Studiuesja e njohur amerikane me origjinë italiane, Anna Di Lellio, së bashku me dizajnerin, Dardan Luta, ka nxjerrë në dritë librin, “Dimri i gjatë i vitit 1945-Tivari”.
Ky libër i ilustruar, por i faktuar edhe me të dhëna relevante historike e gojore, përmbush në një nivel të lakmueshëm kërshërinë e lexuesit, për të mësuar diçka më shumë për një masakër që kanë kryer partizanët komunistë, jugosllavë, kundër shqiptarëve të paarmatosur të rekrutuar dhunshëm, gjoja me qëllim për t’ iu bashkuar radhëve partizane që i kishin sulmuar trupat gjermane në tërheqje nga Ballkani, në mars të vitit 1945. Më 31 mars të vitit 1945, partizanët jugosllavë serbë e malazezë kanë likuiduar mizorisht 500 e ndoshta edhe shumë më tepër shqiptarë, në ndërtesën e Monopolit të grumbullimit të Duhanit, në qytetin bregdetar të Tivarit.
Përmes vizatimeve e skicave shpërfaqen pamje vizuale, të cilat lexuesin e shpijnë në një botë të kureshtjes, për të manifestuar me vizion virtual një ngjarje tronditëse dhe të tmerrshme të së kaluarës shqiptare, nën sundimin dhe pushtimin e fqinjëve grabitqarë, me pëlqimin dhe bekimin e Fuqive të Mëdha e veçmas të Rusisë, prej vitit 1912 e deri në qershor të vitit 1999.
Masakra e Tivarit në këtë libër të ilustruar, “ringjallet” virtualisht përmes botës së pasur krijuese të dizajnerit të njohur, Dardan Luta, i cili e ka realizuar me sukses tekstin, në formë skenari, me krijimin e situatave mbresëlënëse, në 140 faqet e librit. Ai ka skicuar e vizatuar për mrekulli sidomos situatat e tmerrit, detajet e personazheve të njohur si dëshmitarë dhe shumë të tjerë të imagjinuar, me një lidhje të shkëlqyer kompozicionale, vazhdimisht duke e begatuar me personazhe të shumtë, të cilët janë bartës të një realiteti të pasqyruar në mënyrë artistike, por me një relevantë të shquar të kontestit të kohës, kur ka ndodhur ngjarja. por edhe të hapësirës dhe gjeografisë deri ku shtihej ajo.
Është meritë e studiueses së njohur edhe të historisë shqiptare, zonjës, Anna Di Lellio, e cila me këtë rast ka shfrytëzuar një literaturë të pasur, të faktuar e të dokumentuar, sidomos librin e Haxhi Birinxhikut. “Dëshmi për Tivarin”, ku janë prezantuar dëshmitë e 21 dëshmitarëve që e kanë përjetuar masakrën, por edhe të dëshmitarëve të tjerë. Duke shkruar lidhur me këtë projekt, Anna Di Lellio ka sqaruar: “Së bashku me ekipin e hulumtuesve të Iniciativës së Historisë Gojore të Kosovës, mësova se duke u fokusuar në rrëfimet individuale, ne mund t’ i zbulonim kujtimet e heshtura, si dhe lidhjet e individit me ngjarje të mëdha e gjithëpërfshirëse historike”. Pikërisht në këtë segment, autorja e librit e ka mbështetur edhe lëndën, e cila i ka shërbyer për mrekulli në qëllimet e saj për ta pasqyruar Masakrën e Tivarit, në përmasa të një këndvështrimi të ri artistik e stilistik.
Autores së librit i përket edhe merita për zbulimin e mjaft fakteve relevante në arkivat e Kosovës, Shqipërisë e Jugosllavisë, lëndë kjo e cila në decenien e parë pas luftës së Dytë Botërore ishte nën embargon partiake e ideologjike, por më vonë kishte shpërthyer, madje edhe me këndvështrime ideologjike dhe me paragjykime politike, për të vazhduar deri në ditët tona.
Autores i përket edhe merita e afishimit të Raportit të drejtuar nga Shefqet Peçi, komandant i Korparmatës së Tretë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, drejtuar Komandës së Përgjithshme, material të cilin e ka zbuluar në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura (AQFA) dhe që flet për faktin se autoritetet në Shqipëri, deri një javë pas masakrës, nuk kishin pasur asnjë të dhënë zyrtare për atë tragjedi morbide. Po ashtu, autorja ka vënë në spikamë edhe fjalimin e shefit të OZN-së, Aleksandër Rankoviq të datës 11 maj të vitit 1945, kur kishte pranuar masakrën si një gabim të madh ndaj shqiptarëve…
Libri, “Dimri i gjatë i vitit 1945-Tivari”, është një kontribut i çmuar në ndriçimin e një segmenti të Masakrës ndër më të përgjakshmet e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Pasqyrimi vizual, përmes dialogut të ngjarjeve historike është risi në letërsinë tonë që krijohet në Kosovës dhe për këtë merita e takon autorëve, Ana Di Lellio dhe Dardan Luta. Ju lumtë!.
Ahmet Qeriqi
Prishtinë
- 3. 2019