Sylejman Krasniqi

Sylejman Krasniqi: Kombi kosovar është pjellë e ortodoksisë ballkanase

Kohët e fundit  është aktualizua (apo riaktualizua) formimi i kombit kosovar. Flitet dhe shkruhet për te në forma, shije dhe mënyra nga më të ndryshmet. Në shtypin e përditshëm shkruhen, kohëpaskohe, komente,analiza por edhe studime mbi formimin e kombeve përgjatë historisë. Nga analistët dhe shkencëtarët  tanë (shqiptarë) ipen edhe “kontribute”  se si mund të formohen  edhe tani kombe të reja. Bile edhe nguten, se mos po vonohen, në shpikjen e ndonjë kombi të ri. Thua se ka ndonjë konkurs nga komisioni i çmimit “Nobel” për sa më shumë kombe të reja dhe “cilësore”. Nuk merrem me shkencat shoqërore prandaj edhe nuk i shfletoj revistat , buletinet e as periodikët që shkruajnë për këto lëmi. E lexoj vetëm shtypin e përditshëm. Nëpër ato revista, buletine dhe periodikë mund të ketë shkrime dhe analiza më të thukta për mënyrën e formimit të kombeve të reja por edhe të shartimit të kombeve sipas dëshirës së porositësit.

Në të përditshmen “Epoka e Re” të datës 7 shtator 2016 u botua shkrimi i Fadil Malokut me titull “ Kosova nuk ka nevojë për komb të ri, por për një shtet të ri gjithëshqiptar në Ballkan”. Në këtë shkrim më bëri përshtypje fjalia “Por, jo edhe aq sa tani ( i adresohemi botëkuptimit të sotëm perëndimor mbi kombin) ta fillojmë procesin e promovimit të kombeve të reja(!?) ashtu siç po trumbeton dikush për interesa të paidentifikuara akoma”. Pjesa e fundit e fjalisë “…për interesa të paidentifikuara akoma” i ngre dy pyetje kryesore. Shartimi  i  kombit kosovar a është i cytur nga faktori i jashtëm apo nga faktori i brendshëm? Nëse ideja për shartimin e kombit kosovar ( nga ai shqiptar) është e faktorit të jashtëm atëherë ai , pa  fije dyshimi,  është faktori  ortodoks në Ballkan.

Gjasat më të mëdha janë që të jetë ideja e faktorit ortodoks të Ballkanit e që përfaqësohet nga interesi serb e grek dhe e përkrahur edhe nga Rusia dhe një pjesë e burokracisë europiane. Shumë projekte ortodokse janë shkruar, përpunua dhe përdorë nga serbët dhe grekët për zhdukjen e shqiptarëve nga faqja e dheut të Ilirisë ( Ballaknit). Mbi tri të katërtat e territorit shqiptar janë marrë nga serbët,malazezët, maqedonasit dhe grekët. Vilajete dhe nahi të tëra janë asimiluar nga këto shtete fqinje. Të gjitha këto shtete dhe popuj janë rritë me territore dhe me popullatë në kurriz të shqiptarëve. Të gjitha e kanë arritë nocionin “e Madhe”. Pra Serbia e Madhe, Greqia e Madhe, Mali i Zi i madh ( edhe pse me territor dhe popullatë  është  i  vogël  por shtrirjen e ka në tokë të huaj). Dhe asnjëra nga këto shtete nuk i thotë  vetit se është “e Madhe”. Veçse Shqipërinë e akuzojnë se do të bëhet Shqipëri e Madhe. Nocioni “shtet i Madh” mund t’i thuhet vetëm atij shteti që shtrihet në toka të huaja e kurrsesi atij që shtrihet në tokën e vetë dhe me popullatë të veten. Prandaj Serbia dhe shtetet përreth e kanë sajua  termin “Shqipëria e Madhe” për të pamundësua shtrirjen e shqiptarëve në tërë hapësirën e vet natyrale.

 Të gjitha këto i përmenda më lartë sa për të tregua se mënyra të llojllojshme  kanë përdor për të na zhdukë dhe asimilua si popull por përçarjen ose copëzimin në  kombe të paqena deri sot nuk e kanë provuar.

As kur kemi qenë në nivelin e “sharraxhiut” nëpër rrugët e Beogradit. Atëherë na thoshin “shiftar” për të na dallua nga “allbancat” e Shqipërisë por, çuditërisht, këtë përpjekje të ndarjes artificiale nga trungu i kombit e kemi përballua për mrekulli edhe pse kemi qenë në nivelin e “sharraxhive” në krahasim me ditën e sotit që jemi në nivel shumë më të arsimuar  e deri në nivlin e “akademikëve” dhe nuk e kemi çizmen sërbe mbi kokë. Pasi që ortodoksia ballkanase na ka neve, shqiptarëve, borgje të mëdha në territore dhe në asimilim të popullatës, asaj i është dashur që mos të lerë guri pa lëvizur vetëm e vetëm që të pengoj rrumbullaksimin e idealit të tërësisë tonë kombëtare dhe shtetërore. Tani i kanë angazhua të gjitha forcat e veta shkencore dhe fetare për të gjetur rrugën e pengimit të integrimeve shqiptare  në këtë qindëvjeçarin e ri. Në këtë pikëpamje, pavarësisht nga “demokratizimi” i Sërbisë, ajo nuk i ka shkatërrua institucionet e veta shkencore dhe shoqatat siçë janë Akademia e shkencave, Francuska 7 bashkë me  kishën Ortodokse si prijatare në përpjekjen për shpërbërjen e elementit shqiptar në hapsirat e Ilirisë (Ballkanit). Prandaj edhe nisma për copëzimin e qenjes shqiptare mund të jetë përpjekja e fundit e ortodoksisë së Ballkanit për të shpëtua vetë nga borgjet e vjetra dhe të reja që ia kanë tërësisë shqiptare. Tani  dëshirojnë ta provojnë modelin boshnjak ( me kombin musliman ) tashmë të dështuar dhe modelin maqedonas i cili është në rrugën e dështimit. Por asaj ( Sërbisë ) i mjafton që të na sjell pengesa në rrugën tonë të ecjes përpara, bile në disa dhjetëvjeçarët në vijim. Për këtë projekt ajo i angazhon njerëzit e vetë shqipfolës  të cilët i ka të ulur këmbëkryq në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe nëpër institucione të rëndësishme të Kosovës.

Ky projekt është  edhe më i dëmshëm se vendimet e konferencave  të Berlinit, Londrës, Versajës dhe të  Jalltës. E kjo mund ta ketë zanafillën edhe në Rambuje ( bashkë me Veriun e Mitrovicës) e vazhdimin në Vjenë e Bruksel dhe mbahet larg dijes së opinionit. Mendoj se edhe elitat politike europjane kanë detyrime të mëdha ndaj shqiptarëve sepse në dy qindvjetëshat e fundit kanë bërë shumë pazare në dëm të shqiptarëve dhe, megjthate, Ballkani nuk u qetësua. Me shtete dhe kombe artificiale nuk arrihet paqja në rajonin e Ilirisë. Të iu shërbejnë si shembuj formimi i Greqisë e i Sërbisë në qindvetëshin e XIX dhe i Jugosllavisë së Versajës( ose Mbretëria SKS-e) dhe Jugosllavia e AVNOJ-it  si dhe formimi i kombit maqedonas pas LDB-së. Nëse thuhet se i mençuri mëson mga gabimet e huaja atëherë Europa duhet të mësojë, bile, nga gabimet e veta. Shartimi ose copëzimi i kombeve nuk  ka zgjidhë asnjë problem por ato( problemet)  vetëm  mbulohen  me hi dhe shpërthimi  i zjarrit ndodh në kohën më të papërshtatshme dhe në atë zjarrë do të digjen të gjitha palët.

Pak gjasa ka që shartimi i kombit kosovar të gjendet në faktorin e brendshëm. Mendoj se cytja është nga jashtë( Serbia dhe pjesa ortodokse e rajonit dhe me përkrahjen e Europës burrokratike) por që kanë gjetë argat shqipfolës të përgatitur që në kohën e ish-Jugosllavisë. Kjo frymë përçarëse ndër shqiptarët e Kosovës i dha shenjat e para menjëherë pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë në nëntor të vitit 1972 nëpërmjet shqipfolësit Sinan Hasani (ish funkcionar federal në Jugosllavinë e AVNOJ-it). Vendimet e këtij Kongresi çmoheshin si hapi i parë drejt  realizimit të projektit të Rilindasëve tanë të ndritur. Prandaj ky hap shumë largpamës i verboi armiqët tanë dhe prej atëherë nuk lënë guri pa lëvizur për të pengua hapat e tjerë që mund të vinin… Për fatin tonë të mirë mjeshtri ( latuesi me specializimin e kryer në Kumrovc) me sopatën e vetë nuk mundi ta çajë lisin në majën e tij por vetëm ia gërrithi pakëz lëkurën.  Pas fillimit të lëvizjeve demokratike në Shqipëri u bë një rrëmujë e vërtetë në vrapin se cili do të hudhte gurë më shumë në çvlersimin dhe përdhosjen e Kongresit të Drejtshkrimit të Shqipes standarde. Njëkohësisht punohej edhe për çthurjen dhe ç’integrimin e Shqipërisë mbi bazën  fisnore-dialektore dhe klanore.  E për problemin e Kosovës  mos të flasim sepse ai  mbeti anash,  ngase partitë politike e kishin hallin se cila do të mbërrijë  sa më parë në pushtet  dhe bënë garë se cila do të shkatërroi  shtetin  më shpejt dhe më shumë  në mënyrë që të marrë nga  jashtë poena  më “cilësorë”.  Fatmirësisht edhe  ky skenar i bluar kushdi se ku dështoi me turp por ishte mjaft i kushtueshëm

Më  të moshuarëve iu kujtohet se deri në fillimin e viteve të nëntëdhjeta të shekullit që e lamë pas, të gjitha grupet ilegale të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe shteti shqiptar, të vetmin variant e kanë patur që të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi të bashkoheshin  në një Republikë dhe pastaj të bëhet integrimi shqiptarëve në një shtet. Se kah lindën tri-katër variantet e tjera ia lëmë kohës të tregoj. Tehu i përpjekjeve  tani u tkurr në bërjen e republikës së Kosovës në kufijtë  e sotëm por me disa caqe të papërcaktuara qartë…

Nuk vonoi shumë dhe doli në skenë flamuri  Dardan!? Me paraqitjen e flamurit të Dardanisë( sipas meje) zë fill  çarja shqiptare. Se a ndodhi kjo rastësisht apo ishte e kurdisur  nga ndonjë qendër e huaj nuk dihet ende. Me sa dihet nga historia fiset ilire pushojnë së përmenduri  që nga koha e zëvendësimit të emërtimit  tonë  Arbër  në vend të emrit Ilir. Dhe që nga Kuvendi i Lezhës  pushojnë së qëni  edhe principatat  dhe  Arbëria bëhet  njëshe.  Ringjallja e kujtesës për fisin ilir të dardanëve ishte sa joshëse aq edhe tepër tinëzare. ..Çka na u desh ky flamur në këtë kohë të pakohë?! Thua se nuk na mjaftoi  flamuri i ynë që iu përballoi shekujve si asnjë flamur tjetër  i  botës së qytetëruar. Vetëm disa vjet para se të “pillte” flamuri Dardan, Millosheviqi me të gjithë aparatin represiv , u mundua që të na e ndërroj flamurin tonë kombëtar  sepse ne ,shqiptarët e Kosovë, duhet të kishim një flamur i cili do të dallonte nga ai i shtetit shqiptar. Nuk e kam për qëllim rehabilitimin e klasës politike të asaj kohe por  ajo,  klasa politike e kohës,  për mrekulli  i rezistoi kësaj përpjekjeje të Serbisë për ta përçarë shqiptarinë. Paralelisht me daljen në sipërfaqe të flamurit Dardan,  në Shqipëri  filloi fushata për çmontimin e Kongresit të Drejtshkrimit. A ishin këto dy ngjarje të veçuara nga njëra tjetra apo e kishin të njetin burim frymëzimi? A ishin të cytura  nga jashtë apo ishin autoktone? Dua të besoj që nuk ishin ide vendase!? Por realizatorët ishin shqiptarë dhe studiues të fushave të ndryshme dhe me tituj shkencor të fituar që nga Sorbona e këtej.  Këto dy ngjarje ishin shenjat e para të çarjeve brenda shqiptare. Përçarje kemi patur që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri tani. Por këto kanë qenë për shkak të rrugëve të ndryshme për fitimin e pavarësisë. Asnjëherë deri tani, nuk është përmend ndonjë mundësi e shartimit të pjesëve të shqiptarëve në kombe të reja. Kjo ide u aktualizua vetëm në fillim të qindvjetëshit të ri. Dhe ndodhi në kohën kur bota e qytetëruar shikon të ardhmen e globalizmit e ne kthehemi në kohën e fiseve ilire dhe në kohën e fiseve të mesjetës. Përpjekje serioze u bënë për të nxit një ndarje veri-jug apo gegë dhe toskë. Një fjalë e urtë e jona thotë se ”lisi çahet vetëm nga pyka e vetë”. Nëse latuesi i parë ( i Kumrovcit) nuk mundi ta çajë lisin në maje por vetëm ia gërrvishi lëkurën, latuesit tanë me grada shkencore të Sorbonës ishin më të “mprehtë” sepse lisin filluan ta çajnë nga rrënja ( nga themeli) dhe ia arritën që ta  futin pykën e parë në të çarën e parë me këto dy rastet e përmendura më lartë…

Mendonim se këto çarje të paraqitura nga fundi i qindveçarit të kaluar do të zhduken pas luftës së Kosovës. Sepse do të krijoheshin rrethana të levërdishme për luftimin e dukurive negative e sidomos do të këputeshin lidhjet e ndikimeve ortodokse në zhvillimin tonë shoqëror në të gjithë lëmenjtë e jetës. Por, fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Ndodhi e kundërta e asaj që është pritur. Bile edhe shumë më keq. Tani filluan marifete të tjera edhe më të hapura e më të përsosura  dhe konkrete. Tani u shfaqën haptazi  projektet e rezervës së artë të ortodoksisë. Realizimi i përpjekjes së fundit për ta përça, ose së paku për ta ngadalësua ecjen përpara të Kosovës së pavarur dhe integrimin e shqiptarëve, mund të bëhet më leht dhe në mënyrë më tinzare. Sepse mendohet se Sërbia nuk ka ndikim të drejtpërdrejt në rrjedhat në Kosovë. Por ajo punon me dorën e zgjatur të sajë për të cilën ditë është përgatit me dhjeta vjet përpara. Ajo ka investua në njerëz me vite të tëra dhe i ka në gatishmëri të plotë të gjitha kapacitetet. Në qindveçarin e ri dolën edhe “marifete” të reja. Tani, në Kosovën e lirë, po u dashka që domosdo të formohet edhe një komb i ri. E ky komb i ri duhet të quhet “kosovar”. Barrën për formimin e kombit kosovar  e morën mbi vete disa gazetarë dhe analistë. Besa në mesin e tyre ka edhe profesorë universiteti. Në mbrapavijë iu qëndron edhe Akademia e Shkencave të Kosovës. E them kështu sepse kurrë nuk e ka marrë mundimin që me një paraqitje publike të thotë mendimin e vetë për këtë hata që po na futet. Po të ishin ndër të gjallët me bindje të plotë them se do të reagonin akademikët e nderuar: Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Esat Mekuli, Eshref Ademaj  dhe intelektualët Ismet Gusia, Ejup Statovci dhe Ukshin Hoti. Thuhet se vetë heshtja do të thotë miratim i asaj për të cilën flitet. Për këtë temë nuk ka reaguar as Akademia  e Shkencave të Shqipërisë. Profesori  i ndjerë Kristo Frashëri e ka patur një shkrim të gjatë me të cilin e hodhi poshtë këtë çmenduri.

Por ai reagoi si individ e jo në emër të Akademisë. Bile, me sa kam dëgjua, në Akademinë  ” tonë” është duke u përgatit përpilimi i një Fjalori Enciklopedik të Kosovës. E që don të thotë se nga vetë Akademia  po i përgatitet një thikë pas shpine kombit shqiptar. Me sa kam njohuri unë Fjalorë Enciklopedik nuk përpilojnë mëhallët, nahitë, krahinat e as fiset e bajraqet por vetëm  kombet. E ne si komb i kemi të përpiluar dy Fjalorë Enciklopedik në të cilat janë përfshirë të gjitha trevat shqiptare. Si shtet nuk kemi nevojë të përpilojmë fjalor sepse jemi i njejti komb.

Nëse mendojmë që këta fjalorë nuk janë të kompletuar sa duhet dhe si duhet mund të punohet edhe për herë të tretë. Tani që i kemi dy Akademi shqiptare (akademi  u thënëqin këtyre  të dyjave). Nëse në këta fjalorë nuk janë përfshi shumë zëra nga treva e Kosovës tani mund të përfshihen sepse nuk besoj që ka dikush që mund t’i pengoj këto dy akademi të bashkëpunojnë mes veti. E sidomos nëse thuhet se akademitë tona janë të shkëputura nga politika…Por, si po duket, që të dy Akademitë shqiptare janë të kapura nga politika dhe nga klanet fisnore e  krahinore. Të gjitha mundësitë janë që të dy  Akademitë tona të bashkohen në një Akademi të vetme dhe t’i kthehen punës për të cilën janë themelua.  Mendoj që me punën pa hile të Akademisë së bashkuar shqiptare do të ishim në gjendje që të neutralizonim  ose paralizonim çdo përpjekje qëllimkeqe të të gjitha Akademive ortodokse dhe të shtronim rrugën e sigurt të integrimit shqiptar.

Me paraqitjen në opinion dhe me reklamimin e kombit kosovar ishte dashtë të merret  edhe Instituti i Historisë, por pse jo , edhe Instituti Albanologjik. Institutit të Historisë i ka dalë punë me kombin kosovar sepse duhet të ketë kujdes që t’i ndajë heronjtë kosovar nga ata shqiptar. Edhe kjo punë qenka fare e thjesht sepse të gjithë ata heronj që kanë rënë në luftëra duke e kënduar himnin e Kosovës dhe me flamurin e Ahtisarit në dorë nuk do të ia lëmë Shqipërisë. Gjithashtu edhe luftërat duhet të ndahen me kujdes të veçant. Edhe epokat historike duhet të ndahen me kujdes. Deri në Epokën e UÇK-së kemi qenë të gjithë shqiptarë. Pra deri në Konferencën e Rambujesë kemi  veprua të gjithë së bashku. Nga Rambuje-ja e deri tek Mati Ahtisari u hamendëm se nga do të ia mbajmë. Por Ahtisari na e “kthjelli” mendjen dhe vendosëm me u nda në dy kombe sepse, vërtetë, u bë shumë kohë që kemi jetua bashkë! Ahtisari ua punoi me “drejtësi” sepse të gjitha kombet dhe kombësitë i barazoi  me nga një yll  në flamur. Edhe Institutit Albanologjik i ka dalë mjaft  punë. Së pari ai duhet të mendoj për emrin e Institutit sepse më nuk mund të quhet albanologjik. Mandej i duhet që të zbuloj një alfabet të ri. Ndoshta diku në sirtarë të Brukselit ( e me propzim të Beogradit) është i përpiluar edhe alfabeti. Uroj që të mos jetë me shkronja qirilike e as greke. Por kombinimi i këtyre të dyjave do të ishte i pranueshëm për elitën  “kosovare”. Mos të befasohemi nëse Sëbia ndikon që ne të na trasplatohet një alfabet arab  sepse ashtu e dëshiron Sërbia dhe  Brukseli  nuk ka se si të mos ia miratojë. Mjafton  që vetëm të mos ngjajë me alfabetin e shqipes së Manastirit.

Është e habitshme se si, deri tani, nuk kanë reaguar asnjë herë as institucionet e Kosovës, duke përfshi këtu kryeministrin dhe kryetarin e shtetit. Si po duket, këtyre të fundit, edhe po iu pëlqen ky shartim i yni. Më kujtohet kur para luftës së UÇK-së në  konferencat për shtyp që mbaheshin të “xhumave” kur thuhej se “Zgjidhja më e mirë do të ishte një republikë e pavarur dhe e hapur ndaj Shqipërisë dhe Sërbisë” Dhe si duket kjo u tani u realizua. Të presim e  të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet me këtë multienicitetin tonë kosmopolit e të pashoq. Me  këto exteritorialitete të kishave dhe me “zajednicën” e  komunave serbe . Nuk e di se në planin afatgjatë a do t’i bashkohen edhe sërbët e Kosovës dhe minoritetet e tjera kombit kosovar ngjajshëm sikur kombit jugosllav të kohës së Titos dhe të Azem Vllasit. Në këtë rast do të formohej një komb me ADN të pastër si loti. Por nuk duhet të habitemi sepse ishte qeveria e Kosovë, kryetari i sajë, deputetët ( të zgjedhurit e popullit) në Kuvendin e Kosovës ( së pavarur) të cilët e pranuan dhe e votuan me vetëdëshirë ( pa tanke dhe autoblinda përrreth) çarjen e kombit tonë përmes të miratimit të flamurit dhe të himnit, madje në mënyrë unanime!!!

Shumë furtuna dhe ndërskamca ka përjetua populli shqiptar. Edhe këtë përpjekje për çarje do ta kapërcej me sukses. Këto janë përpëlitjet e fundit të armiqëve tanë të jashtëm dhe argatëve të tyre në mesin tonë. Për armiqët tanë nuk na takon që të brengosemi fare se si do ta pësojnë. Nuk e di se si do ta ndiejnë veten ata njerëz ( dhe pasardhësit e tyre) të cilët i bënë argatin “kombit kosovar”?

  1. Kërkoj falje nga besimtarët ortodoks të të gjitha kombeve që në titull dhe gjithkund në tekst e përdora nocionin “ortodoks” në një kuptim jo fort të pëlqyeshëm. Kjo nuk ka të bëjë fare me fenë ortodokse në përgjithësi, por vetëm me segmentin ortodoks nacionalist ballkanas, i cili na shkaktoi dëme të mëdha neve, shqiptarëve, në këta dy qindvjetëshat e fundit. Përndryshe për besimin ortodoks kam respekt të veçantë, sepse vetë ortodoksia shqiptare është prijatare e zgjimit tonë kombëtar. Këtu kam parasysh Jeronim De Radën, Papa Kristo Negovanin, Petro Nini Luarasin e  shumë të tjerë, roli i të cilëve në Rilindjen tonë kombëtare është i pazëvendësueshëm. Nuk mund të mos përmendet edhe  Fan Noli i cili, me përkushtim të pashoq, e vulosi pavarësinë e ortodoksisë shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …