Kësaj herë nuk do të zgjatem më shumë në të mirat ose në të këqijat që i kemi pësua nga shumësia e besimeve tek shqiptarët. Do të ndalem vetëm tek një segment i vogël i tyre. Do të bëjmë fjalë për “bashkëjetesën” ndërfetare pas vdekjes. Derisa në Shqipëri dhe në disa qytete të tjera shqiptare kjo “bashkëjetesë” është regullua me kohë, në Prishtinë ende nuk është zgjidh ky problem. Në të vërtetë ky nuk është problem por është një çështje e cila don zgjidhje. Po i përmendi dy ndodhi për të cilat është në dijeni autori i këtyre rreshtave dhe të cilat i kanë lënë mbresë të pashlyer dhe e cila mendoj që tani kërkon zgjidhje.
Rasti i parë ka të bëjë me një intelektual në zë dhe i çmuar i cili ka punua dhe veprua në Prishtinë në dyzet vjetët e fundit të shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit tonë. Kishte ardhur në Prishtinë në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet nga rrethi i Dibrës apo i Strugës (tani nuk më kujtohet). Gjatë shkollimit ishte brumos me dije dhe u bë ndër intelektualët më në zë në kryeqytet dhe më gjërë. Kështu kishte formua rreth të gjërë shoqërie. Vitet e fundit të jetës kishte vendos që të konvertohet nga feja muslimane në atë katolike. Shokët dhe miqët që e njihnin ia miratuan vendimin pa asnjë vërejtje. Dy-tri vjet pasi që ishte konvertua kishte vdekur. Shokët dhe miqët e shumtë i shkuan familjes në ngushllime dhe në përcjelljen e fundit për në varreza. Në fillim turma ishte mjaft e madhe. Rrugës për në varreza turma sa vinte e shtohej. Në momentin kur makina me trupin e pajetë i afrohet kryqëzimit tek semaforat e lagjes Dardania ( tani tek sheshi Bill Klinton),dhe kur makina merr drejtimin për nga Fushë Kosova, në turmën që e shoqëronin kufomën u çfaq një hamendje dhe filluan njerëzit ta shikojnë njeri tjetrin. Dhe kur makina morri përfundimisht drejtimin nga varrezat sërbe, hamendja që ishte deri atëherë u qartësua. I ndjeri do të varroset në varrezat sërbe. Shumica nga shokët, miqët dhe dashamirët e të ndjerit e lëshuan rreshtin dhe u shpërndanë secili nëpër banesat e tyre ose edhe në punët që i kishin lënë në gjysmë vetëm për ti dhënë lamtumirën e fundit shokut dhe mikut tyre të dashur. Për një kohë të gjatë temë bisedimi bëhet vendi i varrimit të intelektualit të njohur. Derisa konvertimi i tij nuk shkaktoi biseda dhe komente ndër shokë dhe dashamirë vendvarrimi nuk mundi të kaloj pa u komentua në mënyra të ndryshme. Shumica dërmuese e bisedave nuk e miratuan varrimin në varrezat sërbe me arsyetimin se i kemi në Prishtinë varrezat e shqiptarëve. Ishte befasi për rrethin se çka iu desht familjes së të ndjerit (por edhe të ndjerit, nëse ai ka lënë porosi për t´u varrosur tek varrezat sërbe) që ta kryejnë këtë veprim mu në varrezat e armikut tonë shekullor? Dihet që në Prishtinë ishin vetëm dy vendvarrime: varrezat e shqiptarëve në lagjen Arbëri (ish-Dragodan) dhe varrezat sërbe në lagjën Lakrishte. Për varrezat që tani quhen si ”varreza sërbe”, historianët dhe studiuesit shqiptarë, thonë se kanë qenë varreza të shqiptarëve ortodoks që nga koha e luftës turko-austrohungareze e fundit të shekullit shtatëmbëdhjetë e deri në fillimin e shekullit të njëzetë kur filloi kolonizimi i Kosovës me kolonë sërbë nga Lika,Dalmacia dhe Bosna. Sërbët këto varreza i kanë përvehtësua si të tyre. Është kjo traditë sllave e shtrebërimit të historisë mbi të cilën ndërtohet tradita gënjeshtare sllave. Kështu edhe fillon asimilmi me dhunë i shqiptarëve ortodoks në sërb. Prej nga edhe varrezat tani e tuitje quhen varreza sërbe. Ishte edhe një vendvarrim i cili quhej “varrezat e jahudive”( hebrejve) por ai me kohë ishte lënë anash mbasi nuk kishte më hebrej në Prishtinë. Habiteshin njerëzit se pse mos me e varros të ndjerin në varrezat e shqiptarëve por në ato të sërbëve!? Nëse ai u konvertua në të krishter ai prap ka ngel shqiptar. Bile,disa më të moshuar që kyqeshin në këto biseda dhe komente thojshin se gjithmonë: “e lemja është më e afërt se e blemja” dhe se me sërbin nuk na lidhë asgjë e aq më pak me ortodoksinë e tyre të skajshme.
Rasti i dytë ka të bëjë prap me një intelektual dhe ekspert kulminant në lëminë e tij. Ky ishte nga Prizreni por kishte mbarua studimet në Beograd dhe kishte fillua punën,aty nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta në njërin nga kombinatet më të rëndësishëm të Kosovës. Ishte nga ekspertët që kishte dhënë shumë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pasi tema e këtij trajtimi ka të bëjë me religjionin po e ceku që ky ishte i besimit katolik. Edhe ky kishte krijua rreth shumë të gjërë shokësh dhe miqësh në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën.Shokët dhe miqët e respektonin dhe e nderonin shumë. Në jetën e tij prej eksperti dhe drejtuesi të një pjese të ekonomisë së Kosovës kishte kalua nëpër shumë kurthe dhe ndërskamca, sikur edhe të gjithë shqiptarët, nga partiakët dhe udbashët sërbë. Të gjtiha i kishte tejkalua me syqeltësi, gjakftohtësi, vigjilencë dhe zgjuarësi të pashoqe. Dy-tri vjet pas përfundimit të luftës çlirimtare eksperti ynë vdes natyrshëm në vendin e punës. Ceremoniali i varrimit u bë fare natyrshëm nga familjarët,farefisi dhe nga e gjithë shoqëria e gjërë. I ndjeri para se të vdiste u kishte lënë porosinë familjarëve se kur të vdiste kishte dëshirë që të varrosej në Prishtinë dhe varri i tij të kishte pamjen nga tymtarët e termocentraleve. Varrimi u bë në varrezat e shqiptarëve në Arbëri (ish-Dragodan) me një pjesëmarrje masive të qytetarëve prishtinas, por edhe nga qytetet e tjera të Kosovës. Nuk mungoj as ceremonia fetare në krye me klerin. Të gjithë të pranishmit e miratuan ceremoninë dhe u ndanë të kënaqur. Për prishtinasit ishte e habitshme që një shqiptar i besimit të krishter të varrosej në këtë vend. Bile rrugës për në varreza njëri e pyet kolegun e vet: Si i lindi ideja të ndjerit që të varroset në këto varreza? Tjetri iu përgjigj me shpejtësi: Ti e ke përcjellë jetën dhe veprimtarinë e tij sepse jeni shokë për shumë vite. Ti e din që ai ka lindur shqiptar, tërë jetën ka veprua vetëm si shqiptar dhe më në fund vdiq dhe u varros vetëm si shqiptar. Kurrë në asnjë moment nuk i ka fry rrëshekut të ndarjes ose përçarjes. Ai edhe kur u bë sistemi shumëpartiak nuk u fut në asnjë parti politike. Edhe kur i thanë që të anëtarësohet në parti, tani pas çlirimit, sepse mund të caktohej në pozita të larta drejtuese në ekonomi (si ekspert kulminant që ishte) nuk pranoi. Pra me një fjalë, i ndjeri, e ka urrejtë çdo gjë që na ndanë e na copëzon. Prandaj për mua nuk është aspak befasi vendimi i tij dhe i familjes për këtë hap të guximshëm. Dhe e ka arsyetua plotësisht prejardhjen e tij nga trungu i Pjetër Bogdanit.
I përmenda këta dy shembuj për të cilët në Prishtinë është përfolur një kohë të gjatë. Kam dëgjuar se edhe me rastin e vdekjes së ndonjë intelektuali dhe personaliteti me ndikim në jetën shoqërore, arsimore dhe kulturore të Kosovë ai ( personi) të kishte lënë porosi që të varrosej në Prisjtinë dhe pikërisht në varrezat e shqiptarëve por kjo porosi nuk u ishte plotësuar qoftë nga familjarët qoftë nga të tjerët…!?
Kam dëgjua se të katolikët shqiptar që jetojnë dhe veprojnë në Prishtinë kur të vdesin, shumica varrosen nëpër qytete nga e kanë origjinën ose në varrezat e sërbëve në Prishtinë. Për mua ky lloj veprimi nuk është aspak racional. E them kështu sepse mendoj që kur e kemi gjuhën, zakonet, traditën historinë, tokën dhe qiellin e përbashkët e pse mos t´i kemi edhe varrezat e përbashkëta. Edhe Zotin e kemi të pëbashkët sepse të gjitha besimet thonë se është vetëm një Zot. E më së paku ka rëndësi se si e me çfarë emri e thrrasim: Zot apo Perëndi. Të dyja këto sinonime shqip janë sepse vetë Krijuesi na e ka dhurua edhe këtë gjuhë kaq të bukur.
Së paku publikisht askush deri tani nuk e ka ngritë çështjen e varrezave të pjesëtarëve të religjioneve të ndryshme ndër shqiptarë. Në Shqipëri, sa kam njohuri unë, ky problem nuk ekziston fare. Edhe në Gjakovë kjo çështje është zgjidhur kaherë dhe në mënyrë shumë të mirë. Ndoshta në Prishtinë nuk ka patur përpjeke për të zgjidhë këtë çështje për shkak se ka patur pak pjesëtarë të katolik dhe ortodoks nga radhët e shqiptarëve. Nuk e di se a kanë bisedua ndonjëherë klerikët e këtyre religjioneve mes veti për këtë çështje?
Mendoj që është mirë të hapet kjo temë në mes të kryesive ose bashkësive të religjioneve dhe të zyrtarëve të komunës së Prishtinës e të miratohet një qëndrim unik rreth varrezave të përbashkëta shqiptare e mos të ndahemi edhe në varreza sikurse jemi ndarë nëpër religjione dhe sekte por edhe nëpër parti, fise, klane, nahi e mëhalla krejt të pakuptimta e jemi bërë ( si thonë nënëloket tona) “pikë e pesë”. Nëse do të kishin rënë në ujdi klerikët e këtyre besimeve ( e nuk e di pse mos të bijnë në ujdi !), besoj se edhe komuna e Prishtinës do ta kishte zgjidh çështjen e hapsirës së përbashkët pa asnjë ngurim. Do të gjinden kënde e kuadrate në varrezat e qytetit për të gjithë. Dhe ky do të ishte njëkohësisht edhe shembulli më konkret se ne, me të gjitha besimet. jemi të një trungu dhe të një gjaku dhe se nuk ka kush që na hyn në mes. Kjo thirrje që iu bëhet këtyre kryesive të besimeve fetare të Prishtinës e të Kosovës, gjithësesi duhet të vlejë edhe për qytetet e tjera shqiptare që të ndjekin të njejtin shembull. Me këtë do t´u tregojmë edhe të tjerëve se në këto hapsira ende vepron civilizimi i lashtë pellazgo- ilir me traditë shumëshekullore edhe para Krishtit. Do të jetësohej edhe vargu i Pashko Vasës se, përkundër shumësisë së besimive, “Feja e shqiptarit është (dhe mbetet vetëm) shqiptaria”.
4 prill 2015 Prishtinë