ramën, Ismail Behramin, Behram Fazliun. Nga familja Ahmeti janë martirizuar: Ahmet Ahmeti, Gani Ahmeti, Hilmi Ahmeti, Hamzë Ahmeti, Driton Ahmeti, Naim Ahmeti, Lumni Ahmeti, Shemsi Ahmeti, Basri Ahmeti dhe Elhami Ahmeti, dy të fundit të mitur.
Beteja në Qirez e Likoshan, pasohet me Betejën e 5. 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, në Prekaz, e cila shënoi epopenë e lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më pas masivizimin e konsolidimin e saj dhe luftën e pandërprerë kundër regjimit vrastar të Serbisë së Millosheviqit, e cila zgjati deri në qershor të vitit 1999, kur edhe me ndihmën nga ajri të NATO-së, përgjithmonë e dëbua nga Kosova regjimi okupator e kolonialist serb.