Debimi i shqiptarëve

Sylë Ukshini: Plani për shfarosjen e shqiptarëve dhe rrënjët e tensioneve Kosovë – Serbi

Profesori austriak nga Universiteti i Grazit, Joseph Marko, në studimin “Rrënimi i Autonomisë së Kosovës 1989-1991”, sjell në pah një periudhë kyçe të historisë së Kosovës dhe në ish-Jugosllavi, e cila në mënyrë rapide mori tatëpjetën e saj në fund të viteve tetëdhjeta me shfuqizimin sistematik të autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Argumenton se këto ndryshime nuk ishin thjesht vendime të momentit, por ishin planifikuar dhe zbatuar sistematikisht për të ndryshuar ekuilibrin etnik dhe politik në favor të Serbisë. Ballkanit dhe pengesat që ato krijuan për integrimin evropian të rajonit. Studimi i tij është i vlefshëm për t’i kuptuar rrënjët e tensioneve të dikurshme dhe të sotme politike midis Kosovës dhe Serbisë dhe në rajon

Në pjesën e dytë të raportit, studiuesi austriak, Joseph Marko, profesor Emeritus i së Drejtës Publike Krahasuese dhe Shkencave Politike në Universitetin e Gracit në Austri, autor i studimit “Rrënimi i Autonomisë së Kosovës 1989-1991 dhe pasoja për idenë e integrimit evropian”, te trajtimi i pozitës dhe kompetencave të organeve të ndryshme shtetërore, sipas Kushtetutës së Serbisë të vitit 1990 dhe Kushtetutës së RFJ-së të vitit 1992 dhe legjislacionit përkatës, ndalet te institucioni i Komandës Supreme dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, te Këshilli Suprem i Mbrojtjes dhe Departamenti Shtetëror i Sigurisë, e Departamenti i Sigurisë Publike dhe Stafi i MUP-it me “Kosovë dhe Metohi”. Sipas autorit, bazuar në autoritetin e Departamentit të Sigurisë Publike, në vitin 1998 u themelua Shtabi i MUP-it për “KA të Kosovës dhe Metohisë” në drejtimin e gjeneralmajor Strene Llukiq, zëvendësshef i SUP-it të Beogradit. I njëjti person do të caktohet, po ashtu, komandant i Shtabit të MUP-it të Serbisë për Parandalimin e Terrorizmit në “zonën e Kosovës dhe Metohisë”. Sipas kësaj skeme të regjimit të Millosheviqit, aktiviteti i tij nuk ka qenë për gjithë Serbinë, por vetëm për Kosovën. Duke dashur të tregojë nivelin e përgjegjësisë që kishte kjo figurë politike në kuadër të mekanizmave të krijuar enkas nga Millosheviqi, tregon se Llukiqi gëzonte një shkallë të lartë autonomie në marrjen e masave. Ky fakt, sipas raportit të Markos, e bën përgjegjës Llukiqin për çfarë kishin bërë njësitet shtetërore serbe në territorin e Kosovës. Në këtë kuadër, autori, gjithashtu edhe presidenti i së ashtuquajturës RFJ kishte pozicion të fortë ligjor, kështu që ai mund të dominonte gjithë procesin e vendimmarrjes për përcaktimin e gjendjes së luftës deri te komanda operative e Ushtrisë jugosllave.

Tentimi për shkatërrimin e tërësishëm të shqiptarëve

Në të njëjtën kohë, raporti nënvizon edhe mosharmonizimin e dispozitave të kushtetutës së RFJ-së dhe kushtetutës serbe në lidhje me shpalljen e gjendjes së luftës, por në rast do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, kompetencat e të dy presidentëve nuk do të mbivendoseshin. Një e dhënë tjetër ka të bëjë edhe me mungesën e harmonizimit midis depozitave të Ligjit Jugosllav për Mbrojtjen dhe Ligjit Serb për Mbrojtjen.

Shqyrtimi gjyqësor i Prokurorisë së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) e përqendroi vëmendjen edhe te niveli i përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare që rridhnin nga e drejta ndërkombëtare në lidhje me luftën e Kosovës. Dihet se shteti jugosllav ishte nënshkrues i konventave dhe ratifikues i dhjetëra konventave ndërkombëtare, që Jugosllavia e cunguar ishte e detyruar t’i përbehej së drejtës ndërkombëtare edhe në rrethane lufte. Të gjitha këto çështje janë trajtuar në pjesën e tretë, e cila ndoshta është edhe më interesantja, për fakt se ky realitet i viteve të 1990-ta interpretohet nga perspektiva e një studiuesi ndërkombëtar. Sipas Markos, nga pikëpamja e ligjit kushtetues, ky obligim vlente edhe për Jugosllavinë e cunguar, e cila në mënyrë eksplicite në datën e shpalljes i kishte pranuar të gjitha obligimet. Ky detyrim rridhte si vazhdimësi e personalitetit shtetëror, juridik dhe politik ndërkombëtar të Jugosllavisë së cunguar. Në të njëjtën kohë, autori shtron pyetjen nga rrafshi i së drejtës ndërkombëtare publike, nëse Jugosllavia e cunguar e Millosheviqit ishte e lidhur me detyrimet ndërkombëtare: Në këtë pikë, ai i referohet edhe vendimit të Juridiksionit Kundërshtues të Parashtresave më 6 maj 2003 në procesin kundër Millan Millutinoviqit, Dragoljub Ojdaniqit, Nikolla Shahinoviqit, ku si përfundim, RFJ-ja mbeti e lidhur me obligimet e pranuara nga RSFJ-ja, duke përjashtuar vetëm nga puna e përditshme në Asamblenë e Përgjithshme. Në këtë kontekst, autori konkludon se në vitet e luftës në Kosovë 1998/1999, e drejta ndërkombëtare humanitare, siç është shkruar në katër Konventat e Gjenevës, të vitit 1949 dhe në dy Protokollet Shtesë të vitit 1977, ishte e zbatueshme edhe në territorin e Jugosllavisë së cunguar. Hapi tjetër i shqyrtimit të grupit të rregullave të aplikueshme, ndërlidhej me klasifikimin e situatës në Kosovë si konflikt i armatosur dhe, më tej, nga përcaktimi i karakterit të konfliktit të armatosur si ndërkombëtar apo si jondërkombëtar. Për më tepër, konventat dhe rregullat ndërkombëtare kishin për synim të mbronin civilët në konflikt apo luftë të armatosur. Sipas autorit, kur konflikti klasifikohet si jondërkombëtar, atëherë zbatohej neni 3 i përbashkët për Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Protokollit shtesë II. Pavarësisht detyrimeve që dilnin nga këto dokumente, regjimi i Millosheviqit në Kosovë i goditi. Në luftën e Kosovës, regjimi serb bëri pikërisht të kundërtën e asaj që e obligonin dokumentet ndërkombëtare, me ç’ rast personat që nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime u sulmuan nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë pikërisht për shkak të racës, ngjyrës, fesë dhe besimit, si dhe iu nënshtruan torturës dhe trajtimit çnjerëzor, mizor, poshtërues dhe degradues, marrjen e pengjeve dhe ekzekutimin e dëbimin masiv të popullsisë shqiptare. Nga ky raport del qartë se pala serbe nuk respektoi dhe nuk e mori parasysh as Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Rezolutën 260 A të 9 dhjetorit 1948, pasi ajo, jo vetëm që nuk e ndaloi gjenocidin, por edhe e shkeli nenin 2 të Konventës, pasi me të gjitha mjetet provoi t’i shkatërrojë në tërësi shqiptarët si një grup kombëtar, etnik, racor dhe fetar.
Në këtë pjesë, studiuesi austriak Joseph Marko, duke u ndalur te rezolutat e OKB-së lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, bën një kategorizim të rezolutave në dy grupe: Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit, përmes të cilave u bëhej thirrje “autoriteteve serbe që të përmbaheshin nga përdorimi i forcës dhe të ndalonin praktikën e ‘spastrimit etnik’ dhe të respektonin plotësisht të drejtat e personave që u përkasin komuniteteve etnike ose pakicë”.

“Vuajtjet e shqiptarëve s’mund të kufizohen në harkun kohor të luftës”

Rezolutat për Kosovën, të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kapin harkun kohor 1992-1997, përmes të cilit po ashtu kërkohej nga Beogradi revokimi i gjithë legjislacionit diskriminues, veçanërisht i atij që kishte hyrë në fuqi që nga viti 1989 dhe rivendosja e dialogut me shqiptarët etnikë në Kosovë. Kjo analizë e raportit të Markos për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se kriza në Kosovë nuk u përkeqësua në vitet 1998/99 ose NATO-ja ndërhyri pa shteruar të gjitha mjetet diplomatike, por pasi për një dekadë me radhë, Beogradi kishte dështuar të përmbushte rezolutat dhe thirrjet e OKB-së dhe të institucioneve të tjera relevante ndërkombëtare. Këtë qasje do ta gjejmë më vonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur Cançado Trididate nga Brazili, i cili, edhe pse vota e tij ishte në favor të miratimit të mendimit këshillimor të GJND-së, kishte ardhur në përfundim se vuajtjet e popullatës shqiptare nuk mund të kufizoheshin në harkun kohor të luftës, gabim të cilin e bëri edhe Gjykata Speciale në Hagë, por në vitin 1989 si rezultat i revokimit të Kushtetutës së Kosovë, periudhë kur fillon kriza humanitare që u përshkua me masa sistematike diskriminuese dhe shkelje të njëpasnjëshme të rënda të të drejtave të njeriut, të kryera gjatë viteve 1989-1997. Ndërkaq, në fund të viteve nëntëdhjeta, kriza u përkeqësua me praktikën e urryer të spastrimit etnik dhe shkelje të rënda të së drejtës humanitare dhe se kjo krizë kishte lidhje me procesin historik të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Në këtë kuptim, në raportin e tij, Marko përmes prezantimit të rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme, dokumenton se kriza në Kosovë u përshkua nga një model i zgjatur i krimeve të njëpasnjëshme kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, me shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nga shfaqja e njërit prej krimeve më të tmerrshme, atij të spastrimit etnik.

Përkeqësimi i situatës në Kosovë

Meqë asnjë nga rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk pati efekt pozitiv dhe përkeqësimi i situatës ne Kosovë mori përmasa dramatike, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, nga marsi i vitit 1998 filloi të merrej me situatën në Kosovë në vitin 1998, duke filluar nga rezoluta 1160 e KS të 31 marsit 1998 e deri te Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit, e miratuar me 10 qershor 1999, përmes së cilës Kosova u vendos nën administrimin civil dhe ushtarak ndërkombëtar. Që nga kjo periudhë, Kosova ishte nxjerrë jashtë “juridiksionit të brendshëm” të Jugosllavisë së mbetur dhe ishte bërë preokupim legjitim i bashkësisë ndërkombëtare. Në fakt, Këshilli i Sigurimit i OKB-së (KS-KB) prej kohësh kishte paralajmëruar për një katastrofë humanitare në Kosovë dhe një kërcënim për sigurinë dhe paqen në rajonin e Ballkanit.

Sipas autorit, ajo që bie në sy në rezolutën e marsit 1998 është klauzola 17, kur për herë të parë i kërkohet Prokurorisë së TPNJ-së të mbledhë informacione dhe kërkesa që Jugosllavia e mbetur (Serbi dhe Mali i Zi) të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës. Në kundërshtim me thirrjen e KS të OKB-së, situata në Kosovë u përkeqësua, kështu, në shtator dhe tetor të të njëjtit vit, KS miratoi edhe dy rezoluta 1199 (shtator 1998), 1203 (tetor 1998), të cilat megjithatë Beogradi nuk i përmbushi asnjërën, gjë që e detyroi KS edhe një herë të merrej me Kosovën në Rezolutën 1207 të 17 nëntorit 1998 dhe me Rezolutën 1233, përmes të cilave kryesisht kërkohej adresimi i situatës me refugjatët shqiptarë dhe personat e zhvendosur dhe përmirësimin e situatës së tyre dhe gjithë personave civilë të prekur nga lufta.

Përpjekjet dhe dështimi për zgjidhje diplomatike

Në rezolutën 1239, e cila ishte miratuar pasi sulmet ajrore kishin filluar, edhe një herë kërkonte një zgjidhje politike, duke provuar që procesi të rivendosej në linjat e një zgjidhjeje diplomatike. Por, kjo gjendje e diskriminimit sistematik dhe krizës humanitare në Kosovë, e cila ishte rrjedhojë e mosrespektimit të detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të ligjeve ndërkombëtare të luftës dhe të konventave ndërkombëtare si Konventa e Gjenevës e vitit 1949 dhe konventave dhe protokolleve të tjera ndërkombëtare. Për më tepër, këto rezoluta tregojnë përfshirjen intensive të Këshillit të Sigurimit të OKB-së krahas angazhimit ushtarak të NATO-s. Gjithashtu, NATO-ja bëri përpjekje që t’ia kthejë OKB-së vendin e saj legjitim në kuadrin e përpjekjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Iniciativa diplomatike gjermane nuk përfshinte vetëm frikën se pa ndihmën ruse mund të kalonte një kohë e gjatë derisa udhëheqja serbe të ishte e gatshme të bënte kompromis. Për më tepër, me rritjen e krizës së refugjatëve, rritej edhe presioni i vendeve të NATO-s, sidomos i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për invadim me trupa tokësore. Prandaj, kjo përgatitje për ndërhyrje me trupa tokësore ushtarake u bë vendimtare që regjimi i Millosheviqit të dorëzohet.
Në përmbyllje të raportit të tij, Joseph Marko konstaton se kriza e Kosovës mori fund vetëm me miratimin e Rezolutës 1244 më 10 qershor 1999, e cila e detyroi Beogradin që të tërhiqte nga Kosova gjithë ushtrinë, policinë, administratën dhe aparatin administrativ dhe njëkohësisht përmes themelimit të administratës ndërkombëtare të OKB-së në Kosovë (UNMIK), mori përsipër të gjithë pushtetin legjislativ, administrativ dhe gjyqësor në Kosovë. Megjithatë, statusi përfundimtar i Kosovës mbeti i hapur në rezolutë.

“Opsioni i vetëm i mundshëm për Kosovën ishte pavarësia”

Nëntë vjet pas përfundimit të luftës dhe administrimit ndërkombëtar, Kosova e shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, duke u bërë shteti i shtatë i krijuar nga ish-shteti shumëkombësh jugosllav. Në këtë kuptim, Kosova është një rast unik, që rezulton nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë kontekstin historik të shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë, si dhe dhunën masive dhe shtypjen që ndodhi në Kosovë në periudhën 1989 – 1999, periudhën e zgjatur të administratës ndërkombëtare, sipas rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit dhe procesin e udhëhequr nga OKB-ja nuk la asnjë gur pa lëvizur për të gjetur një zgjidhje të negociuar për statusin e ardhshëm. Siç ka thënë Martti Ahtisaari, i dërguari i posaçëm i OKB-së dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2008, “opsioni i vetëm i mundshëm për Kosovën ishte pavarësia”.

Përfundim

Si asnjë jurist tjetër i njohur për mua, profesori austriak nga Universiteti i Grazit, Joseph Marko, në studimin “Rrënimi i Autonomisë së Kosovës 1989–1991”, sjell në pah një periudhë kyçe të historisë së Kosovës dhe në ish-Jugosllavi, e cila në mënyrë rapide mori tatëpjetën e saj në fund të viteve të tetëdhjeta, me shfuqizimin sistematik të autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Autori analizon deri në detaje anatominë e sistemit kushtetues të Jugosllavisë dhe të statusit kushtetues të Kosovës brenda sistemit federativ deri në shpërbërjen e tij në vitin 1991 dhe miratimin e Kushtetutës së re të Jugosllavisë së mbetur të vitit 1992, e cila në njërën bënte përpjekje për “vazhdimin e personalitetit shtetëror, juridik, politik dhe ndërkombëtar të Jugosllavisë së mëparshme, ndërsa në anën tjetër, me ligje dhe qindra vendime diskriminuese vulosi heqjen e njëanshme dhe totale të autonomisë së Kosovës. Me këtë rast, studimi në fjalë përvijon jo vetëm shkeljet kushtetuese dhe ligjore, por edhe pasojat e thella që këto zhvillime kishin për stabilitetin politik dhe të drejtat e popullsisë shqiptare në Kosovë, të cilat u bënë objekt i rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme dhe të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së përgjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Në mënyrë të qartë dhe objektive, Marko argumenton se këto ndryshime nuk ishin thjesht vendime të momentit, por ishin planifikuar dhe zbatuar sistematikisht për të ndryshuar ekuilibrin etnik dhe politik në favor të Serbisë. Njëkohësisht, ky raport ndihmon njohjen e natyrës së ligjeve diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përpjekjet e regjimit të Millosheviqit për t’i legalizuar masat e veta antikushtetuese. Ai gjithashtu thekson rëndësinë e këtyre ngjarjeve për të kuptuar dinamikën më të gjerë të konflikteve të Ballkanit dhe pengesat që ato krijuan për integrimin evropian të rajonit.
Dhe krejt në fund, ky studim është i vlefshëm, jo vetëm për historianët dhe juristët që merren me historinë, statusin politik dhe juridik të Kosovës në kontekstin jugosllav, por edhe për çdo studiues që dëshiron të kuptojë rrënjët e tensioneve të dikurshme dhe të sotme politike midis Kosovës dhe Serbisë dhe në rajon.

Kontrolloni gjithashtu

Sala Berisha Shala: Heronjë të luftës e të paqes

Heronjë të luftës e të paqes, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi …