Ministria e Arsimit ka kërkuar që ora e parë mësimore t’i kushtohet pavarësisë së Kosovës

Sqarimi i KEC, lidhur me artikullin: “MASHT-i jep qindra mijëra euro për një OJQ, publikuar sot në “Zëri”

KONTRATAT ME MASHT-in

Janë dy kontrata që KEC-i ka me MASHT-in. E para ka të bëj me projektin “Kosovision”, një garë e nxënësve të klasave të pesta, që ka filluar të zbatohet nga viti 2008. Ashtu si shpjegohet në artikull deri në vitin 2014, ky projekt është financuar nga fonde të Qeverisë Zvicerane, ndërkaq në shtatorin e vitit 2014 është nënshkruar kontrata për financimin 3-vjeçar të projektit nga MASHT-i. Kjo kontratë është nënshkruar nga ministri i atëhershëm Ramë Buja, në kohën e ngërçit politik në Kosovë, kur askush nuk e dinte nëse Qeveria e re do të formohet nga VLAN apo nga PDK.

Një gjë që nuk thuhet në artikull është se kësaj kontrate i ka paraprirë një marrëveshje e mirëkuptimit e nënshkruar tre vjet më herët, në shtatorin e vitit 2011, në mes të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe MASHT-it, ku thuhet se MASHT-i  merr mbi vete përgjegjësinë për financimin dhe zbatimin e projektit “Kosovision”, duke filluar nga viti shkollor 2014/15.  Këtë marrëveshje artikullshkruesit e kanë pasur në dorë dhe arsyeja pse nuk i janë referuar mbetet e panjohur për mua. Në vitin 2011 Arsim Bajrami ka qenë vetëm deputet, ndërsa Kushtrim Bajrami nuk ka punuar fare në KEC.

Sa po kuptoj nga artikulli, vërejtja e vetme qenka pse pagesa e mjeteve sipas kësaj kontrate paska ndodhur gjatë mandatit të Arsim Bajramit. Nuk e di pse do të duhet t’i ndalonte pagesat një ministër që e “trashëgon” një kontratë nga paraardhësi i tij, përderisa pala tjetër i kryen të gjitha obligimet e kontratës? A nuk do të ishte ky një arbitrarizëm dhe veprim i jashtëligjshëm? Sa për informim, vonesat në pagesa që ju referohet artikulli na kanë shkaktuar shumë probleme në zbatim, por i kemi tejkaluar disi.

Në lidhje me projektin e financuar nga kredia e Bankës Botërore ua kam sqaruar artikullshkruesve se kjo është kontrata e pestë që nënshkruajmë për projekte të kësaj natyre – mbështetje shkollave për të përfituar grante nga fondet e Bankës. Kontrata e parë ka qenë e vitit 2002 me UNMIK-un, pastaj kanë pasuar kontrata me MASHT-in në vitet 2003, 2007 dhe 2010, të gjitha me aprovimin e Bankës Botërore, e cila bën edhe mbikëqyrjen e procedurave të prokurimit.  Kontrata e fundit, si edhe ajo para saj, është fituar përmes tenderit ku kanë marrë pjesë disa kompani ndërkombëtare, e i cili është zhvilluar nën mbikëqyrjen rigoroze të Bankës Botërore. Duke marrë parasysh përvojën e mëhershme me katër projekte të ngjashme, ku kemi punuar me mbi 600 shkolla, ne kemi qenë të bindur se do ta fitojmë këtë tender. I kuptoj dyshimet që mund të lindin në një mjedis thellësisht të korruptuar, por, megjithatë, një institucion kredibil si Banka Botërore nuk lëshohet në pazare lokale të këmbimit të favoreve.

Po, Kushtrim Bajrami është djali i ministrit aktual Arsim Bajrami. Po ashtu, është një ekspert i shkëlqyeshëm i arsimit, i cili punon në KEC nga 15 gusht 2012.  Të gjitha informatat për projektet që ka menaxhuar deri tani ndodhen në web faqen e KEC, së cilës i referohen edhe artikullshkruesit. Kushtrimi nuk i menaxhon tri projekte siç mund të kuptohet nga ballina, por një të vetëm, pasi dy të tjerat ka vite që kanë përfunduar. Të tri projektet janë financuar nga Bashkimi Evropian dhe janë fituar me konkurse ku kanë marrë pjesë dhjetëra OJQ vendore e ndërkombëtare.  KEC vazhdimisht merr pjesë në konkurse të tilla dhe suksesi i aplikimeve tona është 50:50. Duhet goxha punë, dije dhe durim që të punohet në këtë formë dhe forcë që të tejkalohet stresi i humbjes. Përveç Kushtrimit, në KEC punojnë edhe 9 persona të tjerë që menaxhojnë projekte të financuara nga donatorët, prandaj nuk shoh asgjë të pazakontë në faktin se Kushtrimi “menaxhon projekte të donatorëve”.  Se mos duhet me njohurinë dhe shkollimin e tij të qëndrojë i papunë?

Një gjë që nuk thuhet, në formë të prerë, në artikull, por mund të lexohet në mes rreshtave është se KEC paska përfituar fonde falë faktit se Kushtrim Bajrami është djali i ministrit. E këtu STOP ju lutem. KEC vepron nga viti 2000 dhe asnjëherë nuk ka qenë i varur nga asnjë ministër, e aq më pak nga familjarët e ministrit.  Ne kemi bashkëpunim me MASHT-in, me ministri të tjera dhe me drejtori komunale të arsimit, por gjithnjë bëjmë përpjekje të mbajmë distancën e nevojshme nga zyrtarët politikë.   Kushtrimi nuk ka qenë aspak i përfshirë në “Kosovision”, pasi ky projekt ka filluar para se të vinte në KEC dhe është jashtë fushës së tij të specializimit. Po ashtu, nuk ka qenë i përfshirë në projektin që financohet nga kredia e Bankës Botërore, pasi pas 15 vjet punë në këtë fushë specifike dhe 4 kontratave të ngjashme me fonde të Bankës Botërore, KEC ka krijuar një numër të konsiderueshëm të ekspertëve që mbështesin shkollat për të përfituar grante, ndërsa Kushtrimi nuk është njëri prej tyre.

Për fund më duhet të pranoj se një lexim i kujdesshëm i artikullit, përjashto disa heshtje faktesh, të ofron informacion relativisht të drejtë për situatën.  Por, titulli i artikullit  dhe nëntitujt, si dhe mënyra se si i prezantohet opinionit, të japin një pasqyrë krejt tjetër që nuk ka të bëj aspak me të vërtetën dhe paraqet përpjekje për njollosje dhe manipulim.

Dukagjin Pupovci

Drejtor ekzekutiv

Qendra për Arsimin e Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …