Stavileci: Kosova ka nevojë për kuadro të përgatitura në sektorin e energjisë

Tani më shumë se kurrë na duhen kuadro të përgatitur në sektorin e energjisë. KEDS Akademia po e bën këtë dhe unë i jam mirënjohës dhe e përgëzoj për këtë iniciativë, tha Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, duke shtuar se kjo vjen në kohën kur Kosova po bën hapa të mëdhenj në sektorin e energjisë.

Këto komente Stavileci i bëri në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së tretë të Akademisë së KEDS-it, ku pas edukimit teorik dhe praktik 1 vjeçar, tregut të punës iu shtuan edhe dhjetëra të rinj e të reja, të cilëve u janë ofruar njohuritë më të avancuara për çështjet energjetike dhe të menaxhimit.

Ai tha se KEDS Academy e ka dëshmuar veten me suksesin e këtij projekti, duke ditur se për Qeverinë sektori i energjisë është si njëri nga sektorët më vital të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

“Ne  jemi në fazën më të rëndësishme të vendimeve strategjike për të ardhmen e vendit tonë të cilat kanë nisur me modernizimin e sistemit të shpërndarjes dhe furnizimit, i cili është bërë suksesshëm nga  KEDS, për të cilin ne si shtet  merremi shembull pozitiv si duhet të transformohet në mënyrë moderne sektori”, tha Stavileci, duke shtuar se përmbyllja e këtij qarku të modernizimit bëhet me realizimin e projektit më të madh TC ‘Kosova e Re’ që është investim direkt i huaj.

George Karagutoff, Drejtor Gjeneral i KEDS-it tha me këtë rast se këta studentë po hyjnë në një fazë të re të jetës së tyre të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Ata janë të vetëdijshëm për sfidat që i presin, sikurse e dinë që ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë. Duhet të jenë krenarë dhe të përgjegjshëm.

Sipas tij, e nisur në vitin 2013, KEDS Akademia tashmë ka përmbushur misionin e saj dhe po sheh tutje drejt avancimit të mëtutjeshëm.

Ndërsa, ideatori i KEDS Akademisë, Mesut Serhat Dinc, njëherësh anëtar i Bordit Ekzekutiv të KEDS-it bëri të ditur se gjenerata e katërt po përgatitet të nisë së shpejti, përderisa arritjet e deritashme e bëjnë secilin të ndihet mirë.

Nihat Ozdemir, Kryetar i Bordit të Limak Holding tha se Kosova zë një vend të veçantë në zemrat e tyre dhe e vlerësoi shumë mikpritjen që kanë hasur këtu. Ndërsa shtoi se rinia kosovare është pasuria më e vlefshme e këtij vendi të ri dhe kjo është arsyeja që KEDS Akademia ka marrë mbështetje të padiskutueshme nga kompania Calik Holding.

Ndryshe, Akademia e KEDS-it u themelua në partneritet me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetin Bogazici të Stambollit. Tashmë afron 150 të rinj janë të përgatitur për tregun e punës dhe janë pjesë e rëndësishme e tij. Një pjesë e konsiderueshme e tyre tashmë janë punëtorë të KEDS-it.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …