Task Forca komunale për menaxhimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Malishevës, e cila drejtohet nga nënkryetari i komunës, Vesel Krasniqi, sot ka organizuar një aksion informues për të gjithë banorët e qytetit të Malishevës dhe për subjektet afariste, me orarin e grumbullimit të mbeturinave në qytet dhe domosdoshmërinë e zbatimit të këtij orari. Ekipi i përbërë nga inspektorët komunal të ambientit dhe zyrtarët e njësisë së “Ekoregjionit” në Malishevë, të prirë nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspektoratit, Besartë Kryeziu-Ramaj, sot i kanë informuar të gjitha subjektet afariste që veprojnë në qytetin e Malishevës dhe qytetarët, për orarin e grumbullimit të mbeturinave, orar i cili duhet të zbatohet nga të gjithë, me qëllim që ambienti në qytet të jetë sa më i pastër. Gjatë vizitës së bërë në shumicën e subjekteve afariste dhe në ndërtesa banimi e forma tjera të komunikimit, janë informuar për orarin e grumbullimit të mbeturinave, që bëhet nga ora 7-8 në mëngjes dhe nga ora 19-20 në mbrëmje, si dhe janë njoftuar se hedhja e mbeturinave jashtë orarit, nuk lejohet dhe është veprim që sanksionohet, prandaj, ju bëhet apel të gjithë banorëve dhe të gjitha subjekteve afariste, që të respektojnë këtë orar.