Në Kalendarin historik të UÇK-së është shënuar edhe Rrethimi i Dytë i Kullës së Jasharëve në Prekaz, i cili u ndërmor nga forcat e regjimit serb, më 22 janar të vitit 1998. Në mëngjesin e hershëm të asaj dite forcat serbe të cilat një natë më parë kishin marrë përforcime nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, ishin nisur në drejtim të Kullës së Jasharëve, me qëllim për t’i sulmuar ata. Atë natë komandanti Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, por rezistencë ndaj sulmit të forcave serbe kishte bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa. Pas kundërvënies së furishme të jasharëve forcat serbe ishin tërhequr. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ishte lënduar. Sulmin mbi Jasharët, njësitë policore serbe e ndërmarrin gjatë natës, më 22 janar të vitit 1998. Nuk duket që sulmi të ketë qenë i akorduar, meqë nuk përkonte me strategjinë dhe doktrinën zyrtare serbe të luftës.
Përleshja ishte zhvilluar nga një distancë e vogël. Forcat serbe kishin qëlluar në drejtim të Kullës, ndërsa Shaban Jashari me të birin, Hamzën dhe nipat e tij, Fitimi e Besimi, iu kundërpërgjigjën. Pasi merr vesh për sulmin, nga Llausha, ku kishte qëlluar atë natë, arrin me shpejtësi në Prekaz komandanti, Adem Jashari, së bashku me dajën, Osman Gecin dhe me bashkëluftëtarë të tjerë. Gjatë luftimeve, me këtë rast kishin marrë plagë Ilirianë dhe Selvete Jashari. Të nesërmen në mëngjes, policët serbë, të stacionuar në Fabrikën e Municionit, në shenjë hakmarrje për turpin në disfatën e pësuar në Prekaz, kishin vrarë punëtorin Hysen Manxholli, nga Mikushnica.
Edhe kësaj radhe forcat serbe ishin thyer me turp. Ishte hera e dytë, që policia serbe po humbiste betejën me luftëtarët çlirimtar të Adem Jasharit. Beogradi pushtues po përgatitej për luftë e për ta sulmuar Drenicën, bastionin e qëndresës dhe Kullën e pamposhtur të Jasharëve në Prekazin e trimërisë shekullore shqiptare. Ndërkohë, drejt kësaj kulle kishin mësyrë mijëra liridashës. Masa e madhe e njerëzve shkonte për të parë dhe për t’u bindur për krejt çka po ndodhte në Drenicë. Pas kësaj ngjarje, Kullën e Shaban Jasharit e vizitojnë sa e sa gazetar, politikanë dhe njerëz orientimesh të ndryshme. Shaban Jashari priste miq dhe u thoshte: “Nuk kemi ku të shkojmë më tej. Kur sulmohet shtëpia, meshkujt, po besa edhe gratë, kanë për detyrë ta mbrojnë nderin e shtëpisë, sepse nderi i shtëpisë është edhe nderi i atdheut”.