Në kujtesën historike të sotme shpesh harrojmë se veprimet kriminale të grupeve si ISIS, të cilat për një kohë të gjatë dominuan ciklin e lajmeve në televizion dhe në internet, nuk janë fenomene të izoluara apo të paprecedente në historinë njerëzore. Në të vërtetë, aftësia e njeriut për të ushtruar dhunë sistematike dhe mizori masive është një element tragjik që përsëritet ndër shekuj – nga kryqëzatat dhe inkuizicioni, te Holokausti, gjenocidi në Ruandë dhe krimet në ish-Jugosllavi. Kjo është një histori e gjatë, e errët dhe e turpshme.
Ish-prokurori kanadez, Eliott Behar, ofron një dëshmi të fuqishme për këtë trashëgimi të dhunshme përmes librit të tij “Tregoji botës” – një kujtim i shkruar me mjeshtëri, që përshkruan përvojën e tij dyvjeçare si pjesë e ekipit ndërkombëtar që hetoi dhe gjykoi krimet e luftës në Ballkan.
Përmes zërave të dëshmitarëve, viktimave dhe autorëve që dëshmuan në Hagë, Behar ndriçon realitetin e dhunës në Kosovë. Me një vështrim të mprehtë mbi drejtësinë penale ndërkombëtare, ai eksploron shkaqet dhe pasojat e mizorive duke ekspozuar lidhjen shqetësuese midis padrejtësive të kryera dhe drejtësisë që shpesh vjen shumë vonë.
Historia familjare si pikënisje
Autori, edhe pse me origjinë kanadeze, kishte një lidhje të veçantë me Ballkanin, sepse babai i tij ishte rritur në Stamboll, duke qenë se familja e tij, si pjesë e minoritetit hebraik që jetoi mes shumicës absolute myslimane, pati mundësi të njihte të kaluarën tragjike të popujve të Ballkanit dhe të bënte paralele me të kaluarën e këtij komuniteti në kohën e nazizmit gjerman. Pastaj familja e tij do të shpërngulet në Izrael dhe prej andej në Amerikën Veriore, përkatësisht në Toronto. Sikurse shumë familje hebraike, ana e nënës së tij, me prejardhje nga Polonia, ishin tmerruar thellësisht nga Holokausti. Këto fakte nga përvoja tronditëse nga Lufta e Dytë Botërore do të linin gjurmë në formimin e Eliott Beharit. Ngjarjet e Holokaustit kishin nxitur shumë kureshtje tek autori i librit derisa ai rritej.
“Kisha lexuar shumë për to. Ishin të mbijetuarit si Elie Wisel dhe Primo Levi, që dukej se e kishin dhuntinë për të kapur çnjerëzimin e zhveshur të asaj që kishte ndodhur”, thotë Behar. Megjithatë, përherë pati një shkëputje ndërmjet ngjarjeve gjatë Holokaustit dhe jetës së tij reale në Kanada. Ai pyeste veten si ishte e mundur që gjërat si kjo të ndodhnin dhe si do të mund të parandaloheshin. Kur u angazhua për t’i ndjekur krimet e luftës në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), më 2008, ai nisi të vërente ndikimin e madh të shumë prej elementëve paraardhëse historike që kishin influencuar në jetën e tij. Holokausti dhe historia e Perandorisë Osmane dhe shumë nga çështjet kyç në lidhje me psikologjinë e viktimizimit dhe të frikës, si dhe fuqinë e qenies njerëzore që të marrë drejtësinë në dorë. Është interesant fakti se edhe titulli i këtij libri “Tregoji botës” erdhi nga fjala e fundit e Milos Radnotit, një hebre hungarez, shkrimtar i pasionuar dhe që pati fatin e keq që pjesën më kryesore të jetës ta jetonte në Hungari gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur nisi faza më e keqe hungareze e Holokaustit. Pas luftës trupi i Radnotit u zhvarros nga një varrezë masive. Bashkëshortja e tij i gjeti në xhep disa poezi që kishte shkruar para se të vdiste.
Libri i E. Behar nuk përmban material konfidencial, por jep informacione publike nga gjykimi i të akuzuarve serbë për krimet e luftës së Kosovës: masakrat e Izbicës, Suharekës, Qyshkut, Gjakovës, Podujevës dhe për fshehjen e kufomave të shqiptarëve të ekzekutuar në Liqenin Peruçac, Petro Selo, përmes të cilave autori ka shpjeguar ngjarje specifike në gjykime të hapura, transkriptime të dëshmive të dëshmitarëve, në një vistër provash materiale që përdoren si dëshmi, si dhe në aktgjykime përfundimtare.
Ky libër mbështetet në provat dhe dokumentet e vëllimshme, me mijëra faqe dhe që përfshijnë një vistër materialesh të shoshitura deri në detaje. Autori është kujdesur që t’i bëjë përshkrimet në përputhje me gjetjet e gjykatësve dhe për të trajtuar një sërë ngjarjesh që u gjykuan në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë: spastrimi etnik në Kosovë, si dhe operacioni sekret serb që ishte ndërmarrë për t’i fshehur këto krime nga sytë e botës. Ajo që përshkruhet në libër është mbështetur mbi rrëfimet e dëshmitarëve, të cilët ishin paraqitur në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), ku Eliott Behar punoi si njëri nga anëtarët e ekipit të prokurorëve, për të treguar atë që kishin parë, dëgjuar apo përjetuar.
Trekëndëshi i çështjeve të rëndësishme
Krahas këtyre rrëfimeve autori është përpjekur të hulumtojë tri çështje të rëndësishme e të ndërlidhura: se si ndodhën këto ngjarje; si është e mundur që njerëzit të zhyten në një dhunë të tillë të paimagjinueshme dhe si përshtaten përpjekjet e prokurorëve në gjyqësinë penale ndërkombëtare brenda këtij konteksti të gjerë.
Duke u marrë me këto ngjarje, autori vëren se rrëfimet e dëshmitarëve mund të çojnë në dy drejtime krejt të kundërta. Nga njëra anë, në kërkim të drejtësisë te një gjykatë ndërkombëtare, nevoja që shumë nga viktimat të flisnin për atë që u kishte ndodhur. Nga anë tjetër, përgjigjja ndaj veprave të tilla të tmerrshme të çnjerëzimit nuk ishte vetë ndjekja e kryerësve, por edhe, si çështje kyç, që këto rrëfime të dëgjoheshin.
Pas përfundimit të Luftë së Ftohtë, Jugosllavia shumëkombëshe filloi të shpërbëhej në mënyrë të dhunshme për shkak të agresionit dhe synimeve për krijimin e Jugosllavisë centraliste që nënkuptonte Serbinë e madhe. Kjo shpërbërje përfundoi në një seri luftërash brutale që përfshinë Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën. Bota u trondit nga pamjet e masakrave, të kampeve të përdhunimit, nga kriza e refugjatëve që zhvendosi miliona njerëz dhe nga shkatërrimi i monumenteve historike e kulturore të rëndësishme evropiane, si dhe nga fushatat e pastrimit etnik.
Në përpjekje për të sjellë drejtësi dhe për të vendosur përgjegjësi për këto krime ndëretnike, Këshilli i Sigurimit në maj 1993 themeloi Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë. Ky institucion kishte për qëllim ndjekjen penale të atyre që mbanin përgjegjësi komanduese për disa nga aktet më të rënda të dhunës dhe spastrimet etnike në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky tribunal do të ishte i pari institucion i drejtësisë ndërkombëtare për krime të luftës që nga koha e Nurembergut dhe Tokios, që u themelua pas Luftës së Dytë Botërore – një veprim besimi i papritur dhe ambicioz në të drejtën ndërkombëtare dhe në parimet e të drejtave të njeriut. Tribunali ndërkombëtar do të mbështetej në njërin nga parimet thelbësore të së drejtës ndërkombëtare për t’i gjykuar katër kategori të gjera krimi: “shkeljet e rënda” të Konventës së Gjenevës të vitit 1949 (neni 2), shkeljet e ligjeve e zakoneve të luftës (neni 3), gjenocidi (neni 4), dhe krimet kundër njerëzimit (neni 5). Këto ishin dhe janë krimet më të rënda që i njeh ligji. Por Behar, si pjesë e këtij procesi të ndërlikuar dhe shpesh të dhimbshëm, thekson se Tribunali i Hagës u pengua në çdo hap nga Kroacia dhe Serbia – sidomos kur kishte të bënte me hetimet apo ndjekjet e shtetasve të tyre.
Dimensioni autentik dhe bindës
Një nga pikat më të forta të librit është përdorimi i burimeve të ndryshme, si raporte të Kombeve të Bashkuara, dokumente të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës, intervista me viktima dhe dëshmitarë, si dhe burime të tjera që ofrojnë një pasqyrë të pasur të ngjarjeve. Kjo ia jep librit një dimension autentik dhe bindës duke e bërë atë një dëshmi të rëndësishme për ata që janë të interesuar në drejtësinë ndërkombëtare dhe krimet e luftës. Për më tepër, libri ngre pyetje mbi natyrën e drejtpërdrejtë të drejtësisë ndërkombëtare dhe vendimet që shpesh janë të ndikuara nga faktorë të jashtëm që kanë lidhje me strategjitë politike dhe diplomatike, që mund të minojnë efektivitetin e kësaj drejtësie.
Behar pohon se gjykimi penal ndërkombëtar fillon vetëm atëherë kur të gjitha mekanizmat e tjerë kanë dështuar. Kur një shtet ka kryer krime masive – përfshirë vrasje, dhunime, dëbime dhe gjenocid – dhe bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të ndërhyjë në kohë për t’i ndalur. Në këto raste shteti ku janë kryer krimet jo vetëm që ka dështuar t’i sjellë autorët para drejtësisë, por shpeshherë ka mohuar edhe vetë ekzistencën e këtyre krimeve, duke refuzuar të pranojë padrejtësinë e asaj që ka ndodhur.