Mos)uniteti i BE-së ndaj Kosovës (1)
Pikërisht mungesa e një konsensusi brenda BE-së lidhur me Kosovën e vështirësoi vendosjen e EULEX-it në terren, respektivisht vështirësoi rikonfigurimin e UNMIK-ut, duke e inkurajuar Beogradin që ta pengojë implementimin e Planit të Ahtisaarit edhe në veri të Kosovës. Mosuniteti i BE-së inkurajoi edhe Rusinë që ta refuzonte kalimin e Planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, që nënkuptonte dhe abrogim të Rezolutës 1244, edhe pse sekretari i atëhershëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, kishte dhënë një rekomandim të qartë në mbështetje të propozimit të Ahtisaarit
Vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Këshilli i Bashkimit Evropian e mori parasysh këtë fakt dhe theksonte se shtetet anëtare të BE-së do të vendosin marrëdhënie me Kosovën në pajtim me praktikat e tyre dhe të drejtën ndërkombëtare. Këshilli i BE-së po ashtu shprehte qëndrimin se Kosova është një rast i veçantë, sui generis. Por, njëkohësisht në këtë takim, vendet evropiane shpërfaqën një qëndrimin jo unik ndaj Pavarësisë së Kosovës, të adresuar mbi bazën e Planit Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit. Duke dashur të evitonte përçarjen e brendshme, Këshilli i BE-së vendosi të mos pozicionohej lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Këtë mosunitet e kishte hetuar Rusia, kur në samitin e G8 në Heiligendammm 2007 u largua nga parimet e njohura të Grupit të Kontaktit për statusin e Kosovës, edhe pse thuhet se Merkel bëri përpjekje të kota për ta bindur presidentin rus për avantazhet e Planit të Ahtisaarit. Në këtë kontekst, presidenti Sarkozi kishte propozuar asokohe një shtyrje gjashtëmujore të rezolutës së KS-së të OKB-së.
Prandaj, ata që dizajnuan Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, qëllimisht përdorën referencën në Rezolutën 1244 të KB-së. Për këtë arsye, OKB-ja ose UNMIK-u mbetën neutrale. Sidomos pas pozicionimit të qartë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, shumica e vendeve anëtare përfaqësonin pikëpamjen se Pavarësia e Kosovës nuk binte ndesh me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe me të drejtën ndërkombëtare. Si preventivë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, BE-ja bënte thirrje për respektimin e parimeve ndërkombëtare të Helsinkut.
Për dallim nga shtetet e tjera, pesë vendet anëtare: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja e kundërshtuan njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Madje këtë qëndrim nuk e ndryshuan as pas opinionit juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili ngjashëm si dokumenti i Ahtisaarit e përjashtonte mundësinë e ndërlidhjes së Pavarësisë së Kosovës me lëvizjet e ndryshme separatiste në rajone të ndryshme të botës. Megjithëse ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së ranë dakord për ta përcaktuar Kosovën si një rast “sui generis” me qëllim që t’i hapej rrugë procesit të njohjes, qëndrimi i pesë vendeve kundërshtuese nuk ndryshoi deri më sot. Natyrisht, ky qëndrim jounik brenda shteteve anëtare e dobësonte, jo vetëm etablimin e suksesshëm të Perëndimit në Kosovë dhe në rajon, por njëkohësisht e dobëson rolin e politikës së jashtme evropiane në skenën ndërkombëtare.
Fakti që BE-ja nuk flet me një zë, nuk dihet nëse ndonjëherë në Bruksel ka pasur përpjekje serioze për të ndikuar te pesë vendet anëtare, për ta ndryshuar qëndrimin për Kosovën. Më i rëndësishëm se shqetësimi për aspiratat secioniste në vendet e tyre, në Katalonjë, në Baskë, në veriun e Qipros turke, është solidariteti midis vendeve me shumicë krishtere-ortodokse ose ndonjë konsideratë tjetër gjeopolitike me Serbinë. Vetëm Greqia, për dallim nga katër vendet e tjera anëtare ka ndërtuar lidhje të ngushta me Kosovën, por pa njohje.
Dhe pikërisht mungesa e një konsensusi brenda BE-së, lidhur me Kosovën e vështirësoi vendosjen e EULEX-it në terren, respektivisht vështirësoi rikonfigurimin e UNMIK-ut, duke e inkurajuar Beogradin që ta pengojë implementimin e Planit të Ahtisaarit edhe në veri të Kosovës. Mosuniteti i BE-së inkurajoi edhe Rusinë që ta refuzonte kalimin e Planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, që nënkuptonte dhe abrogim të Rezolutës 1244, edhe pse sekretari i atëhershëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, kishte dhënë një rekomandim të qartë në mbështetje të propozimit të Ahtisaarit.
Sidoqoftë, shefi i OKB-së njoftonte Kosovën dhe Serbinë se zgjidhja e tij ishte praktike dhe neutrale karshi Kosovës, duke njoftuar për qëllimet e tij lidhur me rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në frymën e zhvillimeve të reja në Kosovë. Në këtë kontekst, rikonfigurimi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë ndodhi si kompromis, i cili u arrit mes sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, presidentit të atëhershëm serb dhe përfaqësuesit të Lartë të BE-së, ndërsa duke shpërfillur fare pozicionin e Kosovës. Nga ky moment, EULEX-i u fut nën ombrellën e OKB-së, respektivisht në kuadër të Rezolutës 1244, gjë e cila e limitonte ndjeshëm autonominë dhe funksionalitetin e misionit evropian në Kosovë. Kjo u konfirmua edhe përmes letrës së Ban Ki-Moonit drejtuar Havier Solanës më 13 tetor, përmes saj ai rikujtonte se EULEX-i mund të vendosej në Kosovë vetëm duke iu përmbajtur qasjes së neutralitetit ndaj statusit të Kosovës.
Se a do të bëhet një ditë problematike për Kosovën referenca mbi rezolutën 1244 në deklaratën e pavarësisë të 17 shkurt të vitit 2008, mbetet të shihet. Por, sa më gjatë të mbetet në fuqi dhe sa më gjatë që zgjat procesi i Brukselit, nuk e përjashtoj mundësinë që një ditë të na thuhet, si në rastin e Gjykatës Speciale apo të Asociacionit, përse kundërshtoni tani kur ju vetë në pikën 12 të deklaratës së pavarësisë e keni futur këtë paragraf, në të cilin thuhet decidivisht se Kosova “do të veprojë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999)”.
Ky vendim ishte një zmbrapsje e madhe e BE-së nga mandati fillestar i EULEX-it, i definuar edhe me Planin e Ahtisaarit. Në të njëjtën kohë, ky status i EULEX-it u bë pengesë për vendosjen e rendit dhe ligjit, sidomos në veri të Kosovës, aty ku operonin strukturat ilegale të Serbisë, të cilat në vazhdimësi u mbështetën politikisht dhe financiarisht nga Beogradi dhe u bënë barrierë e integrimit të serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës. Për këtë arsye, shpeshherë pati përplasje mes qeverive të Kosovës dhe misionit EULEX.
Rasti më i rëndë dhe i veçantë ishte ai i 25 korrikut 2011, kur EULEX-i refuzoi aksionin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen nën kontroll të dy pikave kufitare 1 dhe 31 në kufirin verior Kosovë-Serbi, të cilat që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës ndodheshin jashtë kontrollit të autoriteteve shtetërore kosovare dhe ndërkombëtare. Për dallim nga misioni i BE-së, Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO) doli në mbështetje të aksionit të ekzekutivit kosovar. Pozicioni i vazhdueshëm i EULEX-it kundër operacioneve të Qeverisë së Kosovës nga atëherë e deri më sot buron pikërisht te mandati i tij gjysmak, te “neutraliteti ndaj statusit”, që nënkupton se misioni evropian, ashtu si edhe organizatat e tjera ndërkombëtare, e trajton Kosovën si një “çështje” të papërfunduar, pozicion ky koincidon me intencën serbe të përkohshmërisë.
Vendimi i GJND-së, Dick Marty dhe bisedimet pa mbarim
Si në procesin negociues të Rambujesë, edhe në procesin e Vjenës për adresimin e statusit final të Kosovës, Rusia ndoqi të njëjtën metodologji. Ajo kërkoi koncesione të njëpasnjëshme, dhe në fund refuzoi krejt procesin negociues. Edhe pse Moska kishte pranuar parimet e përgjithshme të Grupit të Kontaktit për adresimin e statusit final të Kosovës, të cilat u bënë përcaktuese për misionin ndërmjetësues të Martti Ahtisaarit, në fund të procesit, Moska doli kundër propozimit të Ahtisaarit dhe paralajmëroi se do të përdorte veton e saj për ta penguar miratimin e këtij dokumenti në Këshillin e Sigurimit, që në fakt do të nënkuptonte miratim të një rezolute të re, e cila do të ishte ekuivalent me njohjen universale. Meqenëse Kosova u pengua nga Rusia në Këshillin e Sigurimit, ajo u detyrua të kërkojë njohje individuale, veç e veç, nga shtete të ndryshme të botës.
Nga ana tjetër, kërkesa për një opinion ligjor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë, e iniciuar nga Serbia, u prit me shumë interes nga shtete dhe nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare. Kosova është për herë të tretë brenda një periudhe të shkurtër në qendër të shkencës së të drejtës ndërkombëtare. Diskutimi i parë intensiv mes ekspertëve ndodhi pas ndërhyrjes së NATO-s më 1999. Sërish, filluan diskutime intensive mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
“Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare” – ishte kjo përgjigjja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ndaj kërkesës së Serbisë, që organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të përgjigjet në pyetjen: “A ishte deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.
Kjo fitore e madhe e Kosovës në GJND u amortizua nga dy ngjarje të papritura vetëm pak muaj më vonë: E para ishte miratimi i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 9 shtator 2010 dhe më pas bërja publike e Raportit të senatorit zviceran Dick Marty, me pretendimin për “trafikim organesh nga pjesëtarët e UÇK-së”.
Si rezultat i raportit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 64/298 të paraqitur nga Serbia dhe e bashkësponsorizuar nga vendet anëtare të BE-së. Serbia fillimisht kishte dashur të dënonte shpalljen e njëanshme të pavarësisë dhe të inkurajonte bisedime të reja për statusin, por më pas ra dakord për një draft të ndryshuar që mbështet negociatat me Kosovën dhe nuk përmban më një dënim të shkëputjes së Kosovës.
Rezoluta e OKB-së ua hap rrugën bisedimeve direkte mes të dyja palëve, të parat që kur Kosova shpalli pavarësinë. Njëkohësisht, ajo njohu opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme. Në pikën 2 të kësaj rezolute me një gjuhë ekstensive dhe burokratike thuhej se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së: “Përshëndet gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar një proces dialogu midis palëve; procesi i dialogut në vetvete do të ishte një faktor për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon, dhe ky dialog do të synonte promovimin e bashkëpunimit, arritjen e përparimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve”.
Në fakt, kjo nënkuptonte arritjen e tri qëllimeve madhore të dialogut: integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, normalizimin e gjendjes me popullatën serbe që jeton në veri të Kosovës, e cila për shkak të neglizhencës ndërkombëtare dhe të presioneve politike e financiare të Beogradit mbetet e paintegruar në institucionet shtetërore të saj dhe evropianizimin e Serbisë. Për këto trembëdhjetë vjet, nuk ka ndodhur as njëra dhe as tjetra. Ndërsa, pesë vendet e BE-së dhe Rusia, megjithatë, vazhduan si gjatë procesit të GJND-së, ashtu edhe më vonë, të mbanin qëndrimin e tyre të mëparshëm kundërshtues ndaj Kosovës, e që nënkuptonte edhe minimin e përpjekjeve për etablim të Perëndimit në Kosovë dhe rajon. Në këtë mënyrë, pesëshja mosnjohëse e BE-së hap pas hapi ka arritur të ndërtojë unitetin evropian kundër Kosovës. Kishte vite që BE-ja nuk po fliste me një zë për Kosovën, por ky mosunitet gjithashtu ka ndikuar në përpjekjet evropiane për ndërmjetësim në dialogun Kosovë–Serbi, ose siç i pëlqen BE-së, lehtësimi “i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit”.
Nga kjo premisë, BE-ja gradualisht ka rrëshqitur në njëanshmëri në procesin e Brukselit dhe, si rrjedhojë, ka vite që procesi i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve të Ballkanit ka ngecur në vend, ose thënë më saktë, ka mbetur te Ura e Mitrovicës.
Çështja e Dick Marty-t me ngjyra raciste
Sa i përket Dick Marty-t, duhet pranuar se Kosova u kap në befasi. Ajo kishte kohë që po qëndronte duarkryq, në kohën kur Serbia, së bashku me aleatët e saj, fare haptas e nisi fushatën e saj për ta përmbysur të vërtetën. Për këtë shpërfillje tonën ndaj akuzave krejtësisht të padrejta, faji nuk është vetëm i elitës politike shqiptare, por edhe i historianëve, akademikëve dhe krijuesve të tjerë, bashkë me institucionet ku punojnë.
Derisa të gjitha agjencitë e specializuara ndërkombëtare që operonin në Kosovë u bënë vazhdimisht si të painformuar për atë se kush qëndronte pas trazirave të marsit 2004, e të cilat Kosovës i kushtuan me imazh dhe çmim të lartë në Procesin e Vjenës, në rastin e pjesëtarëve të UÇK-së kishte një zell të papërmbajtur, shpeshherë edhe nga naiviteti i brendshëm, për ta akuzuar për çdo të keqe dhe vrasje enigmatike. Sigurisht se jo të gjithë ishin engjëj, por këmbëngulja se një pjesë të shqiptarëve i paska vrarë UÇK-ja e krijoi terrenin për raportin e Dick Marty-t.
Shkrimtari Ismail Kadare e kishte thënë qartë: “Çështja Dick Marty nuk kishte pse të krijonte panik në të dy shtetet shqiptare,”, por ai pohon se ky raport kishte ngjyra racizmi, në mënyrën e bujshme dhe jokorrekte, siç u shpall skandali. “U ngjante rrëfenjave me vampirë e me vrasje rituale, tepër të përshtatshme për psikoza raciste, siç kishin bërë racistët gjermanë kundër hebrenjve, në prag të Holokaustit.”
Në këto rrethana dhe sidomos pas miratimit të raportit të tij nga Këshilli i Evropës, më nuk kishte alternativë tjetër, pos të hapej rruga për hetime ndërkombëtare, sepse çdo kundërshtim do të konsiderohej brenda dhe jashtë si një arsye për fshehjen e krimeve të luftës. Përfundimisht, pas shumë presioneve nga brenda dhe jashtë, më në fund, në gusht të vitit 2015 ndodhi edhe miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Të duket pak e pabesueshme kur sheh se sipas nenit 13, qëllimi i tij është që në bazë të së drejtës zakonore ndërkombëtare gjatë juridiksionit kohor të Dhomave të Specializuara, krime kundër njerëzimit janë veprat e paraqitura në vijim, “kur ato kryhen si pjesë e ndonjë sulmi të gjerë ose sistematik, drejtuar kundër popullatës civile, duke qenë në dijeni për sulmin: a. vrasja, b. shfarosja, c. skllavërimi, d. dëbimi, e. burgosja, f. tortura, g. përdhunimi seksual, skllavërimi seksual, prostitucioni i detyruar, shtatzënia e detyruar dhe çdo formë tjetër e dhunës seksuale, h. përndjekja mbi baza politike, racore, etnike ose fetare, i. zhdukja e detyruar e personave dhe veprimet e tjera çnjerëzore.”
Lajtmotiv i themelimit të Dhomave të Specializuar në Hagë, të cilat u bënë vetëm pas presionit të madh ndërkombëtar, veçanërisht nga partnerët e Kosovës, ngjashëm si tani për Asociacionin, thuhet se ishte kënaqja e Beogradit. Sidomos që nga viti 2012, kur u riciklua elita neomillosheviqiane, në Serbi, në kuadër të platformës politike të “botës serbe”, është projektuar synimi për ta parë UÇK-në të poshtëruar në nivelin ndërkombëtar si organizatë kriminale. Dhe, në rast se ndodh kjo, domethënë nëse dënohen krerët e saj, atëherë Beogradi do të kalonte në ofensivë agresive diplomatike, sepse dokumentimi eventual nga gjykata se është kryer krim kundër njerëzimit, bëhet dokumentacion i përhershëm historik, çka do ta njolloste Kosovën përgjithmonë.
Me këtë rast, Kosova do të portretizohet në Beograd dhe nga miqtë e saj në botë si një entitet i paligjshëm dhe natyrshëm kjo do të dëmtonte përpjekjet e Kosovë për njohje, anëtarësime të reja dhe integrim në sistemin ndërkombëtar. Në një rast të tillë, Serbia do të dilte me histori më të pastër sesa që është në realitet.
Ndoshta është akoma herët të thuhet, por është e vështirë të besohet se kjo gjykatë u etablua vetëm për drejtësi, pasi në anën tjetër, çështja e krimeve të luftës, e të pagjeturve nuk është adresuar akoma. Për më tepër, Serbia që nga 10 qershori i vitit 1999 ka punuar pa reshtur për të mohuar krimet e kryera nga strukturat shtetërore të sigurisë, duke i mëshuar fort narrativës se nga të gjitha anët kishte viktima dhe kriminelë. Derisa ndërkombëtarët në Kosovë na rrinin mbi llupë, duke na sugjeruar se nuk ishte e nevojshme të përsëritej vazhdimisht e kaluara, Serbia përdori hapësirën kohore 25-vjetëshe për ta shkruar historinë sipas nevojave politike.
Derisa në Serbi glorifikohet e kaluara dhe krimet e regjimit të Millosheviqit, madje punohet për ta vazhduar projektin e papërfunduar të Serbisë së Madhe, njëzet e pesë vjet pas përfundimit të luftës në Hagë po gjykohet elita politike, të cilën koincidencë jo të rastit e kishte dënuar edhe regjimi i Millosheviqit. Kjo është gjykata e gjashtë që heton UÇK-në, derisa krimet mbi shqiptarët mbeten akoma të paadresuara, madje edhe për varrezat masive që ndodhen në Batajnicë dhe gjetiu në Serbi. Por, kjo gjykatë njëetnike për Kosovën gjithashtu erdhi në kohën që pati një rënie të ndikimit perëndimor dhe kur në horizonte po shfaqej kriza e Ukrainës, që kishte nisur me agresionin rus ndaj Gjeorgjisë. Dhe kjo ishte koha kur Serbia filloi ta materializonte strategjinë për simetrizimin e krimit, për çka kishte punuar çdo ditë për të krijuar një version të ri të ngjarjeve për Kosovën. Për shtetet si Kosova, në kohën kur historia po rishkruhet me manipulime nga Serbia dhe nga serbët, dënimet eventuale të krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara do të kishin vlerë të pallogaritshme për ta legjitimuar narracionin dhe tendencën serbe për simetrizim.
Në fakt, vetë akti i themelimit të Gjykatës Speciale për gjykimin e protagonistëve të UÇK-së, veç ka krijuar një avantazh politik për Beogradin, jo vetëm për simetrizimin e krimit, por edhe për kultivimin e narrativës historike të vetëviktimizimit të kombit “superior” serb. Ky diskurs, në fakt, ka marrë hov sidomos me rikthim në skenë të klasës neo-millosheviqiane, përkatësisht e mbetjeve të politikës luftënxitëse, e cila, përkundër faktit se në vitet 1999 dhe 2000 ishte në listën sanksionuese të BE-së bashkë me Millosheviçin dhe familjarët e tij, vazhdon të konsiderohet pragmatiste dhe e preferuar nga Perëndimi dhe sidomos nga BE-ja.
Prandaj, nuk është e rastit, që pjesëtarët e kësaj klase politike, si Daçiqi në prill të vitit 2023 të deklaronte publikisht në Këshillin e Sigurimit se Serbia ka një histori të pastër, ndërsa kriminelët janë në radhët e shqiptarëve të Kosovës. “Unë kam nënshkruar marrëveshje me z. Thaçi. Ku është ai tash? Pse s’jam akuzuar unë ose presidenti Vuçiq?”, deklaronte ai plot mburrje dhe krenari. Ky diskurs i ish-vartësit të Millosheviqit, tani bën moralin dhe shfrytëzon aktakuzën e Gjykatës Speciale jo vetëm për të mohuar krimet e kryera nga shteti serb, por provon se ai dhe presidenti serb nuk kanë asnjë përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë në të kaluarën. Pikërisht për këtë qëllim, Serbia, ku historia po rishkruhet me manipulime, që tani është e përgatitur për narracionin e saj dhe fushatën diplomatike kundër Kosovës në rast epilogu të Gjykatës Speciale në Hagë, i përgjigjet narracionit të saj historik.
Po të kishim si pikënisje skenarin serb, atëherë i bie që në Gjermaninë e viteve 1970-ta, të mos kishim kancelar Willy Brandt, një luftëtar të vendosur kundër regjimit nazist të Hitlerit, por ndonjë nga ministrat apo zëdhënësit e Qeverisë së Hitlerit. Nëse Brandt më 1970 u gjunjëzua para memorialit të viktimave në Varshavë, kjo nuk ishte se ia kërkoi dikush, por e bëri sepse po përpiqej për pajtim me popullin polak dhe se po angazhohej për një të ardhme evropiane në mes të dy popujve. Në anën tjetër, Serbia dhe elitat e saj politike, jo se nuk kanë bërë ndonjë hap për korrigjimin e qëllimeve hegjemoniste mbi shqiptarët e Kosovës, por duke qenë edhe vetë pjesë e regjimit dhe e Qeverisë së Millosheviqit, nuk kanë hequr dorë nga bërja e projektit të Serbisë së Madhe dhe doktrinën serbe, e cila përherë konsistoi në veprimet shfarosëse, në dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe serbizimin e saj për të arritur një popullsi homogjene, jo ndryshe nga Gjermania hitleriane “Ein Reich, ein Volk, ein Führer.”
Por, për dallim nga Gjermania, në fund të luftës, Serbia nuk u detyrua ta pranonte humbjen dhe as të merrte përgjegjësinë politike dhe financiare për atë çfarë kishte bërë në Kosovë, prandaj ajo nuk pati shansin ta shohë veten në pasqyrë dhe as të shërohej nga megalomania dhe ambicia për sundimin e të tjerëve. Natyrisht, parakusht për “normalizim” dhe shërimi i Serbisë nga megalomania kombëtare dhe dëshira për ta kërkuar lumturinë e saj jashtë kufijve aktualë, do të kishte qenë zbatimi i “ekuivalentit gjerman” në qershor të vitit 1999, respektivisht vendosja nën kontrollin ndërkombëtar sipas modelit të Gjermanisë post-naziste më 1945. Po të ndodhte kjo, Perëndimi do ta ndihmonte Serbinë të çlirohej nga e kaluara kriminale, e cila edhe sot në shoqërinë serbe interpretohet si krenari kombëtare, dhe i gjithë rajoni, bashkë me Serbinë, do të ishte evropianizuar.
Prandaj, nuk është rastësi që gjuha armiqësore e Beogradit kundër shqiptarëve është normalizuar dhe për shumëçka i ngjason asaj të viteve ‘90, kur Millosheviqi nisi realizimin e projektit për bashkimin e popullit “qiellor” në një shtet të madh serb. Kjo sjellje armiqësore ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk ndryshonte nga ajo që shkroi në ditarin e fshehtë Victor Klempererit, “I will bear witness”, një nga dokumentet më të jashtëzakonshme të periudhës naziste, ku ai përshkoi se si, pak nga pak, antisemitizmi u bë një mënyrë normale e të menduarit dhe sjelljes në Gjermaninë e asaj kohe.
Nuk mund të shkosh në Bruksel për të negociuar për paqe dhe normalizim të raporteve dhe në të njëjtën kohë të proklamosh me demagogji paqe, bashkëpunim apo projektin “Ballkani i hapur”, dhe në anën tjetër, të projektosh një agresion ushtarak si në Banjskë apo të bëhesh sikur nuk di gjë për ekzistencën e varrezave masive të shqiptarëve në Serbi. Për më tepër, ky diskurs tregon se Serbia edhe më tej ka pikëpamje koloniale mbi Kosovën dhe shqiptarët. Ajo, ekzistencën e shtetit të Kosovës e sheh si pengesë të projektit serbomadh. Njëzet e pesë vjet pas kryerjes së krimeve të luftës, frika nga e vërteta në Serbi është ende e madhe. Shteti serb është i vendosur ta mohojë atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është indiferent dhe opinioni publik serb hesht. Ka pak shpresë se serbët mund të përballen me të kaluarën e tyre të përgjakshme.
Në kohën kur procesi i Brukselit ka përmbyllur trembëdhjetë vjet, makina propagandistike serbe, veçanërisht televizionet dhe gazetat vazhdojnë demonizimin e armikut, shqiptarëve të Kosovë. Edhe sot, shqiptarët paraqiten si jopopull, njësoj si hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa tentimi i BE-së për të normalizuar raportet Kosovë–Serbi përmes nismave të tilla si ajo franko-gjermane, deri më tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Prandaj, kur paralelisht me një dialog të tillë, Beogradi nuk heziton të ndërmarrë një aksion agresiv ushtarak kundër Kosovës, si ai në fshatin Banjskë, Serbia nuk e merr seriozisht BE-në dhe nuk e ka problem të bisedojë pa limit kohor dhe për këtë arsye, Serbia ka imponuar në Bruksel taktikën e bisedimeve për tema të veçanta, në mënyrë që ta zvarrisë procesin e dialogut.
Nuk mund të ketë zgjidhje për asnjë marrëveshje te veçantë mes Kosovë dhe Serbisë për aq kohë sa mungon një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative. Dhe pikërisht kjo është arsyeja që Marrëveshja e Ohrit ka mbetur pezull, në një lloj status-quo-je, e cila përputhet me strategjinë afatgjate serbe, për krijimin e një situate si konflikt i ngrirë me shpresën se një ditë mund të krijohet një moment i duhur gjeopolitik për t’iu rikthyer realizimit të projektit për një shtet të madh serb. Është pikërisht ajo që e thotë Ivana Stradner, ekspertja e fushës së sigurisë dhe informacionit dhe vëzhguese e gjendjes në Ballkanin Perëndimor, se “ashtu siç Putin akuzoi Perëndimin për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe kaloi jetën e tij duke u përgatitur për hakmarrjen e 2022-tës, Presidenti serb po përgatit hakmarrjen e tij për vitet ’90. Ai po pret vetëm momentin e duhur gjeopolitik”. Një gjë e tillë duket qartë edhe nga trajektorja e veprimeve të Beogradit karshi Kosovës nga Ohri e deri tek agresioni ushtarak në fshatin Banjskë.
Prandaj, pajtimi për Aneksin e Ohrit ishte vetëm një taktizim për të fituar kohë dhe për të krijuar epërsi në dialog. Kjo qasje e diskutimit për tema të veçanta, ku marrëveshja finale dhe njohja as që duken në horizont, duhet të shmangen nga Kosova, natyrisht edhe nga Brukseli, nëse dëshirohet sukses në dialog. Në këtë kuptim, Procesi i Brukselit nuk mund të shihet si një lloj kazantriqeje, ku mund të diskutosh gjithçka, edhe për dinarin, edhe për urën, edhe për targat, edhe tabelat e trafikut, por vetëm për normalizimin dhe njohjen jo. Pra, duhet të vlejë parimi, të cilin katër vjet më parë e kishte afishuar edhe vetë emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, se “nuk do të ketë marrëveshje për asgjë, derisa nuk do të ketë marrëveshje për çdo gjë”.