Aromë Shqipërie
Është bërë traditë që të përkujtohen datat me rëndësi të veçantë nga historia jonë shumë e bujshme. Përkujtohen ditët e betejave, të luftërave , të ngjarjeve me peshë, ditëlindjet e martirëve, të dëshmorëve, të heronjëve. Përkujtohen edhe datat e rënjeve heroike të tyre por edhe të vdekjeve të natyrshme të veprimtarëve të çështjes kombëtare sepse edhe vdekjet natyrale të tyre e kanë peshën e njejtë sikurse të vdekjeve në fronte të luftës. Edhe këta e kanë “ndjellë” vdekjen nëpër llogore apo edhe nëpër qytete, ku kanë veprua pa iu trembur syri edhe në ditën me diell. Vdekja edhe mund t’i ketë “kursye” këta idealistë, ndoshta, me qëllim që t’a shijojnë lirinë për të cilën nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre.
Një tubim përkujtimor u organizua edhe për veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare dhe për luftëtarin e lirisë, Shasivar Makollin-QALIN, nga Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 26 prill. Atë ditë, paradite, u bënë homazhe tek varri i tij dhe u zbulua pllaka përkujtimore me simbolin të cilin e deshti dhe për të cilin kishte punua dhe luftua tërë jetën. Kurse pasdite u mbajt një tubim përkujtimor në sallën e Teatrit të Kosovës. Në këtë akademi përkujtimore e morrën fjalën shumë luftëtarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët e njihnin nga afër dhe që kishin bashkëpunua dhe bashkëluftua me Shasivar Makollin. Me rradhë e muarrën fjalën përfaqësues të instirucioneve të Kosovës dhe të shoqatave të ndryshme. Të gjithë ia njohën meritat e veprimtarisë të Shasivarit në organizim, në syqeltësi, në trimëri, në vendosmëri, në këmbëngulësi dhe në çdo lëmi që kishte për strumbullar çështjen shqiptare.
Në fund, në emër të familjarëve, të pranishmit në akademi i përshëndeti vajza e Shasivarit, Merita Makolli. Fjala e saj, të pranishmëve u solli shumë emocione. Shokëve të punës të Shasivarit, të pranishëm në sallën e teatrit, u rrodhën edhe lot nga sytë në faqe, prej fjalëve të Meritës. Sepse, Merita, e preku thelbin e karakterit të të atit, ashtu siq e njihëshin shokët e punës për ato dyzet vjet sa kishin punua bashkë në minierën e qymyrit në Bardh të Madh ( ish Bellaqevci ). Brenda një fjalie ajo e tha, dhe e dha, natyrën dhe idealin e babait pa kurrëfarë zbkurimi. Këtë ideal ai kurr nuk e ndryshoi por as nuk ia “përshtati” kohës. Thelbi i fjalë së Meritës ishte “ kur babai u kthye nga Shqipëria për herën e parë ne, fëmijët e tij, iu merrnim erë rrobave të babait sepse atyre u vinte era Shqipëri dhe nuk ngopeshim me atë erë. Prandaj unë, këtu nga kjo sallë, uroj që brezat e ardhshëm, fëmijët tanë, të rriten me atë aromë të ëmbël që e kemi ndjer ne në rrobat e babait tonë” Kjo na bëri të përlotemi sepse, jemi të sigurt që, Shasivari e dha porosinë, nëpërmjet gojës së vajzës së ti Meritës, për ne dhe për brezat që vijnë. Kjo na ktheu për dyzet vjet prapa kur më 1 shtator 1980 shkuam për vizitë dyjavore në Shqipëri 30 punëtorë nga miniera e qymyrit e Bellaqevcit me nismën dhe organizimin e Shasivar Makollit. Ishte një ekskurzion i cili na la përshtypje të jashtëzakonshme dhe e cila nuk mund të harrohet kurrë. Ato ditë ëndërrat tona u bënë realitet sepse kishim arrijtë të vizitonim nënën Shqipëri. Dhe nuk lamë krahinë, qytet, muze, shtëpi muze, fabrikë, uzinë pa e vizituar. Emocione të veçanta patëm kur u ndalëm tek pëmendorja e heroinës së punës, Shkurte Pal Vata, në hekurudhën .Rrogozhinë – Fier. Kurrë nuk do të harrojmë fjalët që na i tha Shasivari pasi bëmë fotografi tek përmendorja e Shkurte Pal Vatës. “Kur do të punojmë edhe ne, në Kosovë, për vete? Edhe ne jemi punëtorë të vyeshëm. Tani që e kemi edhe shembullin e Shkurte Pal Vatës, të Ismet Sali Bruçajt dhe të Adem Rekës. Edhe te ne punohet shumë dhe ka sakrifica të mëdha në punë por mundi ynë shkon në Sërbi dhe në pjesët tjera të Jugosllavisë”.Pse edhe tek ne mos të ketë hero të punës, thoshte shpesh Shasivari, kur edhe ne po ngrisim fabrika, uzina dhe kombinate të mëdha. Të gjitha këto po i ngrisim me duart tona, me djersën tonë, me shpatullat tona. Por do të vjen edhe ajo kohë…Një ditë, në bisedë e sipër mes kolegëve të punës, Shasivari u tregonte shokëve se si e kishim kalua në Shqipëri, një kolegë sërb i thotë Qalit “…pasi po iu pëlqen aq shumë Shqipëria pse nuk po shkoni me jetua atje?” E Qali, si gjithëherë që përgjigjen e kishte në maje të gjuhës, ia ktheu “ Po ne në Shqipëri jemi. A nuk po ndien erën e saj a?. Po ti nuk ke faj se nuk i ke në rregull shqisat e të nuhaturit” Kolegu sërb u mvrejt në fytyrë dhe nuk bëzajti më. Dhe kishte të drejt Shasivari sepse atëherë minierës së qymyrit në Bellaqevc i thoshin herë “Shqipëri e vogël” e herë “ miniera shqiptare”. Pas disa kohe inspektori federativ i sigurimit, Lutfi Ajazi, shumë herë e thirri në biseda informative Shasivarin për vizitën në Shqipëri duke e këshillua që të mos fliste shumë për atë ekskurzion sepse e dëmtonte veten dhe rrethin. Rrallë herë fliste për torturat psiqike që i kishte patur nga inspektori për organizimin e ekskurzionit, për takimin e ti me Sokrat Plakën dhe Ilia Robjën në ambasadën e Shqipërisë dhe për pyetje dhe provokime të tjera. Ai, prej natyre ka qenë veprues, por i heshtur.
Njeri nga shokët, në dalje të sallës së teatrit, pyeti me kurreshtje se nga i ranë ndërmend këto fjali Meritës në këto momente? Po tradita në familje e bënë veten, ia ktheu shoku tjetër. Ne e kemi dëgjua disa herë se breza të tërë të makollëve e kanë ruajtur brezin kufitar që nga Çuka e Drazhnjës, Merdari, Përpellaci e deri tek vija kufitare e Karadakut të Gjilanit, nga zaptuesit e egër bullgarë e sërbë. Ne e kemi dëgjua se familja e makollëve iu kanë dhënë bukë dhe i kanë strehua trimat Musli Dumoshin dhe Azem Bellaqevcin( Jashanicën) pas luftës së dytë botrore. E dimë, gjithashtu , se djali i makollëve ia kalli datën Dushan Turuqicës në mes të ditës dhe prej atëherë krejt krahina e Llapit morri frymë lirisht. Kush iu gjet afër, në kohën më të vështirë, bacës tonë, Adem Demaçit, pos djali trim i makollëve- Shasivari? Nuk e tha kot pak më parë gjenerali i ushtrisë shqiptare, Kudusi Lame, se Shasivari nuk ndodhej rastësisht afër fuqisë kombëtare, Adem Demaçit. Patën shumë pika të përbashkëta baca Adem dhe Shasivari, por kryesorën e patën Nënën Shqipëri.
Pas luftës së UÇK-së Shasivari u angazhua me mish e me shpirt ( si i thonë fjalës ) për riaktivizimin e KEK-ut, me gjithë shokët që i kishte pranë. Në dy vitet e para KEK-u u ringjall plotësisht. Pastaj u hetua një plogështi në entuziazëm të punës. Qali e hetojë që nuk ishte më koha e sakrificës së Shkurte Pal Vatës me shokë! Tani sakrifica ishte zavendësua me interesin vetiak. Pra kishte vdekur ideja e heronjëve të punës… Përkundrazi…! Ishin ngjallë orekse të tjera…!
Me rëndësi është se Shasivar Makolli, përmes vajzës së ti, Meritës, ua la porosinë brezave që vijnë pas nesh se era ( aroma ) e vetme që i rritë brezat tanë dhe i bënë të shëndetshëm, është aroma e Shqipërisë.
Në foto: obelisku i heroinës së punës socialiste Shkurte Pal Vata në trasenë e hekurudhës Rrogozhinë –Fier. Fotografuar më 5 shtator 1980.
Ulur me grushtin lart Shasivar Makolli: në këmbë anash, vllezërit Ibrahim dhe Ismail Maxhera nga Bellaqevci dhe në mes, Ramiz Shehu ish drejtor i “Albturistit” në vitet e 80′-ta nga Tirana.
07.05.2019 Prishtinë