Gjatë luftës çlirimtare, luftëtarët e UÇK-së, dëshmuan se trimëria e heroizmi nuk matet me kufij moshe. Për këtë dëshmojnë dhjetëra raste të angazhimit, të qëndresës e të rënieve heroike, të luftëtarëve që sapo kishin mbushur 16 apo 17 vjeç, siç është rasti me dëshmorin Sylë Bezeraj. Në këtë luftë, në altarin e lirisë,bie dëshmori Sylë Bezeraj, ndërkaq vriten nga forcat ushtarako-policore serbe, martirët Januz Bezeraj, babai i dëshmorit, Muhamet Bezeraj, axha i dëshmorit, dhe kushëriri, Hazir Bezeraj, të cilët edhe sot e kësaj dite konsiderohen të zhdukur, ashtu sikurse edhe shumë bashkëfshatarë të tjerë.
Sylë Bezeraj u lind më 25 nëntor të vitit 1981. Prindërit Januz e Halime Bezeraj kishin shtatë fëmijë: katër djem dhe tri vajza. Syla ishte fëmija i katërt me radhë.
Shkollën fillore e mbaroi në Kryshec, ndërsa shkollimin e mesëm e vazhdoi në Baran. Si nxënës i vitit të tretë, la bankat shkollore dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vijat e frontit, më 13 shkurt 1999, si ushtar i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, në Maznikë. Vëllai i tij, Shkëlzeni, ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së, më 9 prill 1998, ku së bashku me disa bashkëfshatarë të tjerë shkoi në Shtabin e UÇK-së në Gllogjan. Aty së bashku me bashkëfshatarët Bujar Shala (dëshmor) dhe Nexhat Gashi, i kryen stërvitjet ushtarake nën përkujdesjen e komandantit Bedri Shala (dëshmor). Pas mbarimit të stërvitjeve mori pjesë në shumë beteja, si në Baballoç, Prejlep, Loxhë, Çeskovë, Shqiponjë, Gllogjan, Junik, etj. Ishte edhe për furnizim me armatim për fshatin Rashiq.
Kur Shkëlzeni, ishte kthyer nga Shqipëria, Syla që atëherë kishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjet, por që dëshironte të bëhej ushtar i UÇK-së, i drejtohet: “Vëlla, a ka edhe një pushkë për mua?”. Ky ia kthen: “Pushkë po, por duhet ta mbash”. – “Do t’ia dëgjosh krismën”, ishte shprehur Syla.
Një ditë shkurti, Syla kishte vendosur që të shkonte në frontet e luftës… Nuk mund të priste më. Kishte lënë gjithçka mënjanë dhe së bashku me djemtë e axhallarëve, Besartin e Astritin, ishte nisur drejt Shqiponjës, për t’u sistemuar në radhët e UÇK-së. Pas sistemimit në Kompaninë e Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, Syla bashkëveproi me shumë shokë e bashkëluftëtarë, e veçanërisht me Besartin e Astritin, vëllezërit Adem e Agim Islamaj, Bujar Çelaj, Demë Gashi, Zhujë Shala etj.
Syla ishte shumë i çiltër, i afërt e i respektueshëm me shokë, të gjithë e donin dhe i donte. Ishte përkrah luftëtarëve më me përvojë në luftimet e zhvilluara kundër forcave serbe. Gjatë muajve mars-prill 1999, mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Lumbardh, Pozhar, Shqiponjë, Zhebel, etj. Atëherë kur lufta zhvillohej në shumë fronte në Rrafshin e Dukagjinit, vjen edhe dita e lavdisë së dëshmorit Sylë Bezeraj, më 15 prill 1999 në Maznikë. Dëshmori u varros në malet e Maznikut. U rivarros më 24 gusht 1999, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit, duke u bërë gurthemel i lirisë e pavarësisë.
Familja e dëshmorit Sylë Bezeraj është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit, Kuvendi Komunal i Pejës, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së etj. (F. R.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …