Tasim Ukë Elezaj (16.2.1975 - 16.6.1999)

Tasim Ukë Elezaj (16.2.1975 – 16.6.1999)

Dëshmori i kombit Tasim Elezaj, u lind më 16 shkurt 1975, në fshatin Radavc (Kryedrin) të Pejës, në një vend me bukuri të rralla të natyrës, aty ku buron Drini i Bardhë, në një familje të dalluar për ndershmëri e atdhedashuri. Familja e tij shumë herë u bastis dhe u keqtrajtuar nga regjimi okupues serbo-jugosllav. Shkollën fillore e kreu në fshatin e afërm, në Albë të Vogël (ish-Jabllanicë të Vogël), ndërkaq shkollimin e mesëm në Shkollën e Mesme Teknike “Shaban Spahiu” në Pejë.

Prindërit e dëshmorit, Ukë dhe Shkurte Elezaj, i lindën dhe i rritën pesë fëmijë: një vajzë e katër djem. Tasimi ishte fëmija i katërt, pra djali i tretë me radhë. Prindërit e Tasimit, megjithëse gjendeshin në kushte jo të mira ekonomike, ashtu sikurse edhe shumica e familjeve shqiptare të Kosovës, fëmijët e tyre i rritën dhe i edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare, duke i kushtuar kujdes të madh edhe arsimimit të tyre. Halili, vëllai i madh, dhe Mahiri, vëllai i dytë, arritën ta kryejnë fakultetin, kurse Tasimi, për shkak të kushteve ekonomike, por edhe gjendjes së rëndë politike në të cilën gjendej popullsia shqiptare në Kosovë gjatë viteve ’90-të, kur iu mohuan të gjitha të drejtat kombëtare e njerëzore, madje edhe e drejta elementare për jetë, që në ditët e rinisë së hershme, u përcaktua për një udhë tjetër: udhën e vështirë të luftës së armatosur për t’ia sjellë lirinë atdheut, të cilës iu përkushtua me tërë qenien, deri në rënien e lavdishme. Është e njohur thënia e Tasimit: “Lufta për liri është fakulteti im!”.

Duke qenë anëtar i familjes Elezaj, familje e njohur për rezistencë dhe si kundërshtare e regjimit okupues serbo-jugosllav, Tasimi kishte kultivuar një vetëdije të lartë kombëtare. Ai i përcillte ngjarjet me vëmendje dhe ishte shumë aktiv në protesta dhe në të gjitha format e rezistencës ndaj armikut. Në kohën e mësimit nëpër “shtëpitë-shkolla”, Tasimi edhe pse jetonte në një shtëpi njëkatëshe dhe pa kulm, me miratimin e babait, e lëshoi odën e burrave të familjes së tij, për ta shndërruar në shkollë. Aty, nxënësit e Shkollës së Mesme Teknike “Shaban Spahiu” e zhvilluan mësimin për një vit derisa kaluan në objektin e Shkollës fillore në Albë të Vogël.

Tasimi qysh si fëmijë dallohej për shkathtësi, këmbëngulje dhe veprim. Ishte i i drejtpërdrejtë dhe i rreptë në qëndrime. Ishte mbështetës dhe përkrahës për familjarët dhe shokët në situata të ndryshme e të vështira. Ishte njerëzor dhe zemërgjerë, miqësor dhe korrekt. Kishte një rreth të gjerë shokësh dhe ishte shumë i dhënë pas familjes dhe punës.

Familjarët, bashkëluftëtarët dhe të njohurit e tjerë, Tasimin e kujtojnë si një djalë të matur,  besnik, trim, të guximshëm, të përkushtuar, të dashur për familjen dhe bashkëluftëtarët, të  gatshëm për t’u sakrifikuar për lirinë e vendit.

Nga viti 1990 dhe deri në vitin 1998, familja e Tasimit u bastis dhe keqtrajtua me dhjetëra herë nga organet policore serbe. Në një rast e pësoi edhe vëllai i vogël Blerimi (rrahet brutalisht) pasi në dhomën e tij policia gjeti portrete kombëtare, libra, çifteli dhe Blerimi kishte reaguar kur policët serbë kishin tentuar t’i përdhosin ato. Pra, i vetëdijshëm se armiku mund të luftohej vetëm me armë, Tasim Elezaj nuk e pati të vështirë kyçjen në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Si pjesëtar i familjes Elezaj të Radavcit, e dalluar në të gjitha përpjekjet për liri e çlirim, Tasimi ndjehej krenar dhe bashkë me djemtë dhe vajzat e lagjes dhe të Radavcit përgjithësisht, ishte i rregullt në të gjitha protestat dhe demonstratat e kohës. Ishte i organizuar dhe i përgjegjshëm, mbështetës dhe sakrifikues. Gjatë një proteste të zhvilluar në qytetin e Pejës, në konfrontim e sipër me forcat policore serbe arrin ta nxjerrë nga duart e policisë profesoreshën Nexhmije. Po ashtu, ishte dalluar edhe në demonstratën e zhvilluar në Pejë, në mars të vitit 1998, kur policia serbe qëlloi me armë zjarri në drejtim të protestuesve, duke e vrarë protestuesin Qerim Muriqi.

Paraqitjet e para të “incidenteve” të armatosura, Tasimin e bënë kureshtar dhe mbështetës të fortë të idesë së luftës për liri. Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në nëntor të vitit 1997 e bëri për vete të tërin. Në çdo rast kërkonte mundësinë për t’ju bashkuar radhëve të luftëtarëve të lirisë.

Tasimi u inkuadrua në grupet e para guerile si luftëtar lirie. Së bashku me djalin e axhës Hajrush Elezaj, gjithashtu dëshmor i kombit, dhe pothuajse të gjithë djemtë e lagjes Elezaj, u angazhuan shumë në mbështetje të organizimit të formimit të UÇK-së në trevën e Podgurit.

Më 11 qershor të vitit 1998, Tasim Elezaj u paraqit në Shtabin e Dukagjinit në Gllogjan ku në fillim u angazhua në njësitin për furnizim me armë, përcjellje të ushtarëve, të civilëve, të plagosurve, etj. Vlen të përmendet pritja e përcjellja e grupit të Shalës së Bajgorës, në krye me komandantin e Zonës Operative të Shalës, Rrahman Ramën, ku bashkë me ekipin përcjellës të udhëhequr nga djemtë e familjes Elezaj dhe bashkëluftëtarët e tyre dhe me një organizim të mirë, kaluan mëse 500 ushtarë me mbi 150 kuaj armatim për në Zonën Operative të Shalës. Ka marrë pjesë edhe në një varg aksionesh të shumta për përcjelljen e të plagosurve nëpër korridorin Rugovë-Mal të Zi-Shqipëri. Vullneti dhe përkushtimi i tij bëri që shumë të rinj ta kenë shembull si luftëtar lirie.

Gjatë veprimtarisë së zhvilluar ilegalisht e gjysmëilegalisht, pasi që UÇK gjatë vitit 1998 ende nuk kishte dalë haptazi në rajonin ku vepronte dëshmori, Tasimi njohu shumë nga bashkëluftëtarët e ardhshëm me të cilët u lidh ngushtë. Përveç vëllezërve dhe kushërinjve, Tasimi bashkëluftëtarë të afërt i kishte Besnik Shalën-Gazin, Naim Gjurajn, Muhamet Demajn, Gazmend Kelmendin (i ndjerë), Driton Elshanin, Azem Veselin, Bajram Ukajn, etj.

Në luftë për liri, Tasimi kishte hyrë me gjithë zemër. Ishte i bindur se liri pa gjak nuk do të kishte. Mënyra se si i qasej organizimit të aksioneve e betejave dhe guximi i treguar në fronte të luftës, bënë që Tasimi të çmohej në mesin e bashkëluftëtarëve. Me organizimin e tij, organizohen edhe vëllai i vogël Blerimi, Faruk Elezaj, Shaban Ramaj, Florim Ramaj, Visar Rexhepaj dhe shumë të rinj të tjerë.

Me formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së së Zonës Operative të Dukagjinit, pas aktiviteteve të shumta dhe përkushtimit të tij sistemohet në Batalionin e Parë të kësaj Brigade, përkatësisht në Batalionin e Dytë, në cilësinë e zëvendëskomandantit. Mori pjesë në të gjitha luftimet që Brigada 133 ”Adrian Krasniqi” i zhvilloi në rajonin e përgjegjësisë, si dhe në shumë fronte të tjera të luftës, ku u zhvilluan luftime të përgjakshme, kundër forcave pushtuese serbe gjithandej Zonës Operative të Dukagjinit, në të cilat tregoi trimëri dhe guxim të rrallë.

Tasimi ra dëshmor për lirinë e Kosovës në ditët e çlirimit, në ditët kur forcat e armikut po tërhiqeshin në theqafje, më 16 qershor 1999, në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut, në përleshje me forcat paraushtarake serbe. Të njëjtën ditë u varros me nderime të larta ushtarake në varrezat e fshatit Vrellë. Ndërkaq, më 19 shtator 1999, është rivarrosur në varrezat e dëshmorëve në fshatin e lindjes në Radavc. Ditërënia e Tasimit është edhe Dita e Çlirimit të Pejës. Pra, sa herë shënohet dita e çlirimit të Pejës, shënohet edhe dita e pavdekësisë së dëshmorit të kombit Tasim Ukë Elezaj.

Tasimi ishte i pa martuar. Pas vetes ka lënë prindërit Ukën e Shkurten, vëllezërit, motrën dhe nipa e mbesa. Tasimi është përjetësuar në përmendoren e përbashkët në qendër të fshatit Radac bashkë me dëshmorët e tjerë nga ky fshat Hajrush Elezaj, Faruk Zekaj, Shkodran Fejzaj e Afrim Gjuraj. Emrin e dëshmorit Tasim Elezaj e ka trashëguar djali i vëllait të madh, Halilit, i cili e mban me krenari, dhe krenohet për axhën dëshmor.

Lagjja Elezaj e Radavcit të Pejës, mori pjesë aktivisht në luftën për liri, duke qenë një ndër bazat më të sigurta e më të fuqishme të luftëtarëve të lirisë në ditët më të vështira të saj. Familja e gjerë Elezaj për lirinë e  atdheut i dha dy dëshmorë Tasim e Hajrush Elezaj; kanë derdhur gjak nga plagët e trupit të tyre të marra në beteja të përgjakshme kundër armikut tre invalidë të luftës: Gani, Ali dhe Faruk Elezaj. Kjo familje e nderuar ka edhe shumë veteranë të luftës.

Familjes Elezaj i janë ndarë mirënjohje të shumta për djalin e vëllanë dëshmor si nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e UÇK-së, Komanda e Zonës së Tretë të Mbrojtjes e TMK-së, Komanda e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Komuna e Pejës, Istogut, etj. Për dëshmorin Tasim Elezaj janë kënduar këngë e janë shkruar prozë e poezi. Me shkrime e kanë përjetësuar Hasan Hasani në monografinë “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, Have Haliti-Elezaj, etj. I janë kushtuar këngë nga disa rapsodë të njohur (Rifat Berisha, Vëllezërit Qetaj etj,). Një rrugë në qytetin e Pejës është emërtuar me emrin e tij.

Në vitin 2016, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dëshmorin e kombit Tasim Elezaj e dekoroi me Urdhrin “Hero i Kosovës”, i cili u jepet personave që kanë bërë vepra sakrifice dhe trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (F.R)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …