SHBA mbështet fuqishëm modernizimin e sektorit të energjisë në Kosovë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i shoqëruar nga Zv/Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Energji dhe Resurse Natyrore të SHBA-së, Mary Warlick, kanë vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), me ç’rast kjo e fundit ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për sektorin e energjisë të Kosovës.

Stavileci tha se vizita në KEK me zyrtaren e SHBA-së ka për qëllim të shohin nga afër punën që po bëhet, cilat janë sfidat momentale me të cilat ballafaqohen drejtuesit  e kësaj kompanie, e  po ashtu edhe sfidat e të ardhmes.

“Ne po ashtu jemi në një proces të vazhdueshëm të implementimit të projektit TC Kosova e Re, deri tani kemi bërë shumë hapa në drejtim të finalizimit të disa prej çështjeve kryesore, të cilat mundësojnë të vijmë në fazën e ndërtimit të TC-së dhe besoj në javët në vijim do të ketë zhvillime të reja, të kalojmë në një fazë tjetër”, tha ai.

Ai tha se në këtë rrugëtim që nga fillimi kanë qenë së bashku me partnerët,  të cilët shtetin tonë  e përkrahin, sidomos në ato  fusha që lidhen me zhvillimin ekonomik, që si parakusht ka furnizimin stabil me energji elektrike.

“Ne si Qeveri kemi ardhur në një moment të themi kritik për të ardhmen  dhe stabilitetin e sektorit të  energjisë, i cili lidhet me zhvillimit ekonomik. Kemi vendosur t’i bëjmë realitet disa projekte që janë nisur më herët. Ne po ashtu jemi duke përgatitur Strategjinë e Energjisë 2016-2025 ku do adresojmë të gjitha problemet me të cilat përballet sot sektori i energjisë sepse nuk ka ekonomi stabile pa energji stabile”, tha kreu i MZHE-së.

Nga ana saj, Zv/Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Energji dhe Resurse Natyrore, Mary Warlick tha se SHBA-të besojnë se siguria e furnizimit me energji është esenciale për rritjen ekonomike dhe inkurajojnë Kosovën në modernizimin e sektorit të saj të energjisë.

Ajo tha se edhe vet Zëvendëspresidenti Amerikan në vizitën e fundit në Kosovë e ka nënvizuar faktin se fuqizimi i sigurisë së furnizimit me energji përmes TC Kosova e Re do t’i sigurojë Kosovës energji të qëndrueshme, respektivisht zhvillim ekonomik.

“Ky TC i ri i dizajnuar nga kompania amerikane Contour Global  pritet të reduktojë ndotjen dhe kjo do të sjell benefite të rëndësishme për qytetarët”, tha Warlick.

Sipas saj, SHBA fuqishëm mbështet çdo përpjekje që ka për qëllim rritjen e sigurinë së energjisë, zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë dhe hapjen e mundësive për zhvillim ekonomik.

Pas vizitës në KEK, Stavileci dhe Warlick kanë vizituar edhe fabrikën për prodhimin e paneleve solare J.v.G – Jaha Energy në Fushë Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Nënkolonel Besnik Fana, shpallet “Qytetar Nderi” i Deçanit

Nën kujdesin e kryetarit të Komunës, z. Bashkim Ramosaj, dhë nënkryetarit, z. Sami Cacaj, u …