Ta presim me nderim e dinjitet 100-vjetorin e nxjerrjes nga nëntoka të litrave të para të naftës shqiptare

Ta presim me nderim e dinjitet 100-vjetorin e nxjerrjes nga nëntoka të litrave të para të naftës shqiptare

(Albert Z. Zholi: Intervistë me inxhinierin gjeolog, professor, Alfred Frashëri)

-Në industrinë e naftës, punonin 25 mijë punonjës, midis tyre 2.800 inxhinierë dhe teknikë

-Atdheu nuk mund të ketë pavarësi dhe përparim  pa bukë dhe pa naftë!

Pusi i parë për kërkimin e naftës në Shqipëri filloi shpimin njëqind vjet më parë, më janar 1918 në Drashovicë të Vlorës, i projektuar nga gjeologu italian, profesori Leo Madalena dhe inxhinieri i naftës, Moretti, mbi bazën e studimeve gjeologjike që ata ëkishin kryer në vitin 1917 në zonën midis lumit Vjosa dhe Gjirit të Vlorës. Pusi arriti thellësi afro 200 metra dhe u mbyll në gjysmën e dytë të vitit 1918. Me shpimin e tij, nga thellësia 101.6 metra u nxorën 3.500 litra naftë në ditë, ka shkruar inxhinieri naftëtar Zenel Hamiti në librin e tij “Historiku i vajgurit në Shqipëri” (1966). Në Drashovicë u ngrit dhe kantieri i parë i naftës në Shqipëri. Këto litra naftë, si dallëndyshja e parë, njoftuan për pasurinë e madhe që natyra i ka falur tokës shqiptare. Në vitin 1928 u shpua pusi i parë në Kuçovë, i cili dha 750 ton naftë e më pas, u zbulua edhe vendburimi i Patosit. Kështu filloi nxjerrja e naftës në Shqipëri, shekulli i naftës shqiptare.

 

-Si e kujton dhe si ruhen në kujtesën tuaj zhvillimet e naftës në Shqipëri?

 

Jeta, veprimtaria dhe ngjarjet gjatë saj ruhen në kujtesën tonë dhe rizgjohen ndër vite për të na kujtuar se si këmi jetuar e punuar, si jemi sjellë në shoqëri dhe ndaj punës, arritjet, gabimet, por mbi të gjitha për njerëzit, shokët e miqtë me të cilët kemi ndarë gëzimet dhe hidhërimet në rrugëtimin tonë të jetës naftëtare. Tani, që erdhi 100 vjetorii i zbulimit të naftës në Shqipëri, kujtojmë me respekt njerëzit që me devotshmëri, entuziazëm, sakrifica punuan në kantierin e naftës në Patos, midis të cilëve punova edhe unë. E ndjeva kërkesë shpirtërore se duhet treguar për ata dhe punën madhore që bënë. Ky përvjetor më nxiti kujtimet dhe më lindi dëshira të marr penën dhe të shkruaj kujtimet e mia, të shpreh ndjenjat, që kam patur dhe kam për ato vite. I kujtoj ata njerëz, punëtorë të pontit të manovrës në majë të sondës dhe kryesondistë, punëtorë të pastrimit të puseve, teknikë, ata inxhinierë të pakët, administratorët, por edhe mjekët, farmacistin dhe mësuesit e Patosit në ato vite. E kujtoj punën e tyre, vullnetin dhe sjelljen e tyre, me shumë dashuri dhe respekt, se kanë edhe qënë mësuesit e mij të parë në shkollën e madhe të jetës, kur më 1953, pas bangave te Politeknikumit, fillova punën në puset e naftës.

 

Naftëtarët në Patos, cilat ishin objektivat dhe arritjet e tyre gjatë viteve pesëdhjetë?

 

Naftëtarët, të ndërgjegjshëm për rëndësinë jetësore të naftës për atdheun, punuan me përkushtim, dije, dinjitet, sakrifica për arritjen e objektivave dhe zgjidhjen e detyrave në disa drejtime në vitet pesëdhjetë. Vendburimi Patosit, i zbuluar në fundin e dhjetëvjeçarit të viteve njëzet dhe rifillimin e atyre tridhjetë të shekullit të kaluar, për tu venë në shfrytëzim të plotë shtronte detyra të veçanta, midis të cilave kryesoret ishin:

 Së pari, të konturohej vendburimi dhe të vlerësoheshin rezervat e naftës së tij.

Së dyti, të plotësohej rrjeti i puseve të shfrytëzimit në përputhje me kërkesat teknike.

Së treti, Të rritesh thellësia e shpimit të puseve dhe të zbatoheshin metodat studimore komplekse të trungut të pusit gjatë procesit të shpimit dhe me mbarimininin e tij, si ato të karotazhit dhe studimit të kampioneve nga shtresat, si edhe dukuritë që  shfaqeshin në pus.

Së katërti, të zbatohej teknologjia moderne e shpimit të pusit, e çimentimit të kolonës pa filtër si edhe zbatimi i teknologjisë moderne të perforimin dhe torpedimit të kolonës së çimentuar në pus, për hapjen e rrugës së komunikimit shtresë nafte-trung pusi.

Së pesti, të ndërtohej sistemi i grumbullimit të naftës dhe i transportit të saj.

Krahas këtyre objektivave për vetë vendburimin e Patosit, duhet të kërkohej edhe në zona të tjera të vendit për gjetjen e vendburimeve të rinj të naftës e gazit.

Për të konceptuar drejt rëndësinë dhe domosdoshmërinë e arritjes së objektivave dhe zgjidhjes së detyrave të kohës, po kujtojmë shkurt historikun e naftës shqiptare. për të cilën kanë shkruar me aqë gjerësi dhe detaje akademiku Prof. Dr. Teki Biçoku, inxhinerët Zenel Hamiti dhe Ramadan Perhati.

Prania e naftës, ose siç quhej persisht nefata, apo nafdha në greqishten e vjetër, në tokën Shqiptare është njohur qysh në lashtësi. Janë të mirënjohur “Zjarret në lashtësi në  Nymphaeum, Selenicën e sotme të Vlorës, që i përshkruan mjaft bukur historiani i vjetër Straboni [Hamiti Z., 1966, faqe 14]. Ndër shekuj, këto njoftime kanë tërhequr studiues për të ardhur në Shqipëri së toku edhe me sundues për të shtrirë kthetrat e tyre mbi atdheun tonë. Është shumë interesant është një njoftim i shekullit të 19-të: Shkresa e Mösyö Waterfield’s, nēpunēs i administratēs sē Degēs Londēr tē Bankēs Otomane, ku thuhet se, nē lidhje me naftēn e zbuluar nē parcelat tokēsore dhe çifligjet perandorake qē ndodhen nē vendin e quajtur Selenicē, nē afērsi tē Vlorēs, Banka Otomane do tē marrē pērsipēr shpenzimet qē nevojiten pēr shpimin e tokēs dhe pērpunimin e naftēs dhe do tē derdhē nē llogari tē Sulltanit sasinē e nevojshme e tē ardhurave qē do tē fitohen nga kjo tregēti, nē rast se qeveria perandorake lidh kontratē pēr tregētimin e saj. (Istambul 1870). [Osmanli Arsiv Belgelerinde Arnavutluk, SHQIPERIA NE DOKUMENTET ARKIVALE OTOMANE, Istambul 2008].

Në shekullin e njëzetë, qysh me fillimin e tij, territori i Shqipërisë është studiuar nga gjeologë dhe inxhinierë të vendeve të ndryshme për kërkimin e naftës dhe shfrytëzimin e saj. Midis këtyre studimeve dhe kërkimeve janë edhe ato të gjeologut Italian Leo Maddalena, i cili projektoi pusin në Drashovicë të Vlorës në vitin 1918. Më pas, në vitin 1928 u shpua edhe pusi i parë në Kuçovë, i cili dha 750 ton naftë. Në ato vite, rajonet dhe zonat me perspektivë naftëmbajtëse të vendit ju dhanë me konçesione kompanive të huaja, të cilat bënin edhe shfrytëzimin e saj. Në atë periudhë (1927-1928), Shoqëria Anglo-Persiane e Naftës APOC shpoi disa puse edhe në zonën e Patosit dhe zbuloi praninë e naftës në shtresat e ranorëve. Në vitet tridhjëtë filloi edhe shpimi i puseve për shfrytëzimin e vendburimit të ri të Patosit. Vitet e pushtimin gjatë luftës së dytë botërore sollën shkatërrime në kantieret e naftës në Kuçovë dhe në Patos.

Duke e vlerësuar rëndësinë e naftës e gazit për pavarësinë dhe përparimin e vendit, si për bukën, shteti shqiptar pas çlirimit të vendit mobilizoi naftëtarët shqiptarë të asaj kohe dhe u bëri thirrje për të punuar në kantieret e naftës edhe profesionistëve të tjerë, si mekanikë, elektriçistë, hidroteknikë, etj, që banonin në qytete të ndryshme të Shqipërisë.  Kësaj thirrje iu përgjigjën shumë specilistë dhe mjeshtra, që së toku me naftëtarët rindërtuan kantieret e naftës dhe i vunë në gjendje pune.

 

-Si ishte situata kur shkuat ju në Patos?      

 

Kur më 1953 vajta unë në Patos, atje shpoheshin puse rreth 1500 m të thellë dhe nxirrej naftë, punonin sondistë tashmë të kualifikuar, kishin filluar punën teknikët e brezit të parë të dalë nga Politeknikumi “7 Nëntori” në vitin 1951, si edhe kishin ardhur pesë inxhinierët e parë shqiptarë të naftës, që sapo kishin mbaruar studimet jashtë shtetit. Ky kolektiv naftëtarësh, tashmë punonte për të zgjidhur detyrat dhe për të realizuar objektivat që u treguan më lart, për ta vënë në shfrytëzim të plotë vendburimin e Patosit, si edhe për të kërkuar vendburime të reja nafte e gazi.

Gradualisht ndër vite u ngrit, e fuqishme dhe e përparuar, industria e naftës, në të cilën punonin 25 mijë punonjës, midis tyre 2.800 inxhinierë dhe teknikë. Ata punuan me vetmohim, me vullnet e devotshmeri, ditën dhe natën, në diellë e në shi, në verë e në acarin e dimërit dhe me pērgjegjēsi të madhe.

Në vitin 1951, në gjirin e Kantierit të Naftës Patos) u krijuan Ndërmarja e Shpimit dhe ajo e Prodhimit (Nxjerrjes së Naftës) në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit të Naftës që kishte qendër në Kuçovë, u rivu në punë stacioni elektrik, u riorganizua ofiçina mekanike, parku i transportit, etj. Në gjymën e dytë të periudhës së veteve pesëdhjetë e më pas u bënë ndryshimet e duhura organizative. Në vitet gjashtëdhjetë e më pas krijuan dhe u zhvilluan dy institute shkencore, Instituti i Studimeve dhe i Projektimeve Gjeologjike të  Naftës dhe Gazit dhe Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Teknologjike të Naftës dhe Gazit, si  edhe dy ndërmarrje gjeofizike, ajo e Sizmo-gravimetrisë në Fier dhe tjetra e Studimeve Gjeofizike të Puseve në Patos, të cilat realizuan projektet për kërkimin e naftës dhe të gazit në nivel shkencor dhe teknik bashkëkohor, duke projektuar  mbi 80,000 metra linear/vit shpime të thellë kërkimi, etj., si edhe studiuan e përgjithësuan të dhënat e tyre. Me këto institute bashkëpunoi gjerësisht edhe Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave i Universitetit të Tiranës.

Për të arritur objektivat dhe realizuar detyrat, ishte vlerësuar si domosdoshmëri formimi i specialistëve të naftës, si shumë i rëndësishëm, qysh në ato vite. Në vitin 1951 përfundoi mësimet grupi parë i teknikëve në fushën e gjeologjise dhe të naftës. U hap dega e gjeologjisë në Institutin Politeknik të Tiranës në vitin 1953 dhe filluan të përgatiteshin inxhinerët e parë gjeologë e profilit të përgjithshëm, të cilët u diplomuan në fillimin e vitit 1957. Në vitin 1962 u diplomuan inxhinierët e parë të naftës për shpimin e puseve dhe nxjerrjen e naftës e gazit, si edhe në vitin 1964 inxhinierët e parë gjeologë të naftës, pranë Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave në Universitetin e Tiranës. Nga ky Fakultet, ndër vite, janë përgatitur 345 inxhinierë gjeologë të naftës, 1074 inxhinierë nafte, shpimi dhe nxjerrje, inxhinierë gjeofizikë 171.Një ngjarje e rëndësishme për industrinë e naftës ishte edhe hapja e Teknikumit të Naftës në Kuçovë. Në vitin 1954 përfundoi studimet brezi i parë dhe u diplomuan Teknike gjeologë dhe shpimi, që shkuan menjëhë në kantieret e ndërmarrjeve të Patosit dhe dhe Kuçovës. Shumica e teknikëve të naftës studiuan dhe u diplomuan inxhinierë gjeologë të naftës dhe gazit, për shpimin dhe shfrytëzimin e puseve. Dhe, pas diplomimit, u rikthyen përsëri në industrinë dhe kantieret e naftës. Aktivizimi i një numuri kaqë të madh i inxhinierëve gjeologë dhe të naftës, së toku edhe me teknikët e përgatitur nga Politeknikumi 7 Nëntori dhe më pas nga Teknikumi i Naftës në Kuçovë, solli një kontribut jashtëzakonisht të madh në gjetjen e vendburimeve të reja të naftës dhe të gazit, vënien e tyre në shfrytëzim, si edhe përparimin e vetë industrisë shqiptare të naftës.

 

-Si do ta cilësoje ndërmarrjen e Shpimit në Patos për gjetjen e vendburimeve të reja të naftës?

 

Ndërmarrja e Shpimit Patos ka qenë e para e kësaj fushe. Ndërmarrja e Shpimit realizonte shpimin e puseve të rrjetit të shfrytëzimit brenda vendburimit, si ata në Margëlliç, si edhe puset e konturimit. Periudha e viteve pesëdhjetë ishin vitet kur naftëtarët shqiptarë, sondistat, teknikët, mjeshtëri, inxhinierët vunë në punë sondat për shpimin e puseve të thellë, u përvehtësua teknologjia e shpimit dhe përvehtësimit të këtyre puseve. U krijua në këtë mënyrë baza takniko-teknologjike për realizimin e detyrave për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës në Kuçovë e Patos dhe për kërkimin e vendburimeve të reja.

Për të kryer një përfytyrim sa më të plotë për mundësitë naftëmbajtëse të vendit filluan të kryhen punime përgjithësuese dhe me natyrë krahinore. U kryen përgjithësimet “Ndërtimi gjeologjik dhe naftembajtja e vendburimit të Patosit” dhe “Ndërtimi gjeologjik dhe naftëmbajtja e vendburimit Kuçovës”, si edhe zbulim – përpunimi i vendburimit Patosit dhe Kuçovës.

Me marrjen e naftës nga puset e konturimit në veri, si nga pusi 201 në vitin 1954,  u kalua me guxim më në veri, drejt Marinëz për të kërkuar edhe shtresa nafte të reja, edhe mbi bazën e studimeve sizmikë që tashmë ishin kryer në atë zonë dhe njihej tabloja e gjendjes strukturale U kalua nga e njohura drejt të pa njohurës, siç i thoshim më vonë. Në kuadrin e përgjithësimit të rezultateve të shpimit të puseve të konturimit të vendburimit të Patosit, u projektua pusi Marinzë 542. Në verën e vitit 1957 shpërthueu fontana e këtij pusi. Personeli inxhiniero-teknik dhe mjeshtërit qëndruan dhe luftuan ditën dhe natën në ballë për shuarjen e zjarrit dhe mbyllën e fontanës; krahas tyre, luftonin me zjarrin edhe shumë naftëtarë, madje edhe specialistë zjarrfikësish. Zjarri ishte aq i madh sa që Tiranë skuqej qielli natën në drejtim të kodrave të Saukut, ku në jug të tyre ndodhej Marinëza. Zjarri i fontanës u shua me shpërthim pas ndonjë muaji. Zbulimi i vendburimit të Marinzës pati një rëndësi shumë të madhe në drejtim të fuqizimit të ekonomisë shqiptare, zgjeroi fushën e kërkimit të naftës në ranorët duke zbuluar shtresa naftëmbajtëse të reja, nën ato të Patosit, që formonin suitën naftëmbajtëse Marinza, e cia vendoset nën suitën naftëmbajtëse Driza – Patosi. Kjo fontanë hapi edhe rrugën e zbulimeve të vendburimeve të reja të naftës dhe gazit nga specialistët shqiptarë, se forcoj besimin, frymëzimin dhe saktësinë e punës së kërkuesve për gjetjen e vendburimeve të reja.

Dokumentimi i detajuar, centimetër për centrimetër, dhe studimin e shtresave që kish shpuar pusi me metodat e përparuara elektrike, kryheshin me teknologjinë moderne që emërtohet karotazhi elektrik. Në vitin 1957  u krijuar Baza e Karotazhit dhe u ndërtua një godinë e posaçme për atë. Në vitet gjashtëdhetë e më pas, kompleksi i metodave të karrotazhit u plotësua edhe me karotazhin zanor dhe atë radioaktiv të regjistrimit të gama rrezatimit natyror dhe atë neutronik.

Vënia e puseve të prodhimit në punë dhe nxjerrja e naftës realizohej nga naftëtarët e Ndërmarrjes së Prodhimit Patos. Specialistët e nxjerrjes vlerësonin dinamikën e  naftëdhënies së puseve, bënin analiza sistematike e naftës dhe e gazit, kontrolloheshin e ndiqeshin proceset e ecurisë së pusit sipas projektit dhe përgatitjes së tij për shfrytëzim.

Të gjithë veprimtarinë tekniko-shkencore dhe organizative të këtyre dy ndërmarrjeve e drejtonte Drejtoria e Pëgjithëshme e Kombinatit të Naftës në Kuçovë. Veç ndërmarrjeve të Patosit, në këtë Kombinat përfshihej edhe Ndërmarrja e Prodhimit të Nafës në Kuçovë.

Të gjithë naftëtarët që punonin në këto ndërmarrje i kam njohur personalisht, takoheshim me ta për të punuar dhe zgjidhur detyra të ndryshme në puse. Kam mësuar shumë nga ata, jo vetëm për teknikën e naftës, por edhe për devotshmërinë e këmbënguljen në punë. Prandaj edhe sot, në këtë moshë të thyer, u jam mirënjohës dhe i falenderoj, i kujtoj me respekt. Personeli teknko-inxhierik, madje edhe ai administrative nuk ishin komunitete zyre, por të lidhur ngushtë me puset dhe problemet e tyre.  Proceset teknike në puse kryheshin sipas grafikut teknik, ditën edhe natën, në orarin e duhur. Për personelin teknko-inxhinierik nuk kishte turne, orar të caktuar të fillimit dhe mbarimit të punës, ditën apo natën. Puna fillonte në orën kur nevojitej të bëhej operacioni në pus dhe përfundonte pasi mbaronte puna e operationit të dhënë, në çdo orë që të ishte. Kështu kryheshin edhe regjistrimet e diagramave të karotazhit. Perforimi dhe torpedimi në pus bëhshin vetëm ditën, se ishin punë me shpërthim.

 

-Çfarë sktorësh të tjerë kishte kantieri  naftës në Patos?

 

Në kantierin e naftës në Patos ishin edhe Ofiçina Mekanike, Parku i Transportit, Stacioni elektrik. Nuk mund të kuptohej puna e madhe në puse pa bazën e transportit, shoferët e të cilës punonin ditë e natë, në verë dhe duke i tërhequr makinat e tyre nëpër baltë deri në gju me traktor në dimër, për të shkuar dhe furnizuar puset.

Krahas naftëtarëve, në Patosin e viteve pesëdhjetë punonin me shumë devotshmëri edhe mjekët, farmacisti, dentistet dhe mësueset, që mësonin dhe edukonin me përkushtim fëmijët e naftëtarëve.

Mundësitë ekonomike, tekniko-shkencore dhe sociale që shteti kishte vënë në dispozicion të industrisë së naftës, krijuan kushtet e organizmit të armatës së naftëtarëve, që me punën dhe veprimtarinë e devotëshme dhe të pa lodhëshme, me përkushtim dhe këmbëngulje, të kualifikuar e të disiplinuar dhe me sakrifica të mëdha, realizuan objektivat që duheshin arritur për pavarësinë e vendit dhe përparimin e tij, për ta shndërruar nga një vend bujqësor i prapambetur në një vend industrial dhe me bujqësi të  përparuar. Ata krijuan mundësitë, që pasi u vënë në punë vendburimet e Kuçovës dhe Patosit të shkatërruar nga lufta e dytë botërore, të fillojë një punë kantierale kërkimore intensive për zgjerimin e tyre. Nga vitet pesëdhjetë deri në vitet tetëdhjetë u zbuluan 12 vendburime të rinj nafte në ranorë dhe gëlqerorë: Marinza, Visoka, Ballshi, Gorisht-Koculi, Cakrani, Kolonjë-Bubullimë, Finiq-Krane, Amonicë, Hekal-Karbunarë, Mollaj, Delvinë, si edhe vendburimet e gazit, Divkajë, Kryevidhi, Ballaj, Frakulla, Povelçë, Panaja, Currilat në detin Adriatik, etj. Ky zhvillim u arrit edhe nga realizimi i shpimit të qindra puseve të thellë, duke arritur edhe në thellësi deri 6700 m. U realizua nxjerrja nga nëntoka dhe të përpunoheshin 2.250.000  ton nafte në vitin 1974 si edhe 940 milion m3 gaz në vitin 1982.

Prodhimi i naftës në vitet 1935-2001, në ton.  [GOOGLE/ ALBPETROL- PRODHIMI I NAFTËS]

Këto suksese dhe arrtieje i bëjnë nder Armatës heroike të Naftëtrëve, veçanërisht në këto ditë të përkujtimit të 100 vjetorit të Naftës Shqiptare.

Fatkeqësisht, ashtu si edhe e gjithë industria shqiptare, në vitet e tranzicionit u rrënua edhe industria e naftës dhe e gazit. Nuk ka më institucione shkencore shqiptare të kërkimit të naftës dhe gazit, nuk ka më ndërmarrje të shpim kërkimit, të gjeofizikës etj. Kompania aksioniste ALBPETROL në vitin 2914 nxorri vetem 45.384 ton nafte, kurse kompanite e huaja konçesionare 1.322.000 ton nga vendburimet ekzistuese. Nëse gjatë një çerek shekulli naftëtarët shqiptarë zbuluan 12 vendburimet e rinj nafte dhe 7 gazi, gjatë 25 viteve të tranzicionit, kompanitë konçesionare nuk kanë zbuluar asnjë, megjithëse blloqet e tyre ku kanë punimet janë shtrirë në zona e rajone perspektive.

Harta e blloqeve të konçesinëve të naftës  në ditët e sotme [Google, Albpetrol].

Këto kompani nuk kanë konkretizuar as edhe zbulimin e disa viteve më parë, të një vendburimi në zonën e Shpiragut, paçka që edhe këtë zonë e kishin vlerësuar dhe projektuar pus gjeologët shqiptarë që në vitet tetëdhjetë. Madje, siç është thënë, edhe për të arritur strukturën gëlqerore naftëmbajtëse për një pus u shpuan pesë trungje, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë, asnjëherë në Shqipëri, me puset e shpuar nga naftëtarët shqiptarë.

Por ajo çka është më e dhëmshme është flakja e specialitëve të naftës, që nga punëtorët e pontit të manovrës në puse, deri tek teknikët, inxhinierët dhe shkencëtarët. Më të fortët, më të diturit, më të përgatiturit u detyruan të braktisin vendin dhe sot punojnë në profesionet e tyre në vende të ndryshme të botës, ata nuk i kemi sot më. Vlerat dhe investimi shqiptar shfrytëzohet nga të tjerët.  Ata që kanë mbetur këtu nuk i pyet më asnjeri për problemet e naftës, megjithëse u përgatitën dhe punuan gjatë dhjetra viteve, shteti shqiptar investoi shumë për formimin e tyre professional. Ata janë vlera të çmuara të ekonomisë dhe kulturës së atdheut. Këtë nuk e bën asnjë vend, që do të përparojë. As kjo armatë e madhe naftëtarësh, as edhe institucionet shkencore, që u ngritën gjatë dhjetëvjeçarëve, me mund, sakrifica dhe me shpenzime të mëdha, nuk ngrihen në një ditë a në një vit dhe me një urdhër a vendim i kujdo qoftë.

Kjo gjendje solli rrënien e prodhimit të naftës, aq sa në vitin 2005 u nxorrën vetëm 448,000 tonë naftë. Pas këtij viti, në kuadrin e veprimtarive të kompanive të huaja konçesionere filloi një rritje graduale e nxjerrjes së naftës, duke arritur në 1.368.000 ton në vitin 2014. Por, fatkeqësisht, nuk ka asnjë të dhënë se sa ka përfituar shteti shqiptar nga kjo rritje, ku vajti gjaku i ekonomise shqiptare.

Prodhimi i naftës në vitet 1929-2014, në ton.  (GOOGLE/ ALBPETROL- Prodhimi i naftës).

Gjendja aktuale e industrisë së naftës i shqetëson dhe i bën të vuajnë shpirtërisht naftëtarët, që ende janë këtu, qoftë edhe në moshën e tretë, se për brez pasardhës të ri nuk bëhet fjalë. Prandaj e gjejmë të udhës ti drejtohemi institucioneve shtetërore shqiptare dhe naftëtarëve: Le të kujtojmë 100 vjetorin e zbulimit të naftës në Atdheun tonë, le të nderojmë punën vetmohuese, me sakrifica të mëdha të naftëtarëve, ditën dhe natën, në zhegun e korrikut dhe në acarin e dimrit. Ky kremtim nuk ka vetëm rëndësinë e nderimit. Ai ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe për të ndërgjegjësuar dhe programuar ç’duhet bërë në të ardhmen, që pasurinë e paçmuar që na ka falur natyra ta kërkojmë, ta nxjerrim dhe ta vëmë në dobi të ekonomisë së vendit, siç duhet, në nivele teknike dhe sociale të ditëve tona. Kjo veprimtari do të jetë një premtim frymëzues dhe mobilizues për institucionet shtetërore dhe për brezin e ri. Është në moralin e popullit tonë dhe te armatës së naftëtarëve shqiptarë, sidomos të elitës së saj të moshuar dhe më të re, që këtë jubile ta organizojë dhe ta festojë sa më mirë, që ti bëjmë të ditur gjithë botës se Shqipëria është një vend naftë- mbajtës, se nafta ka qenë vaji i kuzhinës tonë ekonomike, se nafta shqiptare eshte zbuluar kryesisht nga specialistët dhe shkencëtarët shqiptarë.

Në Kongresin e Shoqatës së Gjeoshkencëtarëve dhe Inxhinierëve të Europës” (EAGE) në Firence të Italisë në vitin 1991, pasi referova, një gazetar më bëri një pyetje: “Tani që Shqipëria po bëhet vend i hapur dhe do të vinë atje ekspedita nga vendet e përparuara, me siguri do të gjeni më shumë vendburime nafte e gazi, bakri e kromi etj.”.  Me bindje të plotë unë ju përgjigja: “Jo, nuk do të gjejnë vetë gjë më shumë dhe më shpejt sesa i kemi gjetur ne. Ekspeditat e tyre do të drejtohen nga specialist e profesorë të shquar, do të jenë të jenë të pajisura me teknikën më të re, por ju ngatërroni një gjë: Gjeologjia nuk është si fjala vjen ndërtimi i një godine a një rruge. Gjeologjia është si gjuha e mëmës. Që të zbulosh një vendburim, duhet ta njohësh mirë tokën, dheun e vendit, ta kesh shkeluar e studiuar per kohë të gjatë strukturat gjeologjike dhe të vlerësosh perspektivën e tyre mineral bartëse. Por që ta njohësh mirë nëntokën duhet ta duash më shumë se vehten tokën ku ke lindur dhe ku vë kokën, nuk mjafton vetëm teknika. Vendburimet deri tani i kanë zbuluar kryesisht shqiptarët”. Këtë e përsërita edhe në Kongresin e Shoqatës Gjeofizike të Ballkanit në vitin 2013. Njëzet e pesë vitet e tranzicionit e kanë vërtetuar këtë mendim plotësisht. Kompanitë e huaja konçesionare deri më sot nuk kanë zbuluar asnjë vendburim nafte, gazi, bakri apo kromi, etj. Vetëm kanë shfrytëzuar pasuritë e Shqipërisë, pasuri që i kanë gjetur dhe vënë në punë naftëtarët, gjeologët dhe minatorët shqiparë. Ka ndonjë që thotë:”Epo paratë e tyre harxhuan”. Jo o njeri, vërtet paratë ishin të tyret, por koha ishte e jona, e shqiptarëve. Le të shpresojmë se kjo gjendje do të ndryshojë duke kuptuar thelbin e çeshtjes dhe çfarë duhet bërë.

Programi ekonomik i brezit të rilindasve të fudnshekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit 20-të, u vu i plotē nē jetē pas çlirimit tē vendit mē 29 nēntor 1944, kur kērkimi dhe nxjerrja e naftēs dhe mineraleve tē tjerē tē dobishēm ishin pērparēsi, gur themeli i zhvillimit tē qēndrueshēm tē ekonomisē shqiptare. Shteti shqiptar, industrinë e naftës e gazit e organozoi, ngriti dhe e zhvilloi në nivëlin bashkëkohor shkencor-teknik dhe organizativ.

Në kushtet e zhvillimeve aktuale ekonomike dhe sociale botërore, në këtë fillim të shekullit të 21-të, ne na duhet të zgjidhim problemin se si duhet të bashkëpunojmë me shtetet e Bashkimit Europian dhe më gjerë, por kurdohetë pa i lënë pasuritë natyrore të atdheut në duart e huaja siç kemi bërë këto 25 vjet, ato të mbeten pasuri e popullit shqiptar, burim për ekonominë e vendit, siguripër pavarësinë e Atdheut.

Këto kujtime dua ti përfundoj duke shkruar për një dukuri, e cila në vetvehte është tregues i ndërgjegjesh shoqërore dhe asaj personale. Naftëtarët, që nga punëtori më i thjeshtë e deri tek mjeshtërit, teknikët, inxhinierët, edhe administratorët në përgjithësi u lidhen më naftën për jetë. Shkonin, kryenin shërbimin ushtarak, mësonin në shkollat e larta të inxhinierisë brenda dhe jashtë shtetit, transfreroheshin në institucione të ndryshme, por përsëri mbeteshin dhe e quanin vehten pjesëtarë të armatës së naftëtarëve. Para nevojës,  rëndësisë dhe vlerës së naftës, të cilën njerëzit e ndjejnë deri në shtëpitë e tyre, në familjen e tyre, naftëtarëve nuk u hynin në sy vështirësitë e punës, që nuk ishin vetëm për ata që punonin në puset, por e ndjenin edhe familjet e tyre, gratë dhe fëmijët. Na ka mbetur në mendjen një kërkesë e djalit tonë dhjetë vjeçar, Ermalit, që një ditë dimri në vitet tetëdhjetë, kur nuk kish vajguri në dyqan dhe nuk ndiznim sobën me vajguri, ai më thirri nga shpirti i tij: “Mos rri, po ngreu dhe shko e gjej naftë”. Thirrje, që në mendjen dhe zemrat e tyre, e ndjenin të gjthë naftëtarët.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …