Lidhur me shkrimin: Letër e hapur të z.Izet Ibrahimit që ka të bëjë mbi zhvillimin e “Minierës së Re” të qymyrit
Kjo “Letër e hapur” iu drejtohet disa emrave të kabinetit qeveritar si: kryeministrit z. Abdullah Hoti, zv. Kryeministrave Albulena Halimi dhe Besnik Tahiri si dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik Blerim Kuçi dhe Ud. i KEK-ut Luigj Imeri është botuar në gazetën “Radiokosovaelirë” më 27.08.2020.
Me këtë “Letër të hapur” z.Izet Ibrahim, kërkon nga qeveria aktuale që të ndryshohet kahja e zhvillimit të “Minierës së Re” të qymyrit. Z. Izet Ibrahimi në letër është nënshkruar si ish-kryesues i Grupit Teknik për zhvillimin e “Minierës së Re”, por nuk ka lënë të kuptohet se pas kësaj letre qëndron i tërë Grupi apo kjo është vetëm ide dhe mendim i ti personal.
Është e drejt e secilit individ, por edhe e grupeve individësh, që të japin ide nga më të ndryshmet për çështje të caktuara për zhvillimet ekonomike ose shoqërore etj. të një lëmie të caktuar. Por ideja për çvendosjen e zhvillimit të “Minierës së Re” nga Veriu, siç është duke u zhvilluar deri tani, në Jug është tepër befasuese për ata që i njohin zhvillimet e energjetikës së Kosovës që nga zanfilla, e në veçanti, nga viti 1968 e këtej, vit i cili karakterizohet me angazhimin serioz të ekspertëve shqiptarë të fushës së xehtarisë, gjeologjisë dhe të energjetikës e duke i përfshirë këtu edhe analizat dhe projektet e Institutit “INKOS” i cili aso kohe, me të drejt, ishte në kuadër të KEK-ut. Duket befasuese sepse, në tërë historikun e zhvillimit të minierave tek ne, kurrë nuk ka qenë në diskutim e as që është përmendur ndonjëherë ky variant i zhvillimit të “Minierës së Re”. Këtu duhet të përmendet se edhe dy doajenët e zhvillimit në baza shkencore të minierave dhe të Energjetikës të Kosovës, inxhinjerët Sami Kusari dhe Engjëll Mazreku kurrë nuk e kanë përmendur këtë variant. Bile po të ishin ata të dy edhe sot në mesin tonë, e sidomos inxh. Engjëll Mazreku ( i cili vdiq në vendin e punës, si kryetar i KEK-ut në fillim të dhjetorit të vitit 2001) qysh në gjysmën e dytë të vitit 2002 do të fillonte zhvillimi i “Minierës së Re” dhe eksploatimi i qymyrit nga “Veriu” e me ç’rast edhe i tërë fshati Hade do të përfshihej në fushë eksploatuese të qymyrit e nuk do të mbetej, siç thotë me të drejt z.Izet Ibrahim, si oazë në mes të minierës.
Nga vendimi i dates 4.04.2018, me nr. 05/39 të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi formimin e “Grupi Teknik për Zhvillimin e Minierës së Re” të cilit “Grup…” iu paska dhënë detyrë nga qeveria që të gjej variantin më të mirë për zhvillimin e “Minierës së Re”. Me sa kam informata unë të gjitha qeveritë e Kosovës, që nga viti 1970 e deri në vitin 2018 ( pra para këti vendimi për formim të këti “Grupi…” ) e kanë pasë vetëm variantin “Veri” për zhvillimin e “Minierës së Re”. Këtë variant e kanë arsyetuar si më të mirin dhe më ekonomikun për eksploatim të gjitha Institucionet shkencore të ish- Jugosllavisë dhe të Kosovës së para Luftës Çlirimtare dhe ekspertët më eminent shqiptarë të pasluftës. Për këtë ka pasë disa herë shpime dhe analiza shkencore nga institucione dhe ekspert shqiptarë dhe të huaj ( psh. Watenfall-Europa nga Gjermania).
Kësaj here paska ndërhyr qeveria për të bërë edhe një analizë rreth zhvillimit të ”Minierës së Re”. Dhe tani nga “Letra e hapur…” nuk është e qartë se ky ndryshim i variantit nga “Veri” në “Jug” a është rezultat i shtytjes së qeverisë, i ndonjë zyrtari të lartë i ministrive apo i ndonjë individi i këti “Grupi…” ose edhe i ndonjë grupi njerëzish, e vetëm për qëllime të përfitimeve personale dhe grupore. Sepse në këtë “Letër të hapur…” nuk ka ndonjë argument të pjekur shkencor por ka vetëm disa fjalë dhe fjali të renditura sa për ta bindur opinionin se gjoja paska punuar një grup “ekspertësh” dhe paska bërë “zbulime” shpëtimtare për Kosovën.
Natyrshëm shtrohet pyetja se: aty ku ka prekur politika nëpër ndërmarrjet publike çfarë epilogu kanë patur ato ndërmarrje? Të gjitha kanë falimentuar njëra pas tjetrës dhe secila më keq se tjetra. E falimentimi i sektorit të energjetikës do të ishte katastrofal për shtetin e Kosovës, sepse zhvillimi i sektorit të energjetikës është i barazvlershëm me pavarësinë ekonomike dhe politike të shtetit. Prandaj edhe ky Komision apo Grup Teknik, tërësisht politik e joprofesional, jep vlerësime kaq joprofesionale për zhvillimin e “Minierës së Re”.
Po mundohemi për t’i krahasuar të dy variantet; të “Veriut” dhe të “Jugut” edhepse janë të pakrahasuara mes veti sepse kurrë ( në historikun 50 vjeçar të zhvilimit të minierave në Kosovë) nuk është përmend variant i “Jugut”.
Varianti “Veri”
-Kjo fushë i ka 857.100.000 t/qymyr dhe 700.510.000 m³/ djerrinë
– Miniera kah veriu e ka koeficientin e marrëdhënjes qymyr-djerrinë 1,0: 0,8 t/qymyr: m³/djerrinë koeficienti më i levërdishëm në botë. Pra për nxjerrjen e një ton qymyr duhet të hiqen vetëm 0.8 m³ djerrinë.
– Distanca e transportit të qymyrit deri në Termocentrale është shumë e volitshme, sepse është vazhdimësi e fushës ekzistuese të eksploatimit
– Kjo është fusha më ideale për eksploatim në krejt bazenin e qymyrit në Kosovë.
– Miniera e Veriut është në eksploatim dhe tani duhet vetëm vazhdim frontal për të cilën nuk duhen investime shtesë.
Varianti i “Jugut”
-Sipas hulumtimeve ( shpuarjeve) të kryera nga një firmë e Sërbisë, e kontraktuar para dy vjetësh dhe të një firme të përzier turko-greke në fushën e “Jugut” janë 1.019.000.000 t/qymyr dhe 1.346.000.000 m³/ djerrinë ose shprehur me koeficient do të jetë kështu 1,0: 1,33 t/qymyr:m³/djerrinë e që do të thotë se fusha e Veriut është 50% më e favorshme se sa fusha e Jugut.
– Kur jemi tek këto shpuarje dhe hulumtime nga firmat e huaja, e sidomos sërbe, pse janë angazhuar ato firma kur këto shpuarje dhe hulumtime ka mundur t’i kryej Instituti “INKOS”, i cili i ka pasur të gjitha mundësitë për t’i kryer këto punë. “INKOS”-i këto hulumtime do t’i kryente me të dhjetën pjesë të pagesës ndaj të huajve. Mos ndoshta nuk kemi pasur besim në ekspertët e “INKOS”-it ose na është dashur të mëshifemi pas të huajve që mos të jemi transparent ndaj opinionit tonë. Po shihet se institutin “INKOS” e kemi shkatërruar vetëm për përfitime personale dhe grupore dhe për nënshkrime të kontratave të majme dhe të përpjestimeve të fshehura.
– Fusha e Jugut është e mbuluar me djerrinën e hudhur ( e stivuar ) nga minierat e Bardhit dhe Mirashit e kur dihet se mihja e këtyre masave është shumë problematike, sepse e kemi parasysh përvojën nga “arat e pojatës” ( ish-sistemi IV i djerrinës në minierën e Bardhit). Stivimi i mbi 125 milion djerrinë nga miniera e Bardhit dhe e Mirashit të hedhura mbi fshatrat Lismir dhe Kuzmin e vështirësojnë edhe më tepër hapjem e Minierës në “Jug” duke pasë parasysh koeficientin e shkriftësisë e cila e rritë vëllimin e masave për 1,47 herë.
– Për t’i marrë tonelatat e para të qymyrit nga fusha e “Jugut” duhet që patjetër të largohen 200 milion m³ djerrinë. Kur dihet se kapaciteti vjetor i bartjes së djerrinës në minierë është 10 milion m³/ vit, pra për fillimin e eksploatimit të qymyrit nga “Jugu” po u dashka të pritet 20 vjet. E nëse merret parasysh edhe koficienti i shkriftësisë vëllimi I djerrinës rritet në afër 300 milion mᶟ djerrinë dhe koha zgjatet në 30 vjet.
– Në “Letrën e hapur” bëhet problem stivimi i 700.000.000 m³ djerrinë të Veriut e si arsyetohet stivimi i 1.346.000.000 m³ djerrinë nga Jugu?
– Eksproprijimi i fshatit Lismir,
– Eksproprijimi i fshatit Kuzmin. Politikisht a është i realizueshëm?
– Çvendosja e shtartit të lumit Sitnica,
– Çvendosja e hekurudhës Fushë Kosovë- Bardh, drejtimi për Pejë.
Për dhënjen e përparësisë së hapjes së “Minierës së Re” në “Jug” duhet guxim i madh dhe arsyetim i thukët i ekspertëve të profesionit të xehtarisë dhe gjeologjisë, gjë që mungon në këtë “Letër të hapur”. Sepse eksperti i vërtetë i lëmisë kurrë nuk do vepronte nën shtytjen e politikës apo në këmbim të ndonjë shpërblimi të majmë. Këtë mund ta bëjë vetëm ndonjë ” hajmali” e fortë dhe e shkruar nga ndonjë “ulema”, poashtu, i fortë.
Në “Letrën e hapur” përmenden edhe shpronësimet dhe ndërtimi i shtëpive në Shipitullë dhe Hade nga oligarkët e deritashëm dhe përfitimet e tyre të bollshme. Mos tani, me propozimin e lokacionit të ri të “Minierës së Re”, përpjeket të lind një klasë e re e oligarkëve dhe të zhduket koha e oligarkëve të “Veriut” në këmbim të oligarkëve të “Jugut”?
Ku ishte autori i shkrimit që nuk e përmend “Jugun” që nga viti 2008, nga i cili vit ai është në Bordet vendimmarrëse të KEK-ut?
Po shpresojmë që kjo “Letër e hapur” nuk e ka seriozisht për hapjen e minierës “Jug” por e ka vetëm sa për t’i arsyetuar hargjimet e panevojshme që janë bërë për shpime dhe hulumtime në fushën e “Jugut” me operatorët e Sërbisë. Nëse kjo është arsueja e “Letrës…” edhe mund të nënshtrohet opinioni, sepse arsyetimi i këtyre hargjimeve është shumë më i leht se sa të hapej miniera në “Jug” siç propozon autori.
Pleqët tanë, të urtë dhe të mençur, thoshin “ Kur humb malli, humb edhe shpirti”. Tani kam frikën se mos “ideologu” i hapjes së Minierës së Re në “Jug”, kudo që gjindet dhe çfardo pozicioni që ka në kiearki, ka për qëllim që edhe minierave të qymyrit të Kosovës tua prejë dhe qepë fatin e “Feronikelit”, të “KEDS-it”, të “Telekomit” të Kosovës e shumë e shumë ndërmarrjeve të tjera publike, fati i të cilave tashmë po shihet! Pra hapja e minierës në “Jug” do të dështojë, sepse është organizuar dhe projektuar dështimi i sigurt, dhe tani duhet të shitet kjo pasuri kombëtare me çdo kusht dhe për çfardo çmimi, ngjajshëm sikur u shitë “Feronikeli” dhe “KEDS”-i!
Kështu dalim para botës se nuk jemi të zotët që ta organizojmë dhe ta sundojmë veten. Atëherë nuk do të kemi nevojë për qeveri, sepse nuk do të kemi çka, dhe me çka, të qeverisim!? Dhe, me domosdo, duhet t’i mbathemi dikujt. Shqipërisë nuk ban t’i ngjitemi sepse asaj po i mjaftojnë problem e veta ( dhe e kemi të ndaluar nga “Ahtisari”) dhe, prap, po mbetet e vetmja zgjidhje që të kthehmi atje ku kemi qenë…!
Më 07.09.2020 Prishtinë