Në Listën e pretenduesve për gjyqtarë në Gjykatën Supreme të Kosovës, dhe prokurorë në Zyrën e Prokurorisë Publike të Kosovës dhe në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të publikuar në http://www.ijpc kos.org/sq/defaultdetails.asp?ID=23, e pashë edhe emrin e Reshat Millakut, ish-prokurorit dhe bashkëpunëtorit të devotshëm të UDB-ës, i cili, në emër të Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, më 14 qershor 1983, me Aktakuzën PP.nr. 6/1983, më akuzoi për vepër penale: Bashkim për veprimtari armiqësore nga neni 136 al.2 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ, aktakuzë ajo, të cilën e hartoi në bashkëveprim dhe në bashkëpunim me Milivoj Sllavkoviqin, Mehmet Lumin dhe me kuadro të tjera të UDB-ës dhe të Shërbimit Kundërinformativ ushtarak jugosllav.
Reshat Millaku, e bëri inskenimin e fakteve përmes përgatitjes së “dëshmitarëve”, të tipit të Rexhep Maqedoncit, i cili, gjatë hetuesisë, por edhe më vonë gjatë qëndrimit në burg, bashkëpunoi intensivisht me UDB-ën dhe KOS-in, por edhe të ca “dëshmitarëve” të tjerë, siç ishte rasti i vrasësit të familjes së tij, – Behxhet Jasharit nga Kumanova, të cilin ma sollën në qelinë e Burgut Hetues të Shkupit për të më provokuar etj. Reshat Millaku, përmes akuzave të mbështetura në “dëshmitë” dhe në konstruktimet e UDB-ës, arriti përmes dy gjyqtarëve bashkëveprues të tij: Ymer Osajt dhe Ahmet Ahmetit, të më dënojë me gjykim të plotfuqishëm, me 10 vjet burgim të rëndë dhe me ndalesë të ushtrimit të profesionit të mësimdhënësit dhe të gazetarit për gjashtë vite pas vuajtjes së dënimit.
Reshat Millaku dhe shumë kolegë të tij, gjatë dhjetë viteve të shkuara, nuk dhanë përgjegjësi për veprimet e tyre kriminale të bëra gjatë viteve 1981-1989, por, për çudi, duke e gëzuar përkrahjen e ca klaneve korruptuara të ndonjërës prej partive politike, avansuan edhe më shumë për ta sjellë gjyqësinë e Kosovës në prag të falimentimit të plotë dhe për ta bërë jo funksional sistemin juridik të shtetit të Kosovës. Përkundër kësaj, në shtetet e ish-bllokut socialist, kuadrat që vepruan si Reshati, dhanë përgjegjësi për krimet e bëra, ndërkaq, në Kosovë ndodh e kundërta, ato avansohen në organet e drejtësisë, në polici etj.
Ekzistojnë argumente të bollshme: disa mijëra aktakuza të fabrikuara, aktvendime gjyqësore, disa mijëra vite burgu të mbajtura. Me dhjetra shqiptarë të vrarë gjatë hetuesisë. Dhe, në përfundim: a mund të hapin hetime “Reshatët kundër Reshatëve” ?! E, pra, krimet nuk vjetrohen, e madje ato as nga memoria nuk shlyhen.
Me respekt
Tahir Gecaj ( [email protected] )
Menzingen CH
Më 26 qershor 2009
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …