Takim i drejtorëve me qëllim të shkëmbimit të përvojave për çështje të arsimit

Drejtori i Drejtorisë për Arsimi në Komunën e Shtimes, z.Hajrullah Ademaj, priti në takim znj. Susaniie Ëilms ( Wilms ), drejtoreshë e Arsimit në komunën  Viersen  të Gjermanisë, e cila ishte e shoqëruar me mësimdhënësen e matematikës, znj.Maike Wilms  dhe bashkatdhetarin tonë nga Carraleva,  z.Flamur Maksuti, që jeton dhe vepron në Gjermani.

Takimi pati karakter të shkëmbimit të përvojave në fushën e arsimit.  Drejtori, z. Hajrullahi Ademaj, e njoftoi znj. Wilms  me reformat në arsim, që po zhvillohen në komunën e Shtimes, Planin strategjik të arsimit për vitet 2014-2018, funksionalizimin e shërbimit pedagogjik-psikologjik, digjitalizimin e procesit edukativo-arsimor etj.

Gjatë bashkëbisedimit znj.Wilms  theks të veçantë i kushtoi mësimdhënies për fëmijët me nevoja të veçanta, dhe deklaroi se në Gjermani ekzistojnë programe universitare që përgatisin mësimdhënësit në fushën e pedagogjisë speciale.

Sa i përket përdorimit të TIK-ut në shkolla, ajo deklaroi se në komunën e saj, në shkolla, përpos kabineteve të kompletuara me kompjuterë, nxënësit në mënyrë të kontrolluar përdorin tablete elektronike që menaxhohen nga mësimdhënësi.  Projektet për zhvillimin dhe aplikimin e TIK-ut nëpër shkolla bëhen me mjete buxhetore të institucioneve shkollore dhe në fund të vitit prej mbetjeve në buxhetet e shkollave ata hartojnë projekte e në varësi kërkojnë edhe buxhete shtesë për t`i zhvilluar ato, tha veç tjerash znj Wilms.

Gjithashtu, ajo potencoi se rëndësia e aplikimit të TIK-ut në procesin mësimor është  e madhe, por e nevojshme është që të jetë e kontrolluar dhe sipas përvojave në shkollat e komunës Viersen  preferohet që të përdoret vetëm një orë  brenda  ditës, ndërsa ana tjetër pozitive e përdorimit të tableteve elektronikë është ajo se pjesa më e madhe e fëmijëve kanë një njohuri paraprake rreth përdorimit të tyre në shtëpi dhe ajo mund të përdoret për qëllimet e  të  nxënit e jo të përdoret për qëllime tjera.

Znj. Susaniie së bashku me mësimdhënësen e matematikës, znj. Maike Wilms, ditë më parë ka vizituar SHFMU “Abdullah Shabani” dhe përshtypjet e tyre ishin shumë pozitive, meqë ato kishin pritur një nivel shumë më të ulët.  Ato vlerësuan pozitivisht punën që po zhvillohej në këtë institucion edukativo-arsimor. Ajo se çka ju ka bërë përshtypje më shumë, ishin planet e mësimdhënësve për mësimin shtues dhe plotësuar, dhe ekspozimi i materialeve të nxënësve në këndet e shkollës.

Mësimdhënësja e matematikës znj.Maike potencoi se teknikat e mësimdhënies në Gjermani që po aplikohen në shkolla janë kryesisht teknika të mësimit në formë të hapur, ku nxënësit janë të lirë të punojnë.  Drejtori i Arsimit, z.Hajrullah Ademaj, deklaroi se me teknikat e reja të mësimdhënies edhe në shkollat tona  synohet që mësimdhënia me nxënësin në qendër të ndikojë në zhvillimin e shkathtësive të nxënësve.

Ajo se çka vlen të theksohet më shumë rreth këtij bashkëpunimi është aplikimi i metodës së mësimit të diferencuar, që zhvillohet në Gjermani. Fëmijët që kanë prirje dhe shkathtësi më të zhvilluara në procesin edukativo-arsimor të ngarkohen më shumë, ndërsa nxënësve të cilët kanë ngecje në mësim t’u lehtësohen detyrat.

Testimi i nxënësve bëhet duke u ndarë në tri nivele:

Niveli i parë, janë kryesisht nxënësit që arrijnë rezultate më të ulëta nga nota 5 deri në 3

Niveli i dytë- nxënësit që arrijnë rezultate mesatare nota 3 deri 2 dhe

Niveli i tretë janë nxënësit që arrijnë rezultate të larta e që marrin notën 1

Sa i përket zhvillimit të mësimit shtues dhe plotësues, drejtori i Arsimit, z.Ademaj, theksoi aplikimin e mësimit tërditor, i cili për synim ka zhvillimin e shkathtësive të nxënësve përmes mësimit të diferencuar, e që në pjesën e pasdites zhvillohet mësimi shtues, plotësues dhe aktivitetet e lira. Nxënësit me prirje të veçanta arsimore, ata që kanë ngecje në mësim kanë mundësi që të zhvillojnë mësim shtues dhe plotësues. Rezultate janë shumë të mira me faktin se pas vlerësimit që ka bërë MASHT-i, përmes organizimit të Testit të Arritshmërisë dhe formave të tjera vlerësuese, vërejmë një shkallë ngritje prej 10 % për dallim prej dy viteve të mëparshme. Drejtoresha e Arsimit në Viersen theksoi se mësimi tërditor zhvillohet edhe në Gjermani, por prindërit paguajnë shumën prej 100 eurove me qëllim të pagesës së shujtës ditore, tha ajo.

Në këtë takim u bisedua edhe rreth orientimit profesional ku u bë e ditur se shteti Gjerman i kushton një rëndësi të veçantë ndërsa nxënësit kanë mundësi të zgjedhin profesionin e tyre në nivelin prej klasës së V-të deri në klasën e X-të, ndërsa periudha përfundimtare e përcaktimit për zgjedhjen e profesionit është klasa e VIII-të.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Viersen, znj. Wilms prezantoi një projekt të rëndësishëm që janë duke aplikuar, të quajtur “Gjeje profesionin”, platformë kjo e cila për secilin profesion ka nga 100 pyetje dhe përmes përgjigjeve vërehet se nxënësit janë adekuat për të vazhduar profesionin e zgjedhur.

Në fund, znj Wilms, pasi ka falënderuar drejtorin e Arsimit z. Hajrullah Ademaj, për pritjen, ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …