Stavileci: TIK e ardhmja e rinisë dhe ekonomisë kosovare

Teknologjia e Informacionit është i vetmi sektor që mund të tejkalojë orbitën e zhvillimeve të sektorëve tradicionalë, andaj investimet në kuadro të fushës së TI-së do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, respektivisht në krijimin e vendeve të reja të punës, ka deklaruar, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Blerand  Stavileci.

Këto komente kreu i MZHE-së, i bëri me rastin e hapjes së Shkollës së Lartë Profesionale  Cacttus Education, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve arsimore dhe sektorit të TIK, ku u vlerësua se kjo shkollë do tu ofrojë  studentëve edukim dhe ekspertizë të klasit botëror në fushën e Teknologjisë Informative dhe të Komunikimit.

Ministri Stavileci tha se përveç potencialit ndërmarrës që ekziston, ideve, kreativitetit, imagjinatës dhe invencionit që e ka rinia e vendit, segmenti i edukimit është ai i cili në këtë fushë përbën një avantazh konkurrues krahasuar me sektorët e tjerë.

Ai ka siguruar mbështetjen e tij për TI-në, duke pohuar se kjo fushë tashmë është pjesë e agjendës qeveritare, e cila po trajtohet si një ndër sektorët me prioritet.

Stavileci tha se hapja e shkollës profesionale është një hap i një rëndësie të madhe pasi drejtimet e fushës së IT-së janë pjesë e tregut ekonomik global, trend ky të cilit tashmë i janë bashkangjitur shumë të rinj të vendit tonë.

Ndërsa, Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, është shprehur se modeli i kësaj shkolle mundëson fillimisht një edukim të avancuar dhe praktik duke ndërtuar kompetencat dhe shkathtësitë për nxënësit dhe një edukim në tërësi që lidhet me zhvillimin ekonomik dhe siguron punësim.

Nga ana tjetër Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi ka shtuar se profilet e IT-së janë profile që i përgjigjen tregut të punës. Sipas tij të rinjtë që po aftësohen  në fushën e IT-së nuk kanë vështirësi në punësim.

Driton Hapçiu kryetar i Bordit të “Cactttus Education”, ka thënë se kjo shkollë dyvjeçare do të përqendrohet tek aspektet praktike, duke i plotësuar edhe në teori këtë fushë. Ai tha se në lëndët që ka shkolla profesionale  parasheh zbatimin e projekteve reale në mënyre që studenti  të jetë i gatshëm për punë që në përfundim të programit.

Ndryshe, në kuadër të Cacttus Education do të ofrohen programe të certifikuara të partnerëve më të njohur ndërkombëtarë: Cisco Networking Academy, Microsoft Partner for Learning Solutions e të tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …