Sulltan Murati I ishte pushtues i shqiptarëve dhe jo çlirues

Janë të pafundme datat e ngjarjet historike për të cilat myftiu, Naim Tërnava nuk ka as më të voglin nderim. Por, kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës që gjallon me kontributet e besimtarëve të vobektë, nuk mund t’i ikë edhe 626 vjetori i vrasjes së Sulltan Muratit I në Betejën e Kosovës (qershor 1389). Në një ceremoni të përhumbur në temjanin e mirazheve, myftiu Naim Tërnava do të lamentojë vrasjen e sulltanit osman. Duke projektuar imazhe në mënyrën më disonante të mundshme nga e tashmja në të kaluarën ose anasjelltas, myftiu Naim Tërnava i referohej Sulltan Muratit I si “çlirimtar” të shqiptarëve nga car Llazari. Po të qëmtohet deri në fund ky mëtim, s’do mend se del absurd. Por ky nuk është problemi fundamental. Marc Bloch, një prej përfaqësuesve impozant të Shkollës së Analeve, thotë se historia do ta ketë vendin e saj midis njohurive të tjera, vetëm atëherë kur në vend të një numërimi të thjeshtë  pa lidhje dhe pothuajse pa caqe, do të na lejojë një klasifikim të arsyeshëm dhe një kuptueshmëri në rritje. Sipas Bloch “natyra e të gjykuarit tonë të çon shumë më pak te dëshira për të ditur sesa te dëshira për të kuptuar” (1992: 8-9). Në këtë dritë, fjalimi patetik i myftiut Tërnava del si një numërim eklektik i të bamave historike, të cilat përzgjidhen kujdesshëm për t’u gërshetuar me projekte aktuale real-politike. Myftiu Tërnava ka vite që përsërit në mënyrë ad naseum ‘miqësinë shqiptaro-turke’, të cilën madje e legjitimon edhe në premisa biologjike (?), prandaj me këtë alkimi ai përdor imazhe të huajtura nga mesjeta asisoj sa për të sajuar një legjitimitet për pretendimet turke mbi Kosovën. Thirrja e Tërnavës është sugjestive: ajo synon të krijojë te audienca nevojën e shtirur për një rishikim të githçkaje me Perandorinë Osmane:

 “është obligim për ta kujtuar Sulltan Muratin i cili kontribuoi në çlirimin e popullit shqiptar nga okupatori sllav që kishte zaptuar trevat shqiptare, duke zbritur nga malet e Rusisë me qëllim që shqiptarët t’i asimilojnë plotësisht duke i zhdukur”.

Përdorimi me emfazë i termit ‘çlirim’ është shpërdorues meqë nuk merr parasysh rrethanshmërinë e kohës. Pa bërë as edhe orvatjen më të vogël për të depërtuar në kontekstin e dhënë historik, myftiu Tërnava me një të rënë të lapsit e thjeshtëzon të kaluarën, ashtu sikur të ishte një sekuencë në filmin ‘Lord of the Rings’, ku taborët e të mirës dhe së keqes kanë një alamet hendeku në mes. Termi ‘çlirim’ do të kuptimësohej vetëm e vetëm kur në një aksh rrethane do të kishim të bëjmë me X entitetin që i bën vullnetshëm ftesë Y entitetit, i cili në prapakthim i përgjigjet kërkesës për ndihmë, duke rezultuar në çlirimin e nevojtarit. Rrjedhimisht, mëtimi për ‘çlirim’ nuk i qëndron një kritike objektive. Ai është veçse një projektim fantazist i motiveve të së tashmes në të kaluarën. Për të dhënë qoftë edhe pjesërisht shpirtin e kohës, le të stivojmë shkurtimisht disa prej ngjarjeve që shënuan pikë kthese në historinë e Ballkanit të shekullit XIV:

  • Sikundër e shpjegon në mënyrë të thuktë medievisti amerikan, John V.A. Fine, veprimet kryesore të osmanëve në Ballkan gjatë viteve 1360-1370 manifestoheshin me lëvizje të çakërdisura të bandave plaçkitëse, pjesëtarët e të cilave quheshin ghazi. Ndonëse burimisht termi ghazi i referohej një luftëtari të fesë islame, Fine arrin të shkërmoq luspën romantike, duke pikasur se këto grupe i përbashkonte përpjekja për të zaptuar toka të reja, aq më tepër që vendbanimet osmane në Anatoli po përmbyteshin nga valë të pafundme të nomadëve turkoman nga Azia Qendrore (Fine 1994: 406). Kjo gjendje shpërthyese do të bëhej shtysa kryesore e Sulltan Muratit I, që do të përfshihej gjithnjë e më shumë në orientimin e pushtimeve drejt Ballkanit.

  • Duke përvijuar kontekstin historik, Fine vëren se inkursionet osmane sollën paqëndrueshmëri gjithandej Ballkanit. Derisa të mbjellat shkatërroheshin dhe fshatarët kapeshin robër, prodhimi bujqësor do të shuhej. Qytetet e rralla do të përballeshin me rritje të numrit të refugjatëve, duke sjellë me vete edhe problemin e urisë të shkaktuar nga mbipopullimi dhe burimet e varfëruara të rrnesës (Fine 1994: 408).

  • Pushtimi gradual, inkursionet e vazhdueshme si dhe humbja e baraspeshës feudale do ta bënte të pashmangshme përplasjen ushtarake. Kjo do të ishte ndër rastet e paprecedentë të kohës kur një faktor i jashtëm do të përftonte tejkalimin e rivaliteteve feudale dhe bashkimin në një aleancë ushtarake gjithë-ballkanike. Pavarësisht se Beteja e Kosovës në qershor të vitit 1389 është trumbetuar si pivotale, penetrimi osman në Ballkan u bë i mundur vetëm pas disfatës së feudalëve serbë e shqiptarë në Betejën e Maricës në vitin 1371 (Fine 1994: 379).

  • Hamendësimi se 1389-ta i dha fund shtetit mesjetar serb është i pathemeltë meqë Perandoria serbe u shkërmoq qysh me vdekjen e Car Dushanit në vitin 1355 (Malcolm 1999: 58). Pranimi i statusit vasal nga pasrendësi i Llazar Hrebeljanoviqit, Stefan Llazareviqit do t’i zgjaste jetën shtetit serb edhe për 70 vite të tjera, më saktë deri në rënien e kështjellës së Smederevës  në vitin 1459.

  • Hamendësimi tjetër mbi gjoja rrezikun e akulturimit të shqiptarëve orotodoks në Kosovë nga shteti serb nuk ka urë të qëndrojë. Pas vdekjes së Car Dushanit, Perandoria e tij efemere do të përpjestohej në pakthim në disa principata. Tërthoret lindore të Kosovës, përkatësisht rajonet ku ndodheshin damarët e pasur të xeheve ishin pjesë e principatës së Llazar Hrebeljanoviqit, ndërkohë që pjesa tjetër do të zotërohej nga Vuk Brankoviqi i cili arriti të dobësonte pushtetin e Balshajve arbërorë (Malcolm 1999: 59). Superstruktura ekonomike dhe fetare e Brankoviqit nuk kishte as fuqi dhe as mjete për të asimiluar popullatën arbërore. Siç vë në dukje historiani francez, Alain Ducellier, themelimi i një fuqie politike ose ekonomike në një territor të dhënë nuk garanton, veçmas në mesjetë, se ata që kanë autoritetin politik janë edhe etnikisht shumicë: për shembull, despotati i vogël serb i Serresit, zgjati nga viti 1355 deri në 1371, mbizotëroi mbi një popullatë krejtësisht greke (Ducellier 2006: 29).

 Sulltan Murati I siç njihet në kronikat e kohës

Çdo rrëfim për betejën e 1389-ës e ka të pashmangshëm përimtimin e gjendjes së botës shqiptare në 30-vjeçarin e fundit të shekullit XIV. Pas rrëgjimit të Perandorisë jetëshkurtër të Car Dushanit, kryezotërit shqiptarë do të përfitonin nga rrethanat e reja për t’u pahëtuar si faktor me peshë në hartën politike të kohës. Familja fisnike Shpata në Epir, Arianitët dhe Muzakajt në Shqipërinë e mesme dhe lindore, Topiajt, Balshajt, Kastriotët si dhe dyer të të tjera bujare përfaqësonin ngrehinat e reja politike në Arbërinë e kohës. Rëndom në historiografi dhe në tekstet divulgative, viti 1385 merret si terminus post quem i inkursioneve osmane në Arbëri, pavarësisht se ka dromca që flasin se sulmet osmane filluan disa vite më herët. Ndër burimet e paçmueshme që hedhin firoma drite ne këtë çështje është edhe e ashtuquajtura Kronikë e Janinës, që i përket me gjasmë fillim shekullit të XV. Prej saj mund të induktohet se inkursionet e para osmane në Arbëri zanafillojnë qysh nga mesi i vitit 1380. Kronika në fjalë, autorësia e së cilës ngre ende pikëpyetje, pasqyron besnikërisht gjendjen e trevave të Epirit, Etolisë dhe Akarnanisë. Nga këto njoftime me vlerë dokumentare vihet në spikamë rezistenca e fiseve shqiptare ndaj komandantëve të trupave osmane, si Timurtashi dhe Evrenozi. Këto ekspedita të udhëhequra nga Evrenozi dhe Jashi beu lanë të vrarë shumë shqiptarë të krishtërë (‘εδίωξαν τούς Χριστιανούς, χαί εσφαξαν ουχ ολίγους…). Tablo të gjalla të inkursioneve osmane jep edhe kronikani tjetër bizantin Laonik Halkokondili në veprën e tij ‘Απόδειξις ίστορικν δέκα’ (Tregime Historike, dhjetë). Me rëndësi të veçantë janë fragmentet që dokumentojnë fushatat pushtuese të Sulltan Muratit I. Për kronikanin bizantin nga Athina, Murati I nënshtroi disa popuj në Evropë, të cilët u detyruan të paguajnë taksa (‘Υπηγάγετο μέν ουν Αμουράτης τόσα δἑ εθνη χαἱ ἠγεμόνας τούς ἐν τῆ Εώρώπη ἑς φόρον τε άπαγωγἠν). Në sytë e Halkokondilit, ushtria osmane në‘Αλβανν χώραν (vendin e shqiptarëve) kryente plaçkitje, sulme e vrasje. E njëjta politikë pushtuese do të vijohej edhe nga sulltani pasues, Bajaziti I i mbiquajtur Yıldırım. Mbase përshkrimi i historianit tjetër bizantin, Dukas, jep një pasqyrë reale të drobitjes së popullsisë arbërore nga sulmet e pandërprera osmane: “…shqiptarët, që ishin një popull i madh në numër, i pakësuan” (τοῦτο τους Αλβανους γένος ύπέρ άριθμόν όν, εύαριθμήτους εποίησεν).

Kundërpërgjigja arbërore: Beteja e Kosovës (1389)

 Përplasjet midis osmanëve dhe fisnikëve arbërorë, në mesin e të cilëve më i shquari Balsha II, kulmuan me Betejën e Savrës pranë Lushnjës (18 shtator 1385). Thyerja e ushtrisë arbërore u bë prologu i një antagonizmi gjithnjë e në rritje. Shprehje e temperamentit luftarak të kohës janë edhe krijimi i disa vendbanimeve turke për qëllime kryekreje ushtarake në viset me rëndësi strategjike në Arbërinë veriake. Kështu në rrethinën e Tivarit përmendet vendi ‘Turqini’ (1375) si dhe në rrethin e Shkodrës ‘villa turchi’ (Shufflay 2009: 54). Me fjalë të tjera, ky është sfondi i ngjarjeve që i paraprinë Betejës së Kosovës që u zhvillua në Shqipëri, ashtu siç pëlqen të thotë Alphonse de Lamartine (Lamartine 1855: 269-70: “…upon the steeps of the mountains of Albania”). Ky mjedis shpërthyes e bëri të pashmangshëm bashkërendimin e fisnikërisë serbe, boshnjake dhe shqiptare (Ranke 1853: 16). Një koalicion i shqiptarëve dhe popullsive sllave të Danubit, siç shprehet William Duckett, do t’i kundërvihej ushtrisë së Sulltan Muratit (1868: 52: “de la coalition des Albanais et des populations slaves du Danube”). Një nga burimet më autentike të kohës, siç është kronika e logothetit, Hierak ‘Χρονικν περ τς τν Τούρχων Βασιλείας’ pikas mobilizimin e shqiptarëve nga gjithë gjeografia arbërore. Duke artikuluar kronikën në formë poeme, logotheti bizantin përmend sesi pranë despotit serb, Llazar (δεσπότης τῆς Σερβίας) erdhën në ndihmë edhe arkontë nga Dardania e Shqipërisë (χαί άρχοντες οί έν ‘Αλβανητία λεγόμενοι οί Δάρδανες), Myzia, Akrokeraunet, Epiri dhe viset në Adriatik (Sathas 1872: 247). Fakti se shqiptarët ishin ndër pjesëmarrësit kryesor në këtë betejë do të merrej aq i mirëqenë saqë nuk harrohet të përmendet edhe në përkthimin në spanjisht të veprës së Marin Bardhecit për Skënderbeun (1597). Për përkthyesin spanjoll, në këtë betejë morën pjesë zotërinj nga Bullgaria dhe Shqipëria (“senores de Bulgaria y Albania”).  Vëmendjen e nguc edhe një tjetër fakt: beteja e Kosovës do të qëmtohet edhe nga historiani hebraik Joseph ben Joshua ben Meïr (1496-1575). Në Gjenova, ai do t’i jep jetë veprës monumentale ‘Kronikë e mbretërve të Francës dhe Turqisë’ (Dibre ha-Yamim le-Malke Zarfat we-‘Otoman). Për rabinin gjenovez, despoti Llazar bashkë me shumë princër nga Shqipëria do t’i dilnin përballë Muratit (1835: 248). Një prej njoftimeve më intersante është edhe ai i priftit italian, Filippo Angelico Becchetti në vitin 1788, i cili vrasësit të Sulltan Muratit I i referohet shprehimisht si “un Albanese” (1788: 169).

 Antipatia shqiptare ndaj Sulltan Muratit I

 Një tjetër aspekt jo më pak i rëndësishëm është edhe përjetësimi i Betejës së Kosovës në kujtesën kolektive, duke u bërë si pikë referente, një lloj atavizmi që kujtonte të kaluarën para-osmane. Francesco Tajani në “Le istorie albanesi” përmend rrëfimet e dëgjuara nga malësorët kelmendas, të cilët me krenari pohonin se kishin marrë pjesë në Betejën e Kosovës (1886: 21). Tradita rrënjëse në Kosovë përmban një laryshi vlerash materiale e shpirtërore që kanë përjetësuar Betejën e Kosovës dhe animozitetin latent ndaj gjithçkaje që asocionte me Sulltan Muratin I. Të dhëna të dorës së parë sjell edhe udhëpërshkruesi osman, Evlija Çelebiu gjatë udhëtimit të tij në Kosovë në dhjetorin e vitit 1660. Me kurreshtinë e pashuar ekzotike, ai do të vizitonte edhe tyrben e Sulltan Muratit I, për çka nuk përmbahet nga zemërimi kur mëson se “rajatë e pafe të fshatrave përqark e kishin bërë zakon të ndaleshin para tyrbes kur shkonin në Prishtinë e në Vushtrri dhe, për fyerje, e kryenin nevojën aty” (2008: 11). Çelebiu mezi mban zemërimin kur mëson që jo larg tyrbes ndodhej një manastir ku prehej ‘ai i pafe ogurzi’ që vrau sulltanin. Varri i këtij të ‘pafeu’, sipas udhëpërshkruesit osman, ishte i ndriçuar me llamba të stolisura që mbanin erë të mirë. Ky varr dritëplotë mbahej mirë me bamirësinë e blatimet e të pasurve nën kujdesin e murgjve, të cilët ditë e natë prisnin e përcillnin mysafirë, qofshin të ‘pafe’ ose myslimanë. Të një interesi të veçantë janë shënimet e ambasadorit raguzian, Ivan Kaboga i cili kur kaloi lumin Llap gjatë rrugës së tij për në Stamboll në vitin 1792 pikasi ‘3 milje në të majtë një kishë’, ku Milush Kopili ishte varrosur (Lidov 2007: 284). Kjo kishë duhet të identifikohet me rrënojat e një kishe të motshme në fshatin Sallabajë (emërtimi serb Kisela Banja) që tashmë gjendet në komunën e Besianës. Edhe Nikolla Boshkoviq, një tregtar me nam nga Novobërda, në memuaret e tij qysh në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë, i referohet njëfarë kishe në të cilën thuhej se ishte varrosur Milushi. Mitet e tilla, simbolet, vlerat dhe kujtimet, sipas Anthony Smith, janë “shenja të fuqishme dhe shpjegime, ato kanë fuqinë e prodhimit të emocioneve ndër breza” (Smith 1986: 201). Ai vëren se një komunitet  e gjen vetën në “gjendjen fillestare” përmes dy mënyrave: prej përdorimit të mjedisit gjeografik dhe prej përdorimit të historisë. E para qëmton komunitetin në tokën e tij të përveçme; e dyta trazon fijet e së kaluarës deri në epokën e heronjtve. Që të dyja, sipas Smithit, japin një histori dhe metafizikë të individualitetit të komunitetit (Smith 1986:  183).

***
I gjithë ky shpalim i të dhënave tregon për falsitetin e përpjekjeve për të kornizuar mesjetën sipas interpretimeve bashkohëse. Ajo çka bën myftiu, Naim Tërnava e disa të tjerë si ai, është përzgjedhja e motiveve të së tashmes dhe projektimi i tyre në histori, duke sajuar interpretime që nuk përkojnë me realitetin kompleks historik. Ashtu sikundër animozitetet mesjetare nuk mund të barten në të sotmen, ashtu edhe preferencat e sotme nuk mund të barten mekanikisht në të kaluaren. Profanitete të tilla, si ato që patëm rastin t’i shohim tek fjalimet e Tërnavës, vetëm sa shpërhapin një frymë versionesh vulgare që i sheshojnë udhën penetrimit të Turqisë neo-imperialiste në Kosovë. Më e pakta që mund të bëhet në raste të tilla është dorëheqja e myftiut, Naim Tërnava nga drejtimi i Bashkësisë Islame të Kosovës. Vetë Kushtetuta e këtij institucionini në nenin 73 qartëson se secili funksionar ose anëtar i organit të Bashkësisë Islame mund të revokohet, nëse konstatohet se: “[…] e keqpërdor pozitën e vet në dëm të interesit të Bashkësisë Islame dhe të atdheut“. Në rrethana normale, veprimet e dyshimta të Naim Tërnavës do të duhej të ishin subjekt i hetimeve të kujdesshme të Prokurorisë. Ai jo vetëm që nuk i ka vënë fre inflacionit të organizatave të dyshimta me agjenda parapolitike, por edhe ka bishtnuar nga përgjegjësia e tij për të penalizuar funksionarë që kanë shpërdorur autoritetin e tyre. Në të njëjtën kohë, një numër jo i paktë imamësh e hoxhallarësh kombëtaristë kanë qenë vulnerabël ndaj sulmeve të pabesa që u janë bërë nga grupime me frymëzime sektariane.

Salih Mehmeti
18 qershor 2015

 

 

Bibliografia

Becchetti, F. A. 1788. Istoria degli ultimi quattro secoli della Chiesa. Presso Antonio Fulgoni.

Bloch, M. 1992. The Historian’s Craft. Manchester: Manchester University Press.

Bozhori, K. 1967. Lufta Shqiptaro-Turke në shekullin XV, Burime Bizantine. Tiranë.

Çelebiu, E. 2008. Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje Kosovë, Mali i Zi, Ohër. Tiranë: 55.

Ducellier, A. 2006. ‘Is it true that Albanians invaded Kosova?’ në Lellio A. D, The Case for Kosova, Passage to Independence. Anthem Press. ff. 27-36.

Duckett, W. 1868. Dictionnaire de la conversation et de la lecture. Paris.

Fine, J. V.A. Jr. 1994. The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest, Ann Arbor.

Kohen. J. 1835. The Chronicles of R. Joseph Ben Joshua Ben Meir the Sphardi, Volume 1, (Translated from the Hebrew by C.H.F. Bialloblotzky). London: Bentley.

Lamartine, A.D. 1855. History of Turkey, Vol I. New York: D. Appleton & Company.

Lidov, A. 2007. Kosovo. Christian Orthodox Heritage and Contemporary Catastrophe. Moscow: Indrik.

Malcolm, N. 1999. Kosovo: A Short History. Harper Perennial

Ranke, L.V. 1853. The history of Servia, and the Servian Revolution. London: Henry G. Bohn.

Salde, J. O. D. L. 1597. Coronica del esforçado principe y capitan Jorge Castrioto, Rey de Epiro, o Albania. Madrid.

Sathas, K. N. 1872.  Bibliotheca graeca medii Evi: nune primum edidit constant sathas. EN BENETIA: ΤΥΠΙΣ ΤΟΥ ΧΡΟΝΟΥ.

Smith, A. D. 1986. The Ethnic Origin of Nations. Blackwell Publishing.

Shufflay, M. 2009. Histori e shqiptarëve të veriut, (Përkth. Abdullah Konushevci). Prishtinë: Nositi.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …