Spiunët e Serbisë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi do të dalin para gjykatës gjatë kësaj jave për shqyrtimin e tyre fillestar në rastin e njohur si “Rezervat Shtetërore”. Ata akuzohen për veprat penale të spiunazhit dhe shkeljes së rendit kushtetues, për shkak të bashkëpunimit të supozuar me shërbimin sekret të Serbisë, BIA-n. Sipas Prokurorisë, Shabani dhe Qerimi kanë siguruar dhe transmetuar informacione për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe ngjarje të ndryshme, përfshirë masakrat në Kosovë, në shërbim të Serbisë. Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve për veprat penale të spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje. Sipas aktakuzës, Shabani dhe Qerimi mblidhnin informacione për UÇK-në dhe më pas i transmetonin BIA-s, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve në Serbi. Në aktakuzë përmendet edhe veprimtaria e Shabanit, i cili, sipas Prokurorisë, ka kërkuar nga BIA veprime që mund të shkaktonin një konflikt ndëretnik në Kosovë. Prokuroria ka pretenduar se Qerimi, një ish-punonjës i Policisë, ka shërbyer si agjent i Serbisë që nga viti 2012 dhe ka ofruar informacione për eprorët e Policisë dhe institucioneve të tjera të Kosovës.
