Shtatë vjet më parë u nda nga jeta, veprimtari i shquar i Çështjes Kombëtare, Shaban Veli Shala, vëlla i dëshmorit, Bedri Shala, i burgosur politik në vitet 80, njëri ndër ideatorët e formimit të UÇK-së, bashkëluftëtar i hershëm i legjendarit, Adem Jashari, komandant për moral në Zonën Operative të Drenicës, gjatë luftës dhe personalitet me shumë ndikim në luftën e UÇK-së, me gradë gjeneral-major. E tërë veprimtaria e tij jetësore ka qenë e orientuar në drejtim të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare. Ishte shumë i përkushtuar në punë dhe në aktivitete kombëtare, kurdoherë i angazhuar edhe pse kishte një sëmundje të rëndë, për të cilën mjekët e këshillonin t’i kufizonte aktivitetet. Duke qenë i lindur dhe i rritur me shpirtin e luftëtarit për të drejta liri e barazi shoqërore, Shaban Shala, nuk e reshti veprimtarinë e tij në dobi të kombit e Atdheut deri në ditën kur u nda nga jeta, më 5 janar të vitit 2012. Me rastin e përvjetorit të ndarjes nga jeta të Gjeneral-Major Shaban Shalës, sot u bënë homazhe te varri i tij në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në lagjen Velania, në Prishtinë.
Kontrolloni gjithashtu
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …