Fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme, me intensitete dhe efekte të ndryshme, të cilat mundë të godasin çdo moment duke shkaktuar humbje të konsiderueshme të jetëve të njerëzve dhe të mirave materiale.
Nesër është 13 tetori, Dita Botërore për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera. Qëllimi i shënimit të kësaj dite e cila shënohet në të gjithë botën, është vetëdijësimi i njerëzve për masat që duhet ti marrin në zvogëlimin e rrezikut ndaj katastrofave të ndryshme.
Fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme, me intensitete dhe efekte të ndryshme, të cilat mundë të godasin çdo moment duke shkaktuar humbje të konsiderueshme të jetëve të njerëzve dhe të mirave materiale.
Me fatkeqësi natyrore kuptohen tërmetet, përmbytjet, thatësirat atmosferike të tejzgjatura, rrëshqitjet arkitektonike, ortekët, erërat e forta, zjarret në pyje dhe në mjediset e banuara, sëmundjet infektive masive, pasojat e të cilave prekin popullatën, pronën, mjedisin, si dhe ngjarje të tjera të shkaktuara nga dukuri natyrore, ndërsa me fatkeqësi të tjera kuptohen aksidentet rrugore, hekurudhore, detare, ajrore, si dhe zjarret, shpërthimet, rrëzimet e digave, aksidentet bërthamore, ekologjike ose industriale dhe çdo lloj tjetër aksidenti të shkaktuar nga veprimi njerëzor, nga luftërat ose gjendjet e emergjencës, si dhe format e tjera të dhunës masive.
Nga hulumtimet dhe analizat e ndryshme të bëra, por edhe duke u bazuar në raportet e publikuara nga institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, Kosova kryesisht rrezikohet nga tri rreziqe natyrore: tërmetet, vërshimet dhe zjarret e pyjeve. Mirëpo, edhe rreziqet e tjera nuk duhet të nënvleresohen si: reshjet e mëdha të bores, orteqet, erërat e forta, rrëshqitjet e dheut dhe dëmtimet e pendave të liqeneve artificiale, gjithashtu rreziqe mundë të vijnë edhe nga faktori njeri, si: sulmet e supozuara terroriste, aksidentet ajrore, hekurudhore, rrugore dhe rrjedhjet e mundshme të materieve kimike dhe naftës.
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë miratuar Ligjin për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera, që ka për qëllim mbrojtjen dhe shpëtimin e njerëzve, kafshëve, pronave, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, si dhe kanë hartuar dokumentet bazë siç është Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Emergjencave dhe Plani i Reagimit Kombëtar. Në bazë të këtij ligji, shteti është përgjegjës për organizimin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera si sistem unik dhe integral shtetëror.
Reaguesit e parë në situata të këtyre fatkeqësive janë zjarrfikësit, shërbimet mjekësore emergjente dhe policia, ndërsa sipas ligjit, në rast të fatkeqësive fillimisht nivelet lokale (komunat) janë përgjegjëse për zbatimin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, por nëse ato nuk mund të menaxhojnë situatën e bëjnë kërkesën në Agjencin e Menaxhimit Emergjent, e më pas Agjencia në bazë të rrethanava të krijuara kërkon angazhimin e njësiteve tjera, si Forcën e Sigurisë së Kosovës si reagues i dytë apo edhe institucionet tjera. Identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve, duhet të jetë prioritet qoftë i institucioneve lokale, qoftë i atyre qendrore, duke pasur parasysh rëndësinë e prevenimit të situatave emergjente.
Si qështje me rëndësi që duhet të ceket në këtë rast, është se Kosova është pjesë e Programit të BE-së për Mbrojtje Civile, që ka për qëllim ofrimin / shkëmbimin e praktikave të mira nga vendet e BE-së dhe rajonit, si dhe pjesë e shteteve të mundshme të mekanizmit evropian për Mbrojtje Civile, e që në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, nëse është e nevojshme mund të kërkohet ndihma ndërkombëtare.
Edhe pse ka një kuadër të konsoliduar ligjor, plane dhe strategji të miratuara, kur jemi te gjendja aktuale në terren, në rast të ndonjë fatkeqësie më të madhe natyrore, Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore, logjistike dhe operacionale, trajnime dhe ushtrime të mjaftueshme, si dhe pajisje dhe mjete të duhura për të reaguar në këso lloj situata.
Një zjarrfikës si reagues i parë kujdeset përafërsisht për 2.300 banorë (në bazë të Ligjit për Zjarrfikje dhe Shpëtim duhet të jetë një zjarrfikës për 1.500 banorë), i vogël është edhe numri i automjeteve të tyre, diku rreth një automjet për 10.000 banorë, e mos të flasim për gjendjen teknike të atyre automjeteve dhe gjendjen aktuale të mjeteve dhe pajisjeve për punë, të cilat janë larg standardeve minimale. Gjithashtu edhe shërbimet mjekësore emergjente nuk është se kanë kapacitete të mjaftueshme për përballje me ndonjë fatkeqësi të përmasave më të mëdha.
Shteti i Kosovës nuk ka asnjë helikopter për ta përdorur në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, edhe pse në disa terrene arritja në cak e automjeteve poseduese në kohë reale është e vështirë e për disa vende duket “mision i pamundur”.
Prandaj është e domosdoshme ngritja dhe zhvillimi i këtyre kapaciteteve, ndarje më e madhe e mjeteve financiare për investime, si dhe janë më së të nevojshme trajnime, plane dhe përgatitje në vazhdimësi, ndërsa ushtrimet praktike të koordinuara të të gjitha institucioneve kompetente, janë mënyra më e mirë për të qenë sa më të gatshëm dhe më të përgatitur për ti përballuar fatkeqësitë e mundshme natyrore.
(Autori është njohës i çështjeve të emergjencave dhe bashkë-themelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC)