Stavileci: MZHE mbështet projektet që përmirësojnë jetën e qytetarëve

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i shoqëruar nga Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka vizituar Kompaninë Rajonale të Ujit ‘Radoniqi’ Sh.A, për të parë nga afër punimet në Stacionin e filtrave, respektivisht fabrikën e dytë të ujit në këtë komunë, e cila po realizohet si bashkëfinancim i MZHE-së dhe tri komunave, Gjakovës, Prizrenit dhe Rahovecit.

Me këtë rast, ministri Stavileci, ka pohuar se MZHE është e përkushtuar që të mbështes projektet, të cilat ndikojnë në mirëqenien e jetës së qytetarëve siç është uji i pijshëm. “Ne jemi duke mbështetur projektin i cili do të furnizojë me ujë të pijshëm qytetarët, mirëpo jemi të interesuar edhe për projektet, të cilat bëjnë trajtimin e ujërave të zeza, projekte këto që vazhdojnë të mbesin sfiduese”, ka thënë ai.

Stavileci tha se KRU Radoniqi ka një performancë të mirë në punën dhe realizimin e projekteve, derisa  ka vlerësuar se me realizimin e këtij projekti do të furnizohen me ujë të pijshëm 250 mijë qytetarë të Komunës së Gjakovës.

Nga ana e saj,  kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari –Lila ka shtuar se komuna që drejton ka mbështetur disa projekte të KRU Radoniqi, ndërsa bëri të ditur se pjesë e bashkëfinancimit kanë qenë edhe qeveria gjermane dhe ajo zvicerane.

Sipas saj, deri në fund të vitit komuna synon të arrijë të furnizojë me ujë të pijshëm 99 për qind të qytetarëve që mbulon kjo komunë.

Kryeshefi Ekzekutiv i KRU Radoniqi, Ismet Ahmeti, ka falënderuar MZHE-në për mbështetjen financiare që i ka dhënë projekteve vitale të kësaj kompanie publike, e veçanërisht projektit të fabrikës së dytë të ujit, e cila do të mbulojë kërkesën për ujë për tri komuna.

Ndryshe, investimi në projektin e fabrikës së ujit, respektivisht Stacionin e filtrave ka një kosto prej 6.4 milionë euro, prej të cilave MZHE participoi me 1.2 milionë euro derisa fazën e tretë pritet ta bashkëfinancojnë edhe dy komunat tjera pos Gjakovës, ajo e Rahovecit dhe Prizrenit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …