Stavileci: Ekonomia e dijes garantuese e zhvillimit ekonomik

 

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Kolegjit Iliria në Prishtinë, ku ka paraqitur investimet që janë bërë në vend me synim fuqizimin e ekonomisë, përmes teknologjisë informative dhe inovacionit, ngase Kosova rangohet në vendet me përparësi bazuar në kapacitetin rinor që ka.

Duke u ndalë te investimet në projekte konkrete, Stavileci ka nënvizuar projektet infrastrukturore, energjinë dhe teknologjinë informative, si parakushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Investimet më të mëdha janë bërë në infrastrukturë, si në atë rrugore, hekurudhore dhe në ajrore. Pas autostradës me Shqipërinë në fund të vitit pritet të përfundoj edhe ajo me Maqedoninë“, ka thënë ministri Stavileci duke shtuar se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës i koncesionuar me një model të Partneritetit Publiko – Privat, nga viti në vit po shënon rritje të numrit të pasagjerëve dhe shërbime shumë më të mira.

Sipas tij, me përfundimin e këtyre projekteve Kosova do ta ketë infrastrukturën e vet, e cila është e gatshme për t’u integruar me atë të rajonit dhe të Evropës.

Ministri Stavileci duke folur për teknologjinë e informacionit dhe inovacionin ka pohuar se Kosova ka potencial të jetë njëri nga vendet e zhvilluara sa i përket këtyre fushave.

“Përparësitë e Kosovës me vendet tjera janë se  kemi më shumë se një të tretën e popullsisë nën moshën 18 vjeç, dy të tretat nën moshën 35 vjeç e që është përparësi e madhe. Ne përshtatemi shumë lehtë me të rejat në fushën e teknologjisë informative, dhe ne jemi kampion në regjion sa i përket zotërimit të gjuhëve të huaja, e cila është përparësi e madhe“ ka thënë ai.

Ai ka shtuar më tej se këto janë fakte konkrete dhe Kosova  mund të avancojë  me ekonominë digjitale, ekonominë e dijes e krativitetit.

“Për t’i dhënë me shumë shtytje këtij vizioni ne kemi miratuar disa strategji ku kemi buxhetuar dy fonde njëri është Fond për Inovacionin, i cili do të jetë në shërbim të bizneseve të ndryshme”,  ka thënë ministri Stavileci.

Sa i përket sektorit të energjisë, i pari i MZHE-së ka bërë të ditur se së shpejti pritet të nis projekti më i madh në këtë sektor, ai i Termocentralit ‘Kosova e Re’, i cili pritet të zgjidh problemin e furnizimit me energjisë, ndërkohë që si investim i huaj direkt do t’i japë shtytje zhvillimit ekonomik.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …