Sylejman Delvina ( 1871-1933)

Sulejman Delvina u lind  më 5 tetor të vitit 1871 në Delvinë, ndërsa vdiq në Vlorë më 1 gusht të vitit 1933. Ishte politikan i shquar shqiptar, kryeministër për periudhën 30 janar 1920-14 nëntor 1920 dhe pjesëtar i qeverisë së Fan Nolit në vitin  1924.

Shkollën fillor e kreu në vendlindje ndërsa atë të mesëm ne gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Studimet e larta i kreu në Stamboll në vitin 1898, Universitetin “Mylkie”. U emërua atashe në Ministrinë e Brendshme Osmane dhe më pas sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë, si dhe profesor në liceun e Gallatasarait e në gjimnazin e Vefa-s. Më vonë u emërua shef seksioni në MPB dhe drejtor i përgjithshëm i vilajeteve. Ishte një ndër figurat qendrore të klubit shqiptar të Stambollit. Bashkë me patriotë të tjerë iu kundërvu politikës xhonturke dhe synimeve shoviniste ndaj Shqipërisë të monarkive fqinje. Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll, për të mbështetur alfabetin dhe kërkesat shqiptare. Ishte një nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të popullit tonë.

Në prill 1919 kolonia shqiptare në Turqi, e dërgoi atë në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur në emër të saj interesat e Shqipërisë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike të lindura në gjirin e përfaqësuesve shqiptarë të atjeshëm. Projektet për copëtimin e Shqipërisë nuk mund të ndryshoheshin dot nga përfaqësuesit shqiptarë në krye të të cilëve ishte Delvina. Megjithatë ishte Kongresi i Lushnjës që u mbajt në janar të vitit 1920 ai që hodhi poshtë gjithë vendimet e marra në Konferencën e Paqes në Paris. Në këtë kongres morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga gjithë Shqipëria e pavarur, ndërkohë që ndërkombëtarët vazhdonin me planet për copëtimin e vendit. Kongresi zgjodhi dhe qeverinë e tij, në krye të së cilës u zgjodh atdhetari dhe njeriu i respektuar, Sulejman Delvina.

Kjo qeveri drejtonte në atë kohë pjesën më të madhe të vendit dhe u përpoq që të kishte jehonë edhe në fushën ndërkombëtare, duke vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetet e huaja, me kusht që të respektohej tërësia territoriale e Shqipërisë. Më pas, Delvina mbështeti luftën kundër bandave esatiste më 1920 dhe ndihmoi në përfundimin me sukses të luftës së Vlorës kundër pushtuesve imperialistë italianë. Po kështu mori pjesë edhe në nënshkrimin e protokollit italo-shqiptar të datës 2 gusht 1920. Në moshën 37 vjeç Sulejman Delvina kreu detyrën si Ministër i Brendshëm, 11 korrik 1921 deri më 16 tetor 1921. Në këtë detyrë ndenji 3 muaj e 5 ditë. Mori pjesë në revolucionin e Qershorit 1924 dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli u emërua ministër i Punëve të Jashtme për periudhën nga 16 qershor 1924 – 23 dhjetor 1924. Pas dështimit të këtij revolucioni, Delvina u largua nga Shqipëria dhe u end në Evropë për disa vjet si emigrant politik. Më vonë i sëmurë u kthye në Shqipëri dhe vdiq në Vlorë në vitin 1933. U varros në qytetin e tij të lindjes , në varrezat publike , së bashku me të vëllain patriotin tjetër të shquar , ish kryetarin e bashkisë së Delvinës, Namik Delvinën

Kryeministër në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës

Në janarin e vitit 1920, Sulemjan Delvina mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku spikati si një nga aktorët kryesorë të asaj ngjarjeje madhore, e cila i hapi rrugë riorganizimit të shtetit shqiptar. Lidhur me këtë, në revistën “Minerva” të vitit 1932, publicisti i njohur, Nebil Çika, në artikullin me titull: “Vdekja e Sulejman Delvinës”, ka shkruar: “Kongresi i Lushnjës plotësoi qeverinë e re me zgjedhjen e një kabineti prej nëntë anëtarësh të kryesuar nga Sulejmani dhe caktimin e një Senati apo Këshilli Kombëtar prej 37 anëtarësh të veshur me fuqi parlamentare deri në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme. Kabineti përbëhej si më poshtë: Sulejman Bej Delvina, Kryeministër, Mehmet bej Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, Ahmet Bej Zogu, Ministër i Brendshëm, Kadri Bej Prishtina- Ministër i Drejtësisë, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Eshref Bej Frashëri, Ministër i Punëve Botore, Idhomene Kosturi, Ministër i Postave dhe Telegrafëve dhe Ali Riza Pasha Kolonja, Ministër i Luftës.

U zgjodh dhe Këshilli i Lartë i Regjencës prej katër vetash: z. Imzot Bumçi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani dhe dr. Mihal Turtulli. Në këtë Kongres u formua dhe Këshilli Kombëtar, si dhe u miratua Statuti i Lushnjës, i cili ishte ligji themeltar i shtetit të ri shqiptar. Ai shpalli ndarjen e fesë nga shteti dhe vendosi që më vonë, kur të bëheshin zgjedhjet, Asambleja Kushtetuese të përcaktonte formën e regjimit. Pra, në Lushnjë u sanksionua sovraniteti i shtetit shqiptar me organet që ngriti Kongresi. Në gazetën “Mbrojtja Kombëtare” të datës 11 nëntor 1920, në artikullin “Rregulli i Shtetit”, Ali Këlcyra e përcakton kështu Kongresin e Lushnjës: “Mbledhja e Lushnjës, e cila u bë burimi i shpëtimit të Shqipërisë, do meritojë të shkruhet me shkronja të arta në historinë tonë.” Ndërsa për Kryeministrin Sulejman Delvina, ai shprehet: “Sulejman Beu, i cili këto kohërat që u ndodh në qeveri dha prova jo vetëm si njeri i mësuar, por akoma dhe si një burrë shteti me karakter”.

Kongresi i Lushnjës hodhi poshtë kompromisin 13-14 janarit të vitit 1920 ku Fuqitë e Mëdha kërkonin copëtimin e Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës gjithashtu rrëzoi qeverinë filo-italiane të Durrësit, duke u zotuar se do të luftonte për çlirimin e vendit. Qeveria e Sulejman Delvinës brenda një kohe prej dhjetë muajsh zgjidhi me sukses detyrat që i caktoi Kongresi i Lushnjës. Më 11 shkurt, qeveria u vendos në Tiranë, e cila që nga ajo kohë u bë kryeqyteti i Shqipërisë. Më 13 mars të po atij viti u shpall bashkimi i Shkodrës me qeverinë kombëtare të Tiranës, duke shmangur repartet e armatosura jugosllave që kishin ardhur afër Shkodrës. Lidhur me këtë, në një shkresë të Sulejman Delvinës, thuhet: “Tiranë më 8-IV- 192O. Prokurorisë s‘Apelit Shqypni. Mbas shkresës së Kryeministrisë Nr. 252/1 dhe 4/4/20, Ju njoftohet se Këshilli i Përfaqësuesve me vullnet e dëshirë të këshilltarëve të vet mori emrin Këshilli Kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …