“Barazia dhe përfaqësimi gjinor nuk duhet të mbrohet vetëm me kuotë, kjo çështje duhet të jetë pjesë e të gjitha projekteve në mënyrë që potenciali dhe vlerat e gruas të trajtohen në mënyrë të barabartë”, kështu ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci në hapje të Konferencës Regjionale me temë, “Arritjet dhe Sfidat e Politikave për Barazi Gjinore në Kosovë”, në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar me Republikën e Maqedonisë, mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Ministri Stavileci me këtë rast tha se, gruaja është pjesë e zhvillimeve pozitive të cilat duhet përfshirë në projekte më ambicioze për vendin, “Kemi shumë raste të dëshmuara ku për shkak të potencialit dhe vlerave gruaja ka qenë arkitekte e sukseseve që gëzon vendi ynë”, tha ministri Stavileci duke shtuar se vendi nuk duhet mbetur peng i kuotave por duhet mbështetur vlerat që përfaqëson gruaja.