Sylejman Melit Bytyçi (25.4.1960 – 2.4.1999)

Sylejman Melit Bytyçi (25.4.1960 – 2.4.1999)

Menjëherë pas Betejës në Prekaz gjatë javës së parë të marsit të vitit 1998, fshatrat e Rrafshit të Anadrinit zënë të organizohen për përgatitjen e një rezistence të armatosur që do të kalojë në instrumentin e forcës, e veçanërisht në fshatrat: Zaçisht, Apterrush e Reti pasi që këto fshatra kishin serbë e malazias, por edhe ishin afër Hoçës së Madhe, njërës prej çerdheve më të njohura të komitave të dikurshme serboçetnike e më vonë edhe policëve që ishin tmerr e trishtim për Anadrinin dhe gjatë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çerdhe e paramillitarëve të Zhelko Razhnatoviq-Arkan e të Vojislav Sheshelit dhe historikisht çdo e keqe, si prej detit, në fshatrat e Anadrinit, vinte nga Hoça e Madhe. Për t’u kundërvënë ndaj pretendimeve okupuese serboçetnike, fshatrat e Anadrinit fillojnë organizimin për vetëmbrojtje sepse e tërë ajo që zhvillohej në Prekaz e më vonë edhe në Gllogjan, një ditë do të shtrihet edhe në këto fshatra prandaj, njëri prej sektorëve dhe funksioneve të para që konsoliduan nëpër këto fshatra, ishte sektori i logjistikës që në fillim merrej me grumbullimin e mjeteve financiare për t’i ndihmuar shkollës shqipe të pezulluar me “Kushtetutën e Gazimestanit”, për t’u ndihmuar minatorëve të mbetur pa të ardhura, për t’u ndihmuar familjeve skamnore brenda aksionit “Familja i ndihmon familjes”, dhe në fund të gjitha këto evoluan në grumbullimin e mjeteve për sigurimin e armatimit dhe të materialeve të tjera luftarake, në mënyrë që instrumenti i forcës të frymojë në mënyrë sa më të perfeksionuar, pra sa më të sofistikuar. Aktivitetet e këtilla u inicuan në Rahavec për t’u shtrirë pastaj në të gjitha degët dhe nëndegët organizative të fshatrave të Anadrinit, veçanërisht në Krushë të Madhe, në Drinas, në Drenaj dhe në Apterrush nëpërmjet të cilëve aktivitetet fshatrat e Anadrinit të Rahavecit lidheshin me njërën pjesë të fshatrave të Therandës. Në krye të këtyre grupeve emërohen burrat më të sprovuar para sfidave të kohës, burra që kishin kapital dhe që me shembullin e tyre mund të ndikojnë mbi të tjerët. Njëri prej të këtillëve ishte edhe haxhi Melit Bytyçi i fshatit Apterrush, i cili në këto aksione u angazhua me tërë gjirin familjar duke vendosur që të birin Sylejmanin ta vë në krye të të gjitha organizimeve pa i kursyer edhe djemtë e tjerë.
Dëshmori i kombit Sylejman Bytyçi, i biri haxhi Melitit dhe i nënës Fahrie, nga Vneshti i Therandës (ish-Samadraxhë), i vëllai i Bajramit, Rrahmanit, Hanëmshahit, Remzisë dhe i Sokolit, bashkëshort i mirë i zonjës Remzie Balajt prej Liriasi (ish-Dabërdelani), babai i Farukut me 24 pranvera, i Nasibesë, studente e Fakultetit të Edukimit dhe i njomëzakut Kadir Bytyçi, semimaturant në shkollën fillore të fshatit Apterrush, është i lindur më 25 prill të vitit 1960. Edhe i ati i Nasibesë, sot dëshmor i kombit, Sylejmani, shkollën fillore e kishte kryer në po këtë godinë, ndërsa mundësitë për ta vazhduar shkollimin, asokohe nuk i kishte familja e madhe e Melit Bytyçit, prandaj Sylejmanit që herët i ra për hise që të kapet fytazi me valët e jetës. Nuk i mjaftonin punët bujqësore dhe ekonomia familjare të cilën Bytyçët e Haxhi Melitit e zhvillonin në këtë fshat, prandaj Syla, i rryer mirë dhe i përgatitur për afarizëm të suksesshëm, kalon në zejtari dhe zhvillon një veprimtari si zejtar i pavrur, pronar i Ndërmarrjes “Bletatrade” dhe vepron në Rahavec. Kështu krijoi mundësi materiale e strategjike që nëpërmjet ndërmarrjes të veprojë ndoshta edhe pa u hetuar fare i tërë aktiviteti i vëllezërve Bytyçi nga Apterrushi.
Si ndërmarrës i suksesshëm lidhet me degët e ilegales së Anadrinit që atyre viteve vepronte në Drinas, në Krushë të Madhe, në Drenaj, në Qëndresë e në Reti, e prirë nga profesor Ukshin Hoti dhe veprimtarët Nait Hasani, Nait Thaçi, Begzad, Durmish, Bedrush e Feim e Gashi, Binak Berisha, Smajl Latifaj, Dervish Çadraku e Kasim Haxhimurati në lagjen e të cilit afaronte Sylejman Bytyçi.
Gjatë zhvillimit të kësaj veprimtarie, përherë ishte në vijat e para të organizimit të protestave, duke filluar prej 27 janarit të vitit 1990, në krye të të cilave gjendej profesor Ukshin Hoti me të gjithë veprimtarët e Anadrinit kur përjetësohen dëshmorët e parë të Anadrinit.
Dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat e Anadrinit, në Drenaj e Zatriq, imponoi një intensitet të shtuar të veprimtarisë në logjistikë, prandaj edhe Sylejman Bytyçi shton aktivitetin rreth mbledhjes së mjeteve për blerjen e armatimit dhe më 28 prill të vitit 1998, i prirë nga veprimtari Ejup Kabashi, gjendet në fshatin Drenaj dhe kontakton me drejtuesit e Shtabit Operativ Rajonal për fshatrat e Anadrinit: Xhemë Gashin-Gjermanin, Mahir Hasanin, Gani Paçarizin, Selim Krasniqin e Selajdin Mullabazin-Micin. Veprimtarit Sylejman Bytyçi, si njeri me ndikim të madh në vendlindje dhe në fshatrat e Anadrinit, i mbeti që ta forcojë logjistikën, veçanërisht mjetet materiale ashtu që sa më shpejtë të armatoset grupi i Apterrushit. Kështu, Beteja e Bardhatinit, më 12 maj të vitit 1998, Apterrushin e gjeti të përgatitur, madje me istikame të ngritura dhe vrojtoret për t’u vëzhguar dhe përcjellur pikat kah Zaçishti dhe kah “Arrat”, andej nga vinte rreziku më i madh prej paramilitarëve të strehuar në fshatrat Zaçisht e Hoçë e Madhe.
Në këtë areale, gjatë fazës përgaditore një vend të veçantë zënë edhe luftëtarët Feim Balaj, Ruzhdi e Rexhep Morina, Bajram e Bekim Bekteshi dhe Lumni Bugari nga Liriasi dhe Vneshti të Anadrinit, prandaj edhe pa ndonjë vonesë u konsolidua Togu i Apterrushit me Ejup Kabashin në krye dhe luftëtarët: Shemsidin Spahiun, Sokol Bytyçin, Agron, Besim, Fatmir, Jeton e Nevzat Kabashin, Sinan Morinën, Shkëlzen, Muharrem e Sevdat Krasniqin dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë të Sylejman Bytyçit, nga Apterrushi, së bashku me Feriz Shalën, Jetullah, Reshat e Enver Kabashin e Nuredin Gashin nga Zaçishti dhe shtabi komandues vendoset pikërisht në shtëpinë e Sylejman Bytyçit, i cili së bashku me Fatmir Kabashin bëhen edhe furnizues kryesor me mjete luftarake, material ushqimor dhe medikamente, sipas kërkesave të Shtabit Operativ Rajonal të Drenajt, areale e cila veç e kishte pranuar luftën defansive e rrezikuar prej serboçetnikëve nga fshati Bardhatin, të cilët ishin armatosur herët. Gjatë luftimeve përreth Rahavecit dhe në Rahavec, Sylejmani me togun e Apterrushit mbante krahun lindor të frontit të Anadrinit, së bashku me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fshatrat: Zaçisht, Reti, Hoçë e Vogël, Nagac e Brestos nga se në fshatrat Reti, Zaçisht e Apterrush ende kishte serbë të armatosur që sajonin skuadrat paramilitare të formacioneve të Hoçës së Madhe e zë Zaçishtin të prirë prej dy kryeçentnikëve: Zoran Stanishiq, Lubomir Gariq.
Gjatë depërtimit të Batalionit të Rahavecit, pas rënies së qytetit, formacioni i Apterrushit mbetet shtylla më e sigurt e mbështjetjes së Xhelal Hajdës-Tonit. Batalioni, nëpërmjet fshatit Apterrush kalon në Reti e së andejmi në Hoçë të Vogël në drejtim të Rahavecit, pasi që sipas Xhelal Hajdës, në Rahavec duhej që të depërtojë edhe një herë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Me rastin e riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Reti të Anadrinit, Sylejman Byytyçi me vendosmëri shembullore kryen çdo detyrë që ka të bëjë me logjistikën dhe sektorin operativ në fshatrat: Zaçisht, Apterrush e Reti, madje duke angazhuar tërë gjirin familjar. Me rastin e pengimit të forcave policore serbe që t’i afrohen Retisë më 25, 26 dhe 27 tetor, si dhe me rastin e shpërthimit nga Prita e datës 6 nëntor të vitit 1998 te “Kryqi i Apterrushit”, Sylejmani gjendet në vijat e para dhe me “Djemtë e Apterrushit” arrin t’i tërheqë luftëtarët që kishin arritur nga Shqipëria e ishin nga Zona Operative e Shalës, të plagosur në luftimet te “Kryqi i Apterrushit” më 6 nëntor të vitit 1998. Me arritjen e komandant Ekrem Rexhës-Drinit, në krye të Zonës Operative të Pashtrikut, Sylejman Bytyçi vazhdon veprimtarinë madje në mobilizimin e pandërprerë të djelmoshave të Anadrinit. Pas ofensivës në Reti, Apterrush, Vnesht të Therandës dhe në “Qafë të Pagarushës”, më 27-31 mars të vitit 1999, komandant Tahir Sianani urdhëron formimin e vijës mbrojtëse në fshatrat e Llapushës veçanërisht në Bajë, Gurak, Karvaseri, Ballanicë e Temiqinë, luftëtarët e lirisë të Zonës Operative të Pashtrikut, të përqendruar prej “Ligatave” të Pagarushës e deri te “Kroni i Zanës” në Marali, bëjnë rezistencë të paparë deri në ato ditë në aksin rrugor Bllacë-Malishevë shkatërrohen formacionet serboçetnike, por në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përjetësohen luftëtarët e lirisë: Xhavit Hazir Kelmendi i Krenajës së Shtimes, Vezir Hazir Kolshi i Bajicës së Drenasit, Salih Selman Bytyçi i Shkozës së Llapushës, Ramë Salih Bytyçi i Karvaserisë, Hidajet Hasan Mazreku i Gurishtës të Llapushës, Emin Idriz Troshupa i Godancit të Shtimes, Agron Hilmi Krasniqi, i biri i dëshmorit Hilmi Rexhep Krasniqi, Bashkim Jetullah Krasniqi dhe Luan Hashim Krasniqi i Hoçës së Vogël, i vëllai i dëshmorit Shkëlzen Krasniqi, Jahir Shaban Mazreku i Malishevës, Maliq Sopaj i Jançistit, të gjithë përreth areales luftarake të Anadrinit e të Llapushës e në këto luftime edhe Sylejman Bytyçi has në rezistencën e policisë serbe në fshatin Ballanicë. Në këtë ofensivë merrnin pjesë edhe serbët lokalë të fshatrave me popullatë të përzier, prandaj edhe identifikohet luftëtari i lirisë Sylejman Melit Bytyçi dhe breshërohet prej armëve të serbëve lokalë të rekrutuar në radhët paramilitare. Përjetësohet më 2 prill të vitit 1999. Luftëtarët e lirisë arrijnë që me maturi t’i afrohen trupit të pajetë të Sylejmanit dhe e tërheqin për ta varrosur bri një rruge që shkon në drejtim të fshatit Ngucat.
Në shenj hakmarrjeje për veprimtarinë e Bytyçëve të Apterrushit, forcat policore e paramilitare serbe, në fshatin Celinë, identifkikojnë Nahitin dhe Dahim Bytyçin të cilët i ekzekutojnë krahas shumë banorëve të fshatit Celinë.
Pas ndërprerjes së aktiviteteve luftarake të Zonës Operative të Pashtrikut, bashkëluftëtarët e fshatit Apterrush, Reti e Zaçisht, marrin trupin e pajetë të Sylejman Bytyçit dhe organizojnë një përcjellje madhështore në fshatin Apterrush, ku prehet edhe sot.
Sot, fshatarët e Anadrinit e kujtojnë Sylejman Bytyçin si një afarist të suksesshëm, bukëdhënës e bamirës, ndërsa fshati Apterrush e kujton si luftëtar të denj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në shërbim të kësaj ushtrie vuri në veprim “mall e gjë” kurse familjarët e xha Melitit, vëllezërit e Sylës, Bajrami, Rrahmani dhe Sokoli së bashku me motrat Hanëmshahin dhe Remzinë, bashkëshortja Ramzie me të bijtë Farukun e Kadirin, e bijën Nasibe e kujtojnë si një trim të pathyeshëm që u qëndroi të gjitha stuhive të jetës duke filluar prej vitit 1981 e deri në ditën e 2 prillit kur paramilitarët serboçetnkë e privojnë nga jeta. Mirëpo të gjithë janë krenarë për faktin se Sylejmani nuk u thye asnjëherë para asnjë stuhie, as në “Lakun e Dëshmorëve” të Anadrinit në Brestos, as në “Qafën e Pagarushës” dhe nuk pranoi dorëzimin as te Xhamia e Ballanicës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …