Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama ka nderuar me mirënjohje, znj. Stane Gashi për kontributin e saj gjatë luftës së UÇK-së.
Rama në postimin e tij në facebook ka shkruar:
Kur atdheu thërriste, shtëpia e Nënës Stane u bë një vatër shprese dhe qëndrese, ku luftëtarët gjetën jo vetëm ushqim e strehim, por forcën për të vazhduar.
Aty ku të tjerët mund të kishin zgjedhur heshtjen, ajo ktheu pragun e shtëpisë së saj në vatër të luftës për çlirim.
Me bujarinë dhe dashurinë e saj të pakursyer, ajo e shkroi emrin në historinë e kombit si një grua që nuk u tremb asnjëherë nga sakrifica.
Populli i dha me të drejtë epitetin e madh “Nëna e UÇK-së”, një emër që nuk është thjesht nderim, por një dëshmi e guximit dhe vetëmohimit të saj të pashoq.
Mirënjohja jonë për Nënën Stane nuk do të shuhet kurrë, sepse ajo nuk ishte thjesht një nënë për luftëtarët, por një dritë në rrugën drejt lirisë, ka shkruar në facebook, kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama.