Specialistët stomatologë të papunë edhe sot kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë. Ata kanë vendosur mantelët e tyre të bardhë në dyert e këtij institucioni. Për të dhjetën herë ata po kërkojnë plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ, e cila ua mundëson punësimin në kujdesin parësor. Mirjeta Berisha, përfaqësuese e specialistëve stomatologë të papunë, tha se ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili u kishte premtuar që do i priste sot në takim, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ajo tha se dëshirojnë takim vetëm me ministrin Ismaili, dhe se nuk u intereson pse është kohë fushate. Nëse të njëjtit nuk reflektojnë ndaj kërkesave të tyre, Berisha tha se do i ashpërsojnë protestat. Grupi protestues ka provuar të hyjë brenda këtij institucioni, për t’u takuar me personat përgjegjës të Ministrisë së Shëndetësisë, por që të njëjtit nuk janë lejuar.
