leoni

Stadiumi i ri i qytetit të Ferizajt duhet të ndërtohet prapa Palestrës së Sporteve “Bill Clinton”

Këtë të enjte në sallën e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, është mbajtur takim publik i organizuar nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu, me klubet sportive të futbollit, veteranë dhe sportistë të tjerë për të diskutuar për lokacionin e Stadiumit të ri të qytetit. Në hapjen e këtij takimi publik, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit, përderisa ka  shtuar se qëllimi kryesor i takimit është diskutimi mbi lokacionin ku do të ndërtohet Stadiumit i ri në qytetin e Ferizajt. Sipas Kryetarit Aliu, të gjitha përpjekjet e Komunës së Ferizajt janë që ndërtimi i stadiumit  të ri të qytetit të bëhet tek Kompleksi  Sportiv, përkatësisht prapa Palestrës së Sporteve “Bill Clinton”. “Ju e dini që ne kemi bërë punë, angazhime, përpjekje që të bëhet stadiumi,  për faktin që Ferizaj si qytet,  e ka merituar dhe e meriton ta ketë një stadium të dinjitetshëm, si një ndër qytetet kontributdhënëse në gjithë historinë dhe në të gjitha rrafshet në rang të Republikës së Kosovës. Meritore janë të gjitha këto gjenerata që sot janë këtu, e që  janë pjesë që ne kemi bërë punë dhe angazhim. Sipas planifikimeve dhe sipas Planit Zhvillimor Komunal, stadiumi i qytetit “Ismet Shabani”, duhet të ndërtohet në Kompleksin Sportiv në zonën sportive,  që të gjithë ju e dini ku është, dhe ne siç thashë kemi bërë punët dhe përpjekje që atë zonë ne e kemi shpallur  edhe në interes të përgjithshëm në mënyrë që të hapet hapësirë ligjore dhe mundësi për ndërtimin e stadiumit, sepse ajo pronë ka qenë në menaxhimin e AKP-së”, ka thënë Kryetari Aliu. Kryetari Aliu, ka thënë se është bërë kohë e gjatë,  që është kodi buxhetor për ndërtimin e stadiumit, është bërë plani për ndërtimin e tij,  si dhe është bërë  edhe ndarja  e mjeteve financiare për ndërtim. “Mirëpo, përkundër faktit që është bërë kjo, përkundër faktit që është bërë kodi buxhetor që disa vite, siç është fakt i ditur ajo nuk ka ndodhur dhe arsyet janë që nuk është lejuar krejt bartja në procedurën finale në Qeveri të Republikës së Kosovës, në pronësi të Komunës për t’u mundësuar procedurat  e prokurimit për ndërtimin e stadiumit të qytetit. Përtej kësaj ju e dini që është një vendim shumë i vonë tash, që edhe ato prona që ne i kemi shpallur në interes të përgjithshëm, pikërisht në këtë sallë, Qeveria e Kosovës me vendimin  e disa jave të gjitha këto prona i ka marrë në pronësi të saj”, tha Aliu. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, të gjithë të pranishmit i ka njoftuar që Komuna e Ferizajt, i ka bërë shkresë zyrtare edhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të fillojë procedura të reja në mënyrë që të fillojë ndërtimi stadiumit të qytetit, por që sipas tij,  përgjigja ka qenë që të gjendet lokacion tjetër për ndërtim. “Në letrën e kthyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është kërkuar që ne duhet të kërkojmë një pronë alternative, pra jo aty ku ne po dëshirojmë, dhe normalisht kjo është e padrejtë, sepse  siç thash ekzistojnë të gjitha mundësitë ligjore që pronat e AKP-së me bashkërendim,  në bashkëpunim me nivelin lokal dhe qendror të kthehet në pronësi komunale. Komuna e Ferizajt është e gatshme, ne jemi të gatshëm të marrim të gjitha obligimet financiare të shpalljes  së interesit të përgjithshëm ashtu siç e kemi marr më parë, edhe sot zotohemi  para jush që kosto prej 20 përqind që është duke u paguar, apo çfarëdo kosto tjetër të pronës që duhet paguar, Komuna e Ferizajt në mënyrë që ajo të kthehet në pronësi komunale dhe të zhbllokohet  ky proces për të ndërtimin e stadiumit të qytetit “Ismet Shabani” në Kompleksin Sportiv ne jemi të gatshëm ta bëjmë. Prandaj duke pasur këtë gatishmëri, ne kemi kërku dhe po kërkojmë që edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të ketë këtë gatishmëri”, ka potencuar Kryetari Aliu. Kryetari Aliu, ne këtë takim edhe një herë ka përsëritur qëndrimin e tij, dhe të të gjitha klubeve sportive se stadiumi i qytetit duhet të ndërtohet vetëm tek Kompleksi Sportiv në Ferizaj. Ndërkaq klubet sportive, por edhe veteranët  të sportit, janë shprehur se ndërtimi stadiumit, duhet të bëhet tek Kompleksi Sportiv., për shkak të asaj se mundësitë janë më të mira për zhvillimin e ndeshjeve të tyre sportive. Hamdi Qerimi, ish Kryetar i Komunës dhe ish-anëtar kryesie i klubit të futbollit, ka thënë se kjo çështje as nuk duhet të diskutohet, sepse sipas tij ndërtimi stadiumit qysh në vitet e mëhershme është paraparë që të ndërtohet tek ai kompleks.

Mund të jetë një imazh i 5 persona dhe njerëz në këmbë

 

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …