Sulejman Vokshi( 1815 – 1890) ishte ndër personalitetet më të shquar të Lidhjes së Prizrenit dhe Hero i Popullit në Kosovë. Lindi në Gjakovë në një familje me tradita kombëtare nga (Vokshi), pjesëmarrëse në kryengritjet anti osmane kundër Tanzimatit. Veprimtarinë patriotike e filloi që në moshën djaloshare. Në vitet 40të shek. XIX mori pjesë me armë kundër reformave të Tanzimatit dhe prandaj qeveria osmane e internoi dhe e burgosi shumë herë. Lidhja Shqiptare Prizrenit e gjeti Sulejman Vokshin e përgatitur në të gjitha drejtimet si luftëtar e udhëheqës i shquar popullor dhe me koncepte të qarta politike. Ishte një nga nismëtarët e themelimit të saj dhe gjatë veprimtarisë së Lidhjes një ndër udhëheqësit kryesorë, politikë e ushtarakë, anëtar i Komitetit Qendror dhe përfaqësues konsekuent i krahut revolucionar të saj. Ai qëndroi jo vetëm në ballë të luftës për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare, por edhe të luftës për realizimin me forcën e armëve të autonomisë së mbarë trojeve shqiptare si shkallë e parë, e kushtëzuar nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, e luftës për fitoren e pavarësisë së plotë.
Qeveria e përkohshme e Lidhjes shqiptare e ngarkoi me detyrën e udhëheqësit ushtarak të forcave të armatosura të ushtrisë kombëtare të saj, ishte edhe kryetar i komisionit të të ardhurave dhe financave. Ishte drejtues i Degës së Lidhjes për Gjakovën dhe një nga organizatorët e ngjarjeve të Gjakovës që shpunë në vrasjen e mareshalit osman Mehmet Ali Pashë Maxhari. Si anëtar i Shtabit ushtarak të Lidhjes, Sulejman Vokshi ishte një nga udhëheqësit e luftëtarëve shqiptarë në betejat për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, që shpunë në shpartallimin e forcave të Malit të Zi. Me shpalljen e autonomisë dhe krijimin e Kuvernës së Përdorme, ishte krahas Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit e të tjerëve, në krye të kësaj me cilësinë e komandantit të forcave për mbrojtjen. Forcat e Lidhjes nën komandën e tij brenda një kohe fare të shkurtër e shtrinë pushtetin popullor administrativ e ushtarak të Lidhjes në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Lumë, Guci, Vuçitërnë, Preshevë etj. Nën drejtimin e tij si kryetar i shtabit të forcave shqiptare dhe me pjesëmarrjen e tij direkte u zhvillua edhe lufta heroike për mbrojtjen e Lidhjes në Shtimje e Slivovë kundër forcave osmane të Dervish Pashës. E vazhdoi qëndresën kundër pushtuesit osman edhe pas thyerjes së Lidhjes shqiptare dhe shpërndarjes së qeverisë së saj deri më 1885, madje ai organizoi në këtë vit një kryengritje tjetër kundër pushtuesve që shpërtheu në Kosovë. U kap me pabesi. Pushteti osman e konsideroi si një nga udhëheqësit më të rrezikshëm të Lidhjes, prandaj gjykata e jashtëzakonshme e Prizrenit e dënoi me vdekje. Por para presionit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u detyrua ta lirojë pas burgimit. Sulejman Vokshi radhitet ndër udhëheqësit e luftëtarët konsekuentë të popullit shqiptar në luftën për realizimin e sigurimin e unitetit të tij kombëtar e shtetëror. Figura e tij u përjetësua edhe nga këngët popullore historike të asaj periudhe. Vdiq në Gjakovë. (Vikipedia)
Sali Onuzi: Sulejman Vokshi dhe mbrojtja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Sulejman Vokshi lindi në qytetin e Gjakovës në vitin 1815 në një familje me tradita të shquara patriotike dhe luftarake. Për gati 50 vjet Ai mori pjesë në të gjitha kryengritjet që shpërthyen kundër sundimin osman, gjë për të cilën Porta e lartë e kishte arrestuar e internuar 15-20 herë. Në vitin 1878, kur u themelua Lidhja shqiptare e Prizrenit, Ai ishte një udhëheqës popullor i njohur e me autoritet në të gjithë Kosovën. Tek Sulejman Vokshi Lidhja gjeti një organizator e udhëheqës të talentuar ushtarak. Këto aftësi të tij shpërthyen që në aksionin e Gjakovës dhe në luftimet kundër ushtrive malazeze për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, në dimrin e vitit 1879-1980.
Por kulmi i veprimtarisë politike e ushtarake të Sulejman Vokshit përkon me luftën e Lidhjes së Prizrenit për të realizuar me forcën e armëve autonominë e Shqipërisë. Në Qeverinë e Përkohëshme Vokshi u caktua shef i seksionit ushtarak të saj me atributet e Ministrit të Mbrojtjes dhe të Komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosuara. Nën drejtimin e Tij, brenda një kohe të shkurtër, Lidhja organizoi një ushtri të rregullt shqiptare, të vogël në numër.
Në krye të kësaj ushtrie, S. Vokshi, nisi dhe realizoi çlirimin e tokave shqiptare nga administrata osmane. Ushtria e Llidhjes i ndërpriste linjat telegrafike, i rrethonte dhe i kërcënonte qytetet dhe qendrat e tjera te banuara me sulm ( nga jashtë ) e me kryengritje ( nga brenda), i detyronte garnizonet ushtarake osmane të mbylleshin në kazerma dhe të respektonin autoritetin e urdhërat e Lidhjes, kurse administratën osmane, kudo, e shpërndante dhe në vënd të saj e merrte drejtimin e qeverisjes, Komiteti Vendor i Lidhjes.
Që në dhjetor 1880 ishin çliruar Prizreni, Luma, Gjakova,Gucia dhe brenda janarit e shkurtit 1881, ushtria e Lidhjes arriti të çironte Shkupin, Prishtinën, Mitrovicën duke zënë edhe urat hekurudhore. Autoriteti i Lidhjes shumë shpejt u shtri edhe në Tetovë, Gostivar e Dibër 1)
Por, siç dihet, Qeveria e Përkohëshme e Lidhjes, nuk pati kohë të organizonte si duhej as pushtetin e as ushtrinë e saj në mbarë Shqipërinë. Porta e Lartë vendosi ta shtypte sa më parë me zjarr e me hekur Lidhjen e Prizrenit. Ajo dërgoi për këtë qëllim mareshallin famëkeq Dervish Pashën me 7 gjeneralë në vartësi, me të paktën 30 batalione, ( numri i saktë i tyre nuk është përcaktuar ende nga historiografia ushtarake) të pajisura me teknikën më moderne të kohës, me shumë topa, me bateri malore dhe dy vagona me municion.(2) Pas pushtimit të Shkupit, me 22 mars dhe të Ferizajt, më 8 prill, objektivi i parë i trupave osmane u bë qëndra e Lidhjes, qyteti i Prizrenit.
Përballë rrëzikut që i kërcënohej Atdheut, Lidhja u dha kushtrimin shqiptarëve për të rrokur armët. Asaj iu përgjigjën afro 5000 veta, shumë pak në krahasim me Planin e Mobilizmit që Lidhja kishte diskutuar e miratuar. Kjo shpjegohet me qëndrimin tradhëtar të krahut reaksionar të Lidhjes. Ata e sabotuan dhënien e kishtrimit, sidomos në Fushën e Kosovës, në disa qindra fshatra (3) Ose ndodhi, që edhe pasi u grumbulluan vullnetarët, ata nuk u lanë të niseshin për Prizren.(4)
Sulejman Vokshi gjatë mobilizimit të forcave dhe organizimit të qëndresës i kushtoi kujdes informacionit për shtabin e ushtrisë shqiptare dhe dizinformacionit e mashtrimit të armikut. Vokshi vendosi roja të përhershme, që mbanin nën kontroll veprimet e nëpunësve të telegrafës së Prizrenit. Çdo telegram i Dervish Pashës i dërgohej S. Vokshit dhe asnjë telegram i autoriteteve osmane nuk nisej në destinacion. Sipas porosisë së Vokshit Stambolli dhe Dervish Pasha u dizinformuan nga nëpunësit e telegrafës që e ngritën numrin e forcave të Lidhjes në 45 000 luftëtarë.(5)Këto informata, “tronditëse” e “shqetësuese”, siç e kannë pohuar vetë autoritetet osmane (6) futën panik e frikë në shtabin e Dervish Pashës. Konsulli austro-hungarez, Krenvill, me datën 11 prill i raportonte Vjenës se ” komandantët e ushtrisë turke në përgjithësi ndjejnë një frikë të madhe”(7) nga forcat e Lidhjes. Kështu Vokshi u përpoq të fitonte kohë për të mobilizuar forca e organizuar qëndresë.
Shtabi ushtarak i Lidhjes me S. Vokshin në krye e përcaktoi drejt rajonin e mbrojtjes, pozicionet, gjërësinë dhe thellësinë e tij. Brezi i mbrojtjes se forcave të Lidhjes shkonte deri në 10 km gjërësi dhe 18 deri në 25-30 km thellësi.(8) Vokshi e ndërtoi formacionin e luftimit në dy skalione.
– Në skalionin e parë: Zaskok-Nerodime-Slivovë vendosi repartet pararojë mbi 2000 veta,
– në skalionin e dyte Shtimlje-Topican përqëndroi forcat kryesore rreth 4000 veta.
Si shihet, Vokshi i mbajti forcat kryesore në skalion të dytë, gjë që u bë për të pasur mundësi manovrimi dhe goditjeje të befasishme nga një drejtim në tjetrin, sipas situatës që do të krijohej. Shtabin e kishte vendosur në Shtmlje dhe mbante lidhje telegrafike me Qeverinë e Lidhjes.
Më 16 prill forcat osmane sulmuan në drejtim të Slivovës, por forcat shqiptare e përballuan më trimëri sulmin dhe për 4 ditë e netë i gozhduan ata para kodrave. Me 20 prill, ora 6.00, Dervish Pasha sulmoi në shkallë të gjërë duke patur si objektiv Slivovën, Shtimen, Grykën e Caralevës, e pastaj Prizrenin. Rreth 15 000 ushtarë osmanë sulmuan në tri drejtime:
– në qendër, në drejtim kryesor, gjeneral Ibrahim Pasha me 7 batalione kundër Shtimljes,
– në të majtë, kundër Slivovës, gjeneral Osman Pasha me 6 batalione,
– në të djathtë gjeneral Mustafa Pasha.
– Vetë Dervish Pasha, me dy bateri topash e dy batalione sulmoi Slivovën, ku zuri një kodër të vogël prej nga drejtonte zjarrin e artilerisë (9)
Pas luftimeve të ashpra në Slivovë luftëtarët e Lidhjes u detyruan të tërhiqen dhe organizuan qëndresë në Shtimlje e në Grykë të Caralevës. Në këto beteja të përgjakshme shkëlqeu heroizmi masiv i luftëtarëve shqiptarë nga të cilët ranë duke luftuar 1200 prej tyre, kurse nga forcat osmane rreth 800 (10)
Në luftimet që u zhvilluan forcat e Lidhjes zbatuan mjeshtërisht taktikën tradicionale të luftës popullore. Vokshi i ndau forcat në grupe të vogëla, 80-200 vetë, të cilat me sulme e kundërsulme, nga lart poshtë, në kodrat e Slivovës, i rrëmbyen në fillim armikut inisiativën në shkallë taktike. Një kronist shkruan:”Prita dhe presioni i tyre ( shqiptarëve) u bënë aq të papritura sa, në çastin e parë ushtria turke u detyrua të tërhiqej. Sulmi i shqiptarëve u përsërit disa herë” (11)
Por, Dervish Pasha…urdhëroi të silleshin menjëherë në kodrën përbri Slivovës 6 topa, të cilët hapën zjarr… më shumë se një orë e gjysëm ” (12) Duke parë dëmin që shkaktonte një bateri e armikut, Mic Sokoli nga Malësia e Gjakovës me disa luftëtarë sulmuan drejt kodrës për të asgjësuar baterinë turke, por ranë heroikisht, aty, para grykave të topave. Zjarri i artilerisë pati pasoja të rënda për forcat e skalionit të parë, të cilat u detyruan të tërhiqen drejt Shtimljes, nga vijë në vijë.
Në këto beteja luftëtarët shqiptarë përdorën veprime të ndryshme taktike, të ndërtuara me zgjuarësi e trimëri. Veprimet kryheshin ditën dhe natën duke ruajtur fshehtësinë e siguruar befasinë mbi armikun. Kënga popullore informon se S. Vokshi kishte bërë plan dhe u përpoq të asgjësonte shtabin e forcave osmane dhe Dervish Pashën: ” Zo Dërvishi ku a vetë?/pesë zabit ia lashë pa jetë,/du’ n’Dervishin me u zatetë…/t’ja qes zemrën në ledinë” (13) Në sigurimin e goditjeve të befasishme mori pjesë aktive kalorësia shqiptare. Populli këndon : “Ali Ibra në vraç të zi/…në thikë p’i rrzon ka shtatë a tetë…(14) Pati rast në Shtimlje që shqiptarët vunë në pozicionet e tyre kësulat e bardha, manovruan e goditën në mënyrë të befasishme turqit.
Me taktikën e tyre forcat e Lidhjes duhej të kompensionin mangësitë e mëdha të armatimit që ato kishin në përdorim. Ushtria e Lidhjes ishte e pajisur me pushkë me çark që mbusheshin nga gryka( duke humbur shumë kohë) dhe nuk e hidhnin plumbin më shumë se 100-120 metra (15), ndërsa ushtria turke ishte e pajisur me pushkë me shume fisheke të tipit Uincester dhe të sistemit me të ri Martini Henri model i vitit 1871 të prodhimit amerikan dhe anglez, me topa gjerman dhe mitralozë amerikan, që kishin nga 6 deri në 12 gryka. Artileria turke ishte pajisur me topa atë të prodhimit gjerman, me mbushje nga prapa prej çeliku, me kalibër nga 45 deri 100 mm [ Shih Riza Drishti në Konferenca kombëtare për studime të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, vell.2f.285.Tirane 1979] Pushkët “martin” ushtria e Lidhjes i kishte shumë të pakta dhe ishte shumë keq për fishekët e tyre. Në këto kushte shqiptarët përdorën me sukses luftimin e afërt, pritën e deri luftimin trup me trup që zgjati disa orë në Shtimlje(16) Armiku goditej me thika, jataganë, me kosë, sfurk, drapër, sopatë, dajak, përdorej bari i thatë, vajguri etj.(17) Duke përdorur luftimin e afërt ata mundën të ulnin në një shkallë të madhe efektin e pushkëve “martin”, e sidomos të artilerisë dhe t’ i shkaktonin armikut sa më shumë humbje të ishte e mundur.
Kodrat e Slivovës e të Shtimljes, që ngrihen mbi fushë me një lartësi relative 40-170 metra dhe të xhveshura përballë artilerisë turke ishin pozicione jo aq të përshtatshme për mbrojtje. Sipas dokumenteve gjermane del se D. Pasha e priste rezistencën më të rrezikshme të shqiptarëve në grykën e Caralevës (18) Në fakt edhe në grykën e Caralevës u organizua një pritë e fuqishme dhe u bë një qëndresë heroike. S. Vokshi dhe udhëheqësit e tjerë prisnin të vinin nga Prizreni forca të tjera të Lidhjes, të cilat arritën me vonesë,pasi ushtria turke e kishte kaluar luginën e Caralevës. Këto forca gjithashtu qenë relativisht të pakta. Bashkë edhe me këto, S. Vokshi organizoi një qëndresë më 21 prill në Qafën e Duhlës, ku u zhvilluan luftime të ashpra. Po edhe këtu shqiptarët u detyruan të tërhiqen. D. Pasha, pasi theu edhe një qëndresë tjetër në portat e Prizrenit, në Suharekë, hyri me 24 batalione në Prizren me 23 prill.
Epërsia e madhe e armikut në njerëz dhe teknikë ishte i vetmi faktor që i detyroi forcat e Lidhjes të tërhiqeshin, dhe ata u tërhoqën me mjeshtëri duke luftuar për 7 ditë me heroizëm të rrallë. Fakti që ata nuk arritën një fitore mbi D. Pashën e ka shkakun në tradhëtinë e krahut sulltanist që pengoi ardhjen e vullnetarëve në Slivovë e Shtimlje. Mendimi i shprehur nga studiues shqiptarë para Luftës së Dytë Botërore për këto beteja se “shqiptarët nuk qitën gja me kry” pasi …” nuk kishin një komandant të përgjithshëm që tu jepte drejtim dhe as që e dinin taktikën e një lufte moderne” (19) ishte krejtësisht pa baza dhe i ndikuar nga historiografia e huaj e qarqeve antishqiptare. Forcat e Lidhjes organizuan një luftë frontale. Që ata nuk i përballuan forcat e D. Pashës, kjo lidhet më armatimin e tyre të pakët e të vjetëruar, me mungesat e mëdha në municion dhe së fundi me numrin e pakët të luftëtarëve.
Pas betejave në Slivovë, Shtime e Caralevë, Sulejman Vokshi i riorganizoi forcat në grupe të vogla dhe me shpejtësi u kalua nga lufta frontale në luftën e çetave( taktike). Kjo ishte një tërheqje strategjike, e domosdoshme për të ruajtur forcat e për të vazhduar luftën në të ardhmen. Ky veprim në thelb ishte një operacion kalimi, i cili për rëndësinë që ka e vështërsitë që paraqet, tregon për përvojën e madhe luftarake të S. Vokshit dhe të luftëtarëve të Lidhjes. Ky kalim tepër i vështirë u realizua pa lejuar ndërprerjen e veprimeve luftarake, në tërheqje e sipër, duke i ndarë repartet në grupe të vogla e duke shfrytëzuar terrenin malor. Realizimin e këtij veprimi luftarak me mjeshtëri, habinë e frikën e Dervish Pashës dhe besimin e madh të popullit te fitorja poeti anonim i ka dhënë kaq bukur në vargjet e këngës popullore:”Ç’po pëvet Dervish Pasha:/Zo, ku rrin Sulejman aga? – N’ato bjeshkë, te retë e bardha./ Dervish Pasha po pëvet:/ Zo mileti ku u tret?-Q’atje nelt ku zbardhin retë/ koftë kismet do i shihsh opet”..(20)
Lidhja shqiptare e Prizerenit u shtyp me gjak e hekur. Po S. Vokshi me shumë luftëtarë u tërhoq në Malësi të Gjakovës. Kjo nuk mund të quhet “arratisje”, siç e ka cilësuar gabim ndonjë studiues. Në këtë krahinë, me male të larta e me një popullsi, që pati përkrahur aktivisht Lidhjen, ai organizoi një qëndresë të pakapërcyeshme për forcat e ushtrisë turke. Malësia e Gjakovës e mbrojtur nga mëse 3000 forca, me Sulejman Vokshin në krye, mbeti gjithnjë një zonë e lirë, një bazë e luftëtarëve të lirisë prej kah ato, herë pas here, ndërmorën sulme kundër garnizoneve turke në Gjakovë, Pejë e Prizren dhe në shkurt 1885, përsëri nën udhëheqjen e Sulejman Vokshit shpërthyen një kryengritje të fuqishme.
Stambolli dërgoi forca të mëdha ushtarake, e shtypi kryengritjen dhe në pabesi e kapi S. Vokshin. Gjykata e jashtëzakonëshme ushtarake në Prizren e dënoi atë me vdekje, kurse familjen e tij me internim të përjetshëm në Fezan të Tripolit. Në vendimin e gjykatës osmane thuhej se fama që ka fituar S. Vokshi “për veprimtarinë e efekteshme e të fuqishme antishtetërore…dihen nga gjithë bota. Ai ka qenë organizator, frymëzues dhe pjesmarrës i të gjitha akteve e veprimeve të kryengritësve që kanë ndodhur gjer tani në këto anë, si dhe kreu i krerëve të të gjithë kryengritësve” Ky duket të jetë vlerësimi më i saktë që mund t’ i bëhej S. Vokshit.
Për shkak të popullaritetit të S. Vokshit dhe presionit të lëvizjes kombëtare shqiptare shteti osman u detyrua ta kthente denimin me vdekje në dënim me burg, e më pas, ta lironte komandantin e Lidhjes. Populli shqiptar e përjetësoi birin e tij besnik, komandantin e shquar në këngët e veta epike. Në prag të 100 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit shteti shqiptar i dha Sulejman Vokshit titullin e lartë ” Hero i Popullit”.