Militanti i Albin Kurtit, Shpejtim Bulliqi, i cili në fushtën e zgjedhjeve thoshte se për të marrë vota bëjnë punë edhe bishtat e sakicave mendon se për herë të parë Qeveria e ka shtrirë sovranitetin në tërë Kosovën. Tash, sipas tij edhe mund të bisedohet me Amerikën për ndonjë avansim, apo ndonjë përmirësim, “pasi ne edhe mund ta mirëkuptojmë ndonjë kërkesë të ndërkombëtarëve tha Bulliqi. Mirëpo sipas tij nuk ka kuptim që kryetarët të mos punojnë në zyrat e tyre nëpër komuna, pavarësisht kërkesave të BE-së dhe të Amerikës.
Kjo deklaratë tregon më së miri se cili është niveli e perceptimit mendor të kësaj koke politike, që se i beson ndokush, por as ai vetë nuk e beson këtë “budallaki naive”, këtë prepotencë fodulle, kur shprehet se ne e kemi shtrirë sovranitetin me ndihmën e policisë e policia (kuptohet nën mbrojtje të forcave të KFOR-it) dhe kemi arritur ta imponojmë një kryetar i cili ka fituar 100 vota në zgjedhjet, në një komunë që ka mijëra banorë serbë.
Kur serbët rrahin gazetarë, shqiptarë, kjo policia e Sveçlës, dhe e Bulliqit, “që e ka shtritë sovranitetin” pret të intervenojnë ushtarët e KFOR-it. Cinizmi i neveritshëm i këtij njeriu, dikur militanti më besnik i Rugovës, se me Amerikën mund të bisedohet për modalitete, për avansim e përmirësim të situatës, tregon nivelin e mjerë me të cilin ai e percepton realitetin. Shprehja: Ne edhe mund ta mirëkuptojmë ndonjë kërkesë të ndërkombëtarëve, tregon fodullëk, papjekuri, mendjemadhësi, cinizëm naivitet, papërgjegjësi. Nuk e di ku ka qenë ky trim mbi trima gjatë luftës së UÇK-së që ta tani qesëndis ndërkombëtarët dhe Amerikën.
Ja cila është pjella politike e Albinit, i cili e quan naiv Shefin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, shpërfillë emisarin Eskobar e të tjerë, pasi e di mirë se ata nuk heqin dorë nga Kosova dhe populli i saj dhe jo se ia kanë frikën Kurtit, “trimave e trimëreshave” të tij.
Ditë më parë ministresha e Drejtësisë, u kishte afishuar karikatura ushtarëve të KFOR-it, duke treguar një nivel neveritës ndaj atyre që e mbrojnë sovranitetin e Kosovës.
Këta kokëshkretët e Vetëvendosjes, që trimërinë e tyre e kanë treguar duke u vënë zjarrin institucioneve të Kosovës, duke gjuajtur me mollotov e gurë e duke plagosur policë shqiptarë, duke përhapur gaz lotsjellës në Kuvend, duke bërë thirrje për atentate kundër disa krerëve të luftës, duke paralajmëruar se sapo të vinë në pushtet, do t i ngrehin zhag zyrtaret e institucioneve, këta trima, nëse pëlcet lufta në veri, brenda pak orëve i gjen në Bllacë, në Stankovec, në Kukës, me moton e tyre, “ikë prapanicë se të lash”. Janë baballarët e këtyre dhe shumë nga këta që e kanë provuar edhe më parë patriotizmin e tyre, kur iu rrëshqiste nën këmbë toka e përgjakur e atdheut, në pranverën e vitit 1999 dhe kur Kosova digjej, por lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte marrë edhe përkrahjen e NATO-s, e cila i bombardonte caqet ushtarake e ekonomike të Serbisë së kryekriminelit Millosheviq. Sot këta trimat e Kurtit e Sveçlës, luftojnë “me mullinjtë e erës”, duke shtrirë sovranitetin nën trupat e KFOR-it dhe duke rikthyer në terren rezolutën 1244 të KS të OKB-së të vitit 1999. (RKL)