Të martën në Prishtinë i zhvilloi punimet mbledhja e gjashtë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës ku u diskutua për tema që kanë të bëjnë më çuarjen përpara të reformave në funksion të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, theksoi se gjatë kësaj periudhe është arritur që agjenda ekonomike e Qeverisë të vihet në rend parë.
“Kemi arritur po ashtu një agjendë të qëndrueshme që të krijojmë kushte dhe norma për bizneset që të krijojmë një zhvillim ekonomik me të cilin ne mund të mburremi, por i cili duhet të vazhdojë më tej. Po ashtu, ne presim që të kemi një rritje ekonomike si në vitin e kaluar prej rreth 4 për qind, që është rritja më e lartë në regjion“, tha Mustafa.
Ai po ashtu përmendi edhe rritjen e investimeve të huaja në vitin e kaluar dhe në këtë vit. “Vitin e kaluar po ashtu kemi arritur të absorbojmë rreth 324 milionë euro investime të huaja direkte, që është një rritje dy herë më e madhe se sa një vit më parë. Po ashtu kemi një rritje edhe të kompanive me pronarë investitorë të jashtëm”, potencoi kryeministri Mustafa, duke shtuar se statistikat tregojnë se edhe në periudhën janar-qershor të këtij viti, ne kemi një rritje prej 36 për qind të kompanive me pronarë të huaj dhe që veçmas na gëzon neve fakti se kemi një shtim prej 31 për qind të bizneseve, ku pronarë janë gratë, që është një faktor tepër i rëndësishëm i politikave dhe i synimeve tona ekonomike në mënyrë që të kemi një numër më të shtuar të grave në menaxhimin e bizneseve dhe në jetën ekonomike.
Kryeministri Mustafa u shpreh se gjatë vitit të kaluar kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti, dhe po ashtu jemi përfshirë në projektin e Korporatës Sfidave të Mileniumit. “Jemi në rrugë shumë të mirë për realizimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’, e cila do të zgjidhë problemin me furnizim të energjisë elektrike”, tha kryeministri Mustafa.
Gjatë fjalimit të tij, ai përmendi edhe shumë nisma dhe reforma që janë ndërmarrë nga qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës në shumë fusha për ta përmirësuar ambientin për zhvillim ekonomik të vendit.
Në anën tjetër, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në cilësinë e koordinatores së KKZHE-së theksoi se që nga rifunksionalizimi i këtij Këshilli, i cili kryesohet nga Kryeministri i vendit, ne si institucione pjesëmarrëse së bashku me komunitetin e biznesit, kemi qenë mjaft aktiv në punën tonë të përbashkët sa i takon adresimit me prioritet të sfidave kryesore për të çuar përpara reformat që kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, eliminimit të barrierave, forcimit të ndërmarrjeve të Kosovës dhe tërheqjes së investimeve të huaja direkte në vend.
Ministrja Bajrami shtoi se në vazhdën e këtyre përpjekjeve të shumta, mund të flasim për një sërë ndryshimesh dhe zhvillimesh të rëndësishme pozitive të cilat janë arritur në fushën ekonomike, në aktivitetin e shtuar të bizneseve, në rritjen e investimeve të huaja direkte në vend.”
Në takim, Sekretariati si dhe kryesuesit e grupeve punuese të KKZHE-së raportuan rreth progresit të arritur deri tani sa i takon përmbushjes së detyrave me të cilat kanë qenë të ngarkuar nga mbledhja e katërt e Këshillit.
Këshilli diskutoi për progresin e arritur rreth reformave të ndërmarra nga grupet punuese të ndërlidhura me Raportin e Bankës Botërore për “Të Bërit Biznes,” me ç’rast ministrja Bajrami i njoftoi të pranishmit se të dhënat për ciklin e fundit raportues janë dërguar te Banka Botërore. Ajo ritheksoi se adresimi i indikatorëve të Bankës Botërore është punë ndërinstitucionale dhe u bëri thirrje ministrive të cilat nuk kanë qenë aktive që të konsolidojnë grupet punuese për koordinimin e aktiviteteve dhe të fillojnë punën së bashku me MTI-në si udhëheqëse e Task Forcës, për koordinimin e veprimeve rreth këtij procesi.
Më tej, Këshilli diskutoi për aplikimin e sistemit ‘online’ të pagesave për sigurimin kufitar dhe u kërkua nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) kjo t’u mundësohet mërgimtarëve kosovarë. Poashtu u kërkua nga BKS që në mbledhjen e radhës të sjell një raport në të cilin jep shpjegime dhe opcionet se si të zgjidhet çështja e anëtarësimit të Kosovës së kartonin e gjelbër.
Në Këshill u diskutuan edhe çështje të ngritura nga asociacionet e biznesit, si: vështirësitë e prodhuesve kosovarë të materialit ndërtimor, me ç’rast u vendos që të punohet në krijimin e një pakoje të veçantë fiskale e cila mbulon këta sektorë; si dhe trajtimi i investitorëve nga agjencitë e pavarura me ç’rast Këshilli vendosi që Ministria e Zhvillimit Ekonomik të marrë rolin koordinues dhe në takimin e radhës të vie me propozime se si të zgjidhet çështja e ‘one stop shop-eve’ me qëllim të ofrimit sa më efikas të shërbimeve për bizneset.
Në takim u shtruan kërkesa në lidhje me mbrojtjen institucionale për prodhuesit vendorë, konkretisht iniciativa për vënien e banderolave në paketimet e miellit në tregun e Kosovës, dhe u mor vendim që të formohet një grup punues i gjerë që të adresohet kjo çështje në mbledhjen e radhës.
Këshilli diskutoi po ashtu edhe rreth përmirësimit të mëtejmë të kornizës ligjore në shërbim të nxitjes së investimeve të jashtme dhe të brendshme dhe u konkludua se është e nevojshme të vazhdohet puna e mëtejme në plotësimin dhe ndryshimin e legjislacionit me qëllim të krijimit të kushteve më të favorshme për investime në Kosovë.