Fushata aktuale e Prokurorisë së Gjykatës Speciale, duke ftuar në hetime po thuajse të gjithë ish anëtarët e SHP të UÇK-së, komandantët e Zonave Operative dhe shumë eprorë e ushtarë të tjerë, tregon më së miri se cili do të jetë qëllimi i parë, i vetëm dhe final i saj. Ajo ka ftuar deri tani rreth 250 eprorë dhe ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumica syresh të dyshuar për gjoja krime lufte, por edhe dëshmitarë të tjerë, qoftë për të sqaruar rrethanat, qoftë si dëshmitarë të instruktuar dhe të tjerë të mbrojtur e me identitet të konvertuar.
Dihet tashmë se Serbia ka paraqitur për dëshmi 750 dëshmitarë të tjerë. Nuk dihet se cili është numri i dëshmitarëve të mbrojtur me identitet të konvertuar, edhe pse është përfolur një shifër rreth 300 syresh. Disa nga këta dëshmitarë me kohë janë larguar nga Kosova me familjet e tyre dhe nuk janë kthyer më as kanë ardhur ndonjëherë në vizitë te të afërmit e tyre. Disa prej tyre kanë kamufluar qëndrimin jashtë Kosovës, se gjoja kanë shkuar të punojnë në Afganistan. Disa kanë shkuar në Francë, ku kanë paraqitur dëshmi se janë të kërcënuar nga UÇK-ja dhe Franca i ka pranuar me statusin e azilantit politik.
Të gjitha këto fakte, që dikujt i duken paragjykime do të dalin në shesh gjatë veteve të ardhshme sepse kjo Gjykatë do të funksionojë jo një e dy vite, por deri në 20 vjet, krejt derisa shqiptarët pacifistë që janë shumicë dërrmuese në Kosovë do ta harrojnë edhe emrin e UÇK-së, por që e kanë gëzuar dhe e gëzojnë lirinë dhe të gjitha favoret e saj vetëm në saje të gjakut të derdhur për liri. Është i freskët rasti se vetëm sepse ishte betuar para votuesve se gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 Tetorit nuk do ta përmendte kurrë sintagmën UÇK-së, ka marrë votat optimale kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani. Është e njohur deklarata e saj në Reçak, ku para familjarëve të dëshmorëve e të martirëve ajo kishte thënë se vetëm gjaku i atyre që i ka masakruar Serbia e ka sjellë lirinë e vendit, kur dihet botërisht se pikërisht në Reçak janë masakruar në shumicë ata që kishin bijtë e tyre në UÇK. Ky qëndrim i saj është edhe qëndrimi zyrtar i LDK-së, meqë nuk ka pasur asnjë reagim në deklaratën e saj. Nuk ka reaguar as Vetëvendosja, por as partitë që rrahin gjoks se janë krah i luftës.
Është thënë sa e sa herë se kjo Gjykatë nuk është themeluar për të dështuar, se nuk janë ndarë kot qindra milionë euro, se kjo është Gjykatë politike, e cila barazon viktimën e xhelatin, se kjo gjykatë ndëshkon e dënon vetëm ish luftëtarë dhe eprorë të Ushtrisë Çlirimtare, por jo kriminelë serbë që kanë vrarë, pushkatuar e masakruar popullatën civile shqiptare. Si e tillë kjo gjykatë është jo vetëm e njëanshme, por edhe raciste, sepse drejtohet vetëm kundër njërit pjesëmarrës në luftë, kundër atyre që kanë luftuar për çlirim nga barbaria serbe dhe të cilët i ka ndihmuar edhe Aleanca ushtarake Veriatlantike.
Edhe pse qëllimi i kësaj gjykate që nga themelimi ka qenë i tejdukshëm, edhe pse është ditur mirëfilli se krejt afera ishte përgatitur me qëllim për ta damkosur luftën e UÇK-së për ta paraqitur si terroriste, kreu politik dhe institucional i kohës në Kosovë me mendjelehtësi e papërgjegjësi kishte pranuar themelimin e Gjykatës, madje duke e arsyetuar se nëse nuk do të pranojmë vetë, një gjykatë të tillë kundër nesh do ta themelonte vetë Rusia me të drejtën e Vetos, duke përjashtuar faktin se në një Gjykatë të tillë të Rusisë me ndonjë shtet tjetër, veton do ta përdorte edhe Amerika pse jo edh eAnglia.
Duke qenë se Gjykata kishte gjetur terren të mirë dhe të favorshëm në shumicën shqiptare, e cila nuk e kishte përkrahur luftën e UÇK-së madje ishte edhe kundër saj, themelimi i kësaj gjykate u pranua si akt i kryer, duke arsyetuar se nuk do të ketë prova, se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe se krejt projekti do të dështonte dhe kjo do ta fuqizonte edhe më tej luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ishte propaganduar me të madhe se Gjykata nuk kishte qëllim ta dëmtonte UÇK-në, por vetëm disa individë të saj, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte gjatë viteve 1998-2000. Edhe tani pasi janë ftuar në hetime, po thuajse të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantët e zonave, edhe pse pritet të ftohet edhe kryetari i Kosovës Hashim Thaçi, e shumë të tjerë pas tij, disa medie e analistë në Kosovë propagandojnë se kjo Gjykatë do të dështojë, se qëllimi i saj madje na qenka “ta lajë e ta pastrojë luftën e UÇK-së” dhe të gjithë të ftuarit do të dalin faqebardhë.
Këta të ftuar, që frikën e tyre e mbulojnë me entuziazëm, duket se në mënyrën më naive i besojnë sinqeriteti të tyre, duke e ditur vetën se nuk kanë kryer krime dhe duke besuar se në mungesë të fakteve, të gjithë do të lirohen. Këta, nuk arrijnë ta kuptojnë se Gjykatat politike, nuk dënojnë me fakte por me paragjykime, dënojnë me dëshmitarë të instruktuar nga regjimi serb, sikur kanë dënuar qindra luftëtarë e eprorë të luftës së UÇK-së gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it, madje duke u bazuar vetëm në akuzat e një dëshmitari, sikur është rasti i Nazim Bllacës, i infiltruar në UÇK nga Shërbimi inteligjent i Serbisë së kohës së Milosheviqit.
Është i njohur fakti se nuk ishte vetëm Nazim Bllaca i instruktuar i tillë, por ishin edhe disa të tjerë, madje në strukturat më të larta të luftës. Të tillët do të paraqiten në Gjykatë si dëshmitarë të mbrojtur me identitet të konvertuar dhe kurrë nuk do të zbulohen.
Ata që mendojnë se do të dalin faqebardhë nëse do të shpallen të pafajshëm dhe lufta e UÇK-së do të shpallet terroriste, luftë që e ka nxitur Milosheviqin të bëjë krime mbi shqiptarët, do të kthehen nga atje faqenxirë, sepse qëllimi i parë i vetëm dhe final i kësaj gjykate është diskreditimi i luftës së UÇK-së dhe barazimi i saj me luftën e regjimit të Milosheviqit.
Entuziastë të vërtetë dhe “faqebardhë” do të jenë bashkëpunëtorët e Serbisë, të cilët presin që tërmeti i Speciales ta rrënojë luftën e UÇK-së sikur shkruan Zëri, Koha Ditore, Ekspressi, insajderët e Serbisë në Kosovë, vetë regjimi i Serbisë dhe tërë shqiptarët pacifistë, të cilët i gëzojnë frytet e fitores, por e denigrojnë dhe e përbuzin gjakun e dëshmorëve dhe luftën e UÇK-së.
Vetëm një favor kanë luftëtarët e lirisë, meqë ata i pranon pakica shqiptare, nuk paragjykoj dot me përqindje, sa është e madhe kjo pakicë, por e marr me mend se nuk mund të jenë më shumë se 20 për qind. Është ajo pjesë vitale, shekullore e rezistencës shqiptare, e cila në ADN-në e saj e ka pasur dhe e ka luftën kundër çdo pushtuesi dhe kurrsesi nënshtrimin.
Për çlirimin e Kosovës janë derdhur lumenj gjaku.
Përpjekjet shekullore për çlirim i ka bërë realitet lufta fitimtare e UÇK-së.
Këtë realitet nuk e zhbën dot Haga dhe asnjë gjykatë tjetër antishqiptare në botë.
Gjykata Speciale, është tagri që duhet t’ ia paguajmë mos dijes dhe papërgjegjësisë së drejtuesve politikë e institucionalë të vendit, 81 deputetëve miratues të vendimit për këtë gjykatë, nënshtrimit dhe servilizmit të tyre të neveritshëm ndaj të gjithë të huajve dhe politikës pacifiste shqiptare, e cila e përbën shumicën numerike. Tani po shkojmë në Hagë, “si cjapi te kasapi”.
Mungesa e reagimit të deritanishëm qytetar, të cilin po e pengojnë shoqatat e dala nga lufta, që janë të lidhura ngushtë dhe të varura nga liderët politikë, është e papranueshme dhe zbeh edhe atë përkrahje të mundshme dhe të domosdoshme popullore që ekziston në popull. Vajtja në Hagë, pa asnjë rezistencë, e të gjithë të ftuarve, duke përjashtuar vetëm dy raste, është pranim i legjitimitetit të një Gjykate të paligjshme, raciste e fashiste.
Ahmet Qeriqi
13. 11. 2019