Ish-kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho duke folur për protestën e sotme të opozitës thotë, për gazetën “Dita” se ajo lehtësisht mund të kthehet në përgjakje, madje ky është synimi i Berishës, thotë ai. Unë mendoj se sot mund të ketë edhe viktima; të përsëritet skenari i 2 prillit 1991 në Shkodër dhe ai i 14 shtatorit në Tiranë. Vetë ata i bënë vrasjet për të bërë ato që bënë. Dhe dihet shumë mirë tashmë se kush e përgjaku Shkodrën dhe Tiranën në këto dy data që përmenda. Sali Berisha nuk njeh skrupuj dhe mëshirë as ndaj të vetëve. Etja për pushtet ia ka errur gjithnjë sytë këtij personi. Për mua nuk e ka për gjë ta mbysë me gjak sërish Tiranën. Kohërat kanë ndryshuar, por jo Berisha. Ai është i parikuperueshëm në të keqen e tij.
Unë po ju jap disa dokumente se si i ka armatosur militantët e PD-së dhe të SHIK-ut në vitin 1997 në Tiranë, Durrës e Berat dhe dihet se cilat ishin pasojat e kësaj armatosjeje. Janë mbi 6 mijë vetë të armatosur zyrtarisht, pa llogaritur dhjetëra mijë të tjerë që janë vetarmatosur. Disa nga ata që lexohen në këto lista në Tiranë dhe në Durrës unë i njoh personalisht dhe ata i kanë sërish armët. Ata do të marrin pjesë në protestën e sotme dhe nuk është çudi të vijnë të armatosur. Dy agresionet me dhunë ndaj kryeministrit Rama në sallën e parlamentit, i pari me vezë dhe i dyti me bojë, janë si të thuash paralajmërime për atë se çfarë mund të ndodhë sot. Kur nënkryetari i PD-së, që është edhe nënkryetar i parlamentit bën një akt të tillë rrugaçëror, llogarite se çfarë mund të bëjnë turmat.