Familja Balaj e Gllarevës, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë tre dëshmorë: Sylë Ali Balajn, Idriz Halil Balajn dhe Milazim Musli Balajn. Ata, luftuan dhe qëndruan trimërisht, në mbrojtje të tokës arbërore, në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
Dëshmori Sylë Balaj u lind më 10 tetor të vitit 1961 nga prindërit Ali e Mejreme Balaj. Ai ishte fëmija i parë në familje.
Aliu dhe Mejremja lindën e rriten me kujdes e plot dashuri 9 fëmijë: Sylën, Eminin, Hasanin, Zelihanë, Fatimen, Fejzën, Florijen, Tafën dhe Enverin.
Syla kreu shkollën fillore me sukses të shkëlqyer. Edhe pse me kohë e kishte regjistruar vitin e parë të gjimnazit ‘‘Luigj Gurakuqi’’ në Kijevë, gjendja e rëndë sociale e familjes shumanëtarëshe, bëri që ta braktiste shkollën dhe të marrë rrugën e mërgimit. Larg familjes, por me qëllim për ta ngritur atë qëndroi njëzet vjet ku punoi pa ndërprerë dhe ndihmoi familjen e tij. Gjatë punës në mërgim kishte arritur të bëhej teknik i ndërtimtarisë dhe këtë profesion e ushtroi me sukses.
Dëshmori, Sylë Balaj ishte një djalë me një energji të pashuar për jetën, ishte i shkathët dhe i pashëm, e pëlqente natyrën, ishte mjeshtër i përpunimit të drurit, me të cilin i rregullonte mjetet e punës së bujqësisë.
Syla kishte vullnet të madh për punë. Në kurbet kishte arritur të takohej dhe të njihej por edhe të vepronte me veprimtarë të shumtë të çështjes kombëtare si në Kroaci, Slloveni, në Mal të Zi e gjetiu.
Me kohë kishte dhënë kontribut në mobilizimin e forcave të reja kundër padrejtësive që i bëheshin popullit të tij në Kosovën e robëruar. Në vitet e ’90-të të shekullit 20, bashkë me dhjetëra atdhetarë, që jetonin në Kroaci bëhen anëtarë të organizatës kroate HDZ, e cila kishte në program çlirimin dhe pavarësinë e Kroacisë nga ish-RSFJ. Po ashtu ai me bashkëveprimtarë angazhohet në mbrojtjen e interesave të popullit shqiptar të Kosovës, pasi pushtuesi serb Kosovës ia kishte suprimuar autonominë dhe i kishte pezulluar të gjitha të drejtat për punë, arsim dhe ekzistencë . Pas vitit 1992, Sylë Balaj kthehet në Kosovë dhe vazhdon punën e jetën me vëllezërit e tij në Gllarevë, e cila për shumë vjet rresht i kishte mbajtur në gjirin e vet eshtrat e Komandantit të Lëvizjes së armatosur, Azem Bejtë Galica, bashkë me porosinë e tij, për të mos ia ndalur kurrë luftën pushtuesit serb.
Asokohe, Sylë Balaj merrej kryesisht me punë bujqësie dhe me nxjerrjen e gurëve simetrikë e dekorativë, që ishin burim i vetëm për jetë për afër 30 anëtarë të familjes së tij të gjerë.
Jugosllavisë së atëhershme, asokohe kishte ardhur fundi dhe rezultat i fillimit të shpërbërjes dhe shkatërrimit ishte edhe fillimi i luftës në Slloveni, pastaj në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Ajo gjendje shpërthyese në shpërbërjen e plotë të Jugosllavisë, më në fund u manifestua edhe në Kosovë. Në fund të vitit 1997 Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli publikisht dhe filloi të mbushë radhët fillimisht në Drenicë e në Dukagjin dhe më pas në krejt Kosovën. Në atë luftë radhiteshin djemtë dhe vajza me të mira të kombit.
Atdhetarë të shumtë si Sylë Balaj kishin ardhur në Kosovë për t’u rreshtuar përkrah komandantit Adem Jashari, të vetëdijshëm se për liri doemos duhej luftuar sepse lirinë nuk e sjellin vetëm fjalët e kërkesat e drejta, por mbi të gjitha duhet derdhur gjak, meqë ajo është shumë e shtrenjtë.
Në fillim të angazhimit në radhët e UÇK-së Sylë Balaj rreshtohet në Gllarevë si pjesëtar i Brigadës 113 ‘‘Mujë Krasniqi’’ të Zonës Operative të Drenicës. Si atdhetar i përkushtuar dhe ushtar i përgjegjshëm ai dha kontribut të çmuar për lirinë e atdheut, duke marrë pjesë në shumë beteja si në: Gllarevë, Rixhevë, Dobërdol, Zabergjë, Çabiq, Ujëmir, Açarevë, Murgë, Obri, Golloboc, Likofc dhe Terdevc e kudo tjetër që kishte nevojë.
Sylë Balaj iu bashku radhëve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së së bashku Musli Balajn dhe kushëririn e tij, Idriz Balaj. Ata bien heroikisht më 26 shtator të vitit 1998 në grykë të Vuçakut, komuna e Drenasit (ish-Gllogovc). Syla la pas vetes bashkëshorten, Fetijen, dhe bijat: Lenditën, Sofijen, Donjetën, si dhe djalin, Endrimin.
Në vendin e quajtur, Vuçak, aty ka kanë rënë dëshmorët: Sylë Balaj, Idriz Balaj dhe Milazim Balaj, tani valon flamuri kuqezi mbi lapidarin e lirisë, ku janë skalitur emrat e tyre, ndërsa trupat u prehen paqësisht në varrezat e fshatit Gllarevë. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …