Dr. Sylë Ukshini

Sylë Ukshini: Fehmiu dhe Xheva kishin një jetë dhe një flijim të jashtëzakonshëm I

Më 22 shtator 2021  u  mbushen 23 vjet nga rënia heroike e Fehmi Lladrovcit dhe e bashkëshortes së tij Xhevë Krasniqit – Lladrovci

„Më e shtrenjtë është liria se sa jeta. Të gjithë luftëtarët e UÇK-së janë të vetëdijshëm se pushkën e kanë marrë në duar që të vdesin për lirinë e Kosovës dhe asnjë nuk do ta kursejë jetën. Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor “,  kishte deklaruar me një buzëqeshje të veçantë Fehmi Lladrovci, në një intervistë me gazetarin e BBC-së. Kjo intervistë është botuar në zonën e Drenicës, në rajonin që asokohe kontrollohej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Fragmente nga kjo intervistë janë transmetuar në emisionet e shtëpisë televizive britanike, BBC në maj të vitit 1998. Ishte një gjuhë dhe një buzëqeshje e veçantë e Fehmiut që paralajmëronte beteja, një buzëqeshje e cila u bë himnizuese e luftës së madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, formacionit më të suksesshëm gueril në Evropën Juglindore që nga përfundimi i Luftës së dytë Botërore.

“Nuk i kemi marrë armët në dorë nga dëshira, por kjo është një domosdoshmëri. Pa një organizim të këtillë askush nuk do të na dëgjojë, as Evropa, as SHBA-të”, deklaronte Fehmiu me një vendosmëri dhe guxim të rrallë, duke shtuar gjithashtu “UÇK-ja nuk pajtohet me asnjë zgjidhje, përveç pavarësisë së plotë të Kosovës”.

Koha dhe ngjarjet që u zhvilluan në Kosovë dhe rreth saj konfirmuan se sa të drejtë kishte pasur Fehmiu dhe se sa largpamës ishte treguar ai, i cili herët kishte filluar të besonte se Kosova pashmangshëm do të bëhej e lirë dhe e pavarur dhe ata idealistët së ai të cilët kishin rrokur armët për ta bërë njëmendësi këtë besim.

              Pa dyshim Fehmi, ashtu si bashkëshortja e tij, Xheva,  pati një jetë e jashtëzakonshme. Po aq e jashtëzakonshme ishte edhe rënia e tij heroike së bashku me bashkëshorten gjatë një ofensivën masive të ushtrisë dhe policisë serbe më 22 shtator 1998. Siç do të shkruante më vonë revsita e njohur gjermane “Der Spiegel”, rrethanat në të cilat Fehmiu u vra nga forcat serbe përbënin një material për një epikë heroike që do t’u bartet brezave të ardhshëm: “Ushtarët e Ladrovcit nuk donin ta linin pa ndihmë udhëheqësin e tyre të plagosur rëndë, kur forcat serbe po marshonin përpara. Por, luftëtari  që po vdiste u kërkoi bashkëluftëtarëve të tij të largoheshin menjëherë, thanë ata më vonë. Vetëm gruaja e tij, gjithashtu luftëtare e UÇK -së, refuzoi të largohej, qëndroi. Ajo u vra pranë burrit të saj.” (Der Spiegel: “Bereit zum Heldentod”, 20.12.1998).

Shumëçka që ndodhi në Kosovë në muajt në vijim gjatë viteve në vijim i dha të drejtë dhe konfirmoi paralajmërimet e Fehmiut. Pas ofensivës serbe të verës dhe vjeshtës së atij viti ndodhi riorganizimi i UCK-së, duke u ndarë territorin e Kosovës në Zona operative, ndërsa në Prishtina Adem Demaci, përfaqësues politik i UCK-së, hapi zyrën e tij, e cila u bë një dritare e madhe e komunikimit me gazetarët vendorë dhe mediumet dhe diplomatët ndërkombëtarë. Si rrjedhojë, Perëndimi njohu rolin e kësaj guerile shqiptare, i dërguar amerikan Richard Holbrroke u takua në Junik me pjesëtarët e UCK-së, ndërsa Wolfganga Petritsch, vendosi komunikime të rregullta për përfaqësuesit dhe komandantët e saj më të lartë. Në këtë mënyrë, pas masakrës serbe mbi civilët shqiptarë në Recak, ngjarje kjo që shënoi kthesën vendimtare për angazhimin ushtarak ndërkombëtar dhe evitimin e një Bosnje të Dytë, Grupi i Kontaktit organizoi Konferencën e oparë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës. Ishte ky shansi i fundit i diplomacisë ndërkombëtare të cilin Beogradi e refuzoi si mundësi për arritje e një zgjidhjeve diplomatike për Kosovën. Në horizont nuk kishte asnjë zgjidhje alternativë. NATO-ja vendosi për nisjen e sulmeve ajrore kundër infrastrukturës ushtarake dhe represive serbe në Kosovë, Serbi dhe gjetiu. Për shumë ekspert të së drejtës ndërkombëtare, lufta e Kosovës dhe angazhimi ushtarak i NATO-s shërbeu si indikator i zhvillimit ët së drejtës ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, kjo ngjarje hapi shtegun e pakthyeshëm për ecjen e Kosovës drejt statusit të pavarësisë.  Dhe pas 9 viteve të administrimit civil dhe ushtarak ndërkombëtar në Kosovë, më në fund, ndodhi shpallja e pavarësisë së Kosovës, e cila ishte kontribut dhe konfirmim i angazhimeve dhe sakrificës së idealistëve të fjalës dhe të pushkës, si Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortja e tij, Xheva.

Angazhimi i gjatë politik

Fehmiu hyri në skenën politike të Kosovës në fund të viteve 70-të të shekullit XX, kur filluan të formësohen kërkesat politike të shqiptarëve të Kosovës për statusin e republikës, të cilat kulmuan me demonstratat masive të studentëve shqiptarë në Universitetin e Prishtinës, i cili u bë shtrati i ndërgjegjësimit dhe emancipimit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ngjarjet e vitit 1981 u bënë shkak për marrjen e një sërë masash represive mbi arsimin dhe inteligjencën shqiptare. Ndaj Kosovës pasuan vite të errëta: qarqet shoviniste të Beogradit, duke filluar sidomos nga periudha e demonstratave të vitit 1981, në emër të rikorrigjimit të padrejtësisë historike“ të çështjes serbe e më pas, zbatuan i dhunë të egër mbi popullin shqiptar e në mënyrë të veçantë mbi bartësit e lëvizjes kombëtare. Por, sa më shumë thellohej ky represion i pushtetit represiv të Beogradit, po aq shumë fuqizohej edhe aksioni politik i rinisë shqiptare, në Kosovë dhe në qendrat tjera të Jugosllavisë së atëhershme. Në këtë periudhë, Fehmiu, krahas studimeve në Universitetin e Zagrebin, në Fakultetin e Makinerisë, vazhdoi veprimtarinë e tij kombëtare-politike kundër politikës shkombëtarizuese të Beogradit.  Ai kishte qenë në të njëjtin grup politik, LPRK, së bashku me Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Mehë Ukën, Shaban Shalën, Ali Ahmetin etj., duke qenë njëri ndër drejtuesit kryesorë të grupeve ilegale studentore që vepronin në Zagreb dhe në Sarajevë dhe i lidhur së afërmi me Ahmet Haxhinë-Bacën dhe shokët e tij. Për dalim nga shumë veprimtarë politik, Fehmiu gjithmonë në angazhimin e tij politik nuk e përjashtoi luftën e armatosur si opsion kundër pushtimit të gjatë serb. Prandaj, jo rastësisht,  në prill të vitit 1985 Fehmiu u emëruar Sekretar për Çështje Ushtarake në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës.

Dhe sapo i ishte përveshur punës për konsolidimin e strukturave ilegale të LPK-së dhe unifikimit të grupeve ilegale në një frontë të përbashkët, sigurimit shtetëror jugosllav, i cili me rreptësi po ndiqte çdo aktivitet të familjeve të njohura të rezistencës kombëtare, në nëntor të të njëjtit vit e burgosi Fehmiun dhe bashkëveprimtarët e tij, të cilët më pas u dënuan sipas instruksioneve të strukturave të Lidhjes Komuniste në Prishtinë dhe në Beograd. Edhe ose u dënua me 11 vite burg, ai asnjëherë nuk hoqi dorë nga synimet e tij politike. Nga Burgu i Qarkut të Prishtinës u dërguan në burgjet e Kroacisë, në fillim në Lepogllavë, pastaj në Staragradishë, ku qëndroi deri sa përfundoi nga amnistia e shpallur nga shteti i ri kroat.

Por, kur u lirua Fehmiu dhe shumë bashkëveprimtarë u liruan nga burgu, Kosova ndodhej në një gjendje edhe më të rëndë se në kohën kur ishte burgosur, Serbia kishte shfuqizuar autonominë e Kosovës, ndaj shqiptarëve kishte filluar një përndjekje kolektive. Në ndërkohë, për shkak se Sllovenia dhe Kroacia kishin deklaruar pavarësinë nga federata jugosllave, në këto dy republika perëndimore filloi agresioni ushtarak serb. Ishte ky një paralajmërim se opsion i luftës ishte i pashmangshëm edhe në Kosovës, madje Fehmiu vazhdimisht dhe zëshëm pohonte se ky ishte e vetmja mundësi për realizimin e pavarësisë së Kosovës. Si rrjedhojë, ai pasi së bashku me bashkëshorten e tij të pandashme, Xhevën, pasi mori pjesë në luftën çlirimtare të shtetit kroat, ishte figura kryesore në radhët e LPK-së që u angazhua për formimin e formacioneve të para guerile të UÇK-së. Me angazhimin e tij, në Kroaci qe formuar edhe një grup i shqiptarëve të armatosur prej 300 deri 500 shqiptarësh, të cilët, pasi do t´i përgatiste mire, do t´i kthente në Kosovë për të filluar rezistencën e armatosur.

rrjedhimisht, kur në vitin 1991 u dukën xixat e para të rezistencës së armatosur antiserbe nën drejtimin e Adem Jasharit, Fehmi Lladrovci ishte optimist se kjo rezistencë e filluar do të rritej e zgjerohej deri në largimin definitiv të forcave serbe nga Kosova. Fehmi Lladrovci ishte në kontakt të vazhdueshëm me Adem Jasharin, dhe në çdo mënyrë e ndihmonte rezistencën e tij që bënte në Kosovë. Aktiviteti i tij u bie në sy njerëzve të shërbimit sekret serb, të cilët do ta ndjekin Fehmiun në çdo hap, ndaj ky atdhetar, për të mos rënë në duart e tyre, u detyrua të largohej jashtë Kosovës dhe të vendoset në Gjermani, ku vazhdoi aktivitetin e tij në mesin e mërgimtarëve tanë.

Zhvillimet dramatike në Kosovë në fundvitin 1997 dhe në fillimvitin 1998 u bënë tepër dramatike, prandaj Fehmiu me shokë bënin përpjekje që para publikut evropiano-perëndimor të prezantonin dhe të bënin edhe më të njohura kërkesat e popullit shqiptar dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë arsye organizoi takime, konferenca me gazetarë dhe diplomatë perëndimorë e shqiptarë, me ç ´rast  shprehte vendosmërinë e luftëtarëve të lirisë për të vazhduar luftën e armatosur dhe shprehte qëndrimin se zgjidhja e problemit nuk mund të paramendohej derisa në Kosovë të mbetej qoftë edhe një grusht i vogël ushtarësh apo policësh serbë.

Por, nevoja e zgjerimit dhe konsolidimit të forcave njësiteve të armatosura të Kosovë, shtruan nevojën e kthimit në atdhe të shumë veprimtarëve të njohur politik. Fehmiu nuk ishte nga ata që bënte vetëm thirrje për luftë, nuk i interesonte fati personal, por, ashtu siç e kishte deklaruar gjithmonë, ai u tregua edhe i gatshëm që të vinte në krye të saj, të luftonte dhe të flijohej për atdheun. Edhe përkundër këmnbënguljes të një pjese të udhëheqjes së LPK-së jashtë vendit që Fehmiu të qëndronte për cështje organiztive jashtë vendit, ai me vendosmërinë e tij të pathyeshshme mori vendim që të nisej për në frontet e lluftës në ë Kosoëvs.  Pasi kishte përballuar me sukses rreziqet në brezin kufitar Shqipëri-Kosovë, Fehmi Lladrovci i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Xheva, e shumë bashkëluftëtarë rë tjerë,  arrin në Drenicë. Në fillim vendoset në Açarevë, ndërsa më pas në Likoc dhe në fshatrat përreth. ku ai i dha shtytje edhe më të mëdha konsolidimit të luftës çlirimtare dhe shpejt u bë figura më e njohur në radhët e UÇK-së, duke tërhequr edhe vëmendjen e shtypit ndërkombëtar. Ndërsa intervista e tij me BBC në maj të vitit 1998 u bë një himn mobilizues për secilin shqiptar në Kosovë dhe në diasporë.  Për shkak të eksperiencës luftarake në Kroaci dhe shpirtit të tij luftarak, ai u emërua komandant i Brigadës 114 të UÇK-së.

Hasan Kodra, e kujton Fehmiun si njërin nga komandatët më në zë që kishte UÇK-ja, si njeriun, pedagogun dhe psikologun, e cili, pos të tjerash, kishte aftësi për t´i  bërë për vete njerëzit.

Tipar tjetër  i këtij atdhetari të devotshëm ishin guximi i rrallë dhe modestia e pashoqe. Që në momentin e rreshtimit në radhët e UÇK-së ishte betuar se do të vdiste për lirinë e Kosovës. Këtë gjë e kishte pohuar edhe në një intervistë për kanalin televiziv BBC  Ëorld, të cilën atëbotë e botoi edhe e përditshmja kosovare në gjuhën shqipe „Koha ditore „.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit anglez „nëse je i gatshëm të vdesësh për lirinë e Kosovës ? “ Fehmiu, me një buzëqeshje karakteristike dhe me plot vendosmëri do të përgjigjet si prej grykës së pushkës: “ Me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta”.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …