(Pushteti, në të cilin jetohet si derr i kënaqur)
Nuk janë të pakët përderecakët e deridjeshëm, që e kishin vështirë ta ngopnin stomakun me bukë të kuqe të misrit dhe sot janë “rehatuar” si mos më mirë në sarajet, odat, hamamet e qymezet e Shefave, falë gjeturisë së tyre për të zhbiruar dhe për t’i futur hundët edhe atje ku era e keqe nuk u hiqet nga goja e trupi për tërë jetën. Ata, falë servilizmit, të tipit “lepe-peqe” dhe gatishmërisë së lindur për të qenë shërbëtorë të padronit deri në neveritje, si parazitë të lindur e të rritur, sot i gjen të postuar kudo, nëpër ministri, kryeministri, në të gjitha segmentet e Shtetit e të pushtetit.
Dikur me zorrët bosh tani barkun kosh. Shumë këshilltarë për një ministër, gjysmë analfabet, shumë të tjerë statistë, asistentë, bodiguardë, shoferë. Tërë një kohortë për ta ruajtur, për ta këshilluar, për ta teleisur dhe për ta kompletuar “Shefin”, atë më të mirin, kurdoherë të pagabueshmin, “më trimin”, i cili në kohën e luftës kishte treguar kujdes të madh të ruhej dhe kur fillonin bombardimet nga të gjitha anët ia therte larg e më larg, ashtu edhe tani, kur mendon se po i kërcënohet karriera ia hedh me pehlivanllëk gjithnjë mbi kurriz të popullit, duke e lavdëruar atë, por edhe duke e ironizuar ne vete me moton e huazuar nga kumbarët serbë, ( narode moj, stoko moja) populli im kafsha ime…
Nuk duket se është e domosdoshme që të gjithë këta, apo ata shefa e ministra të jenë të tillë. Po nga ai “nus prodhim” i institucioneve të mefshta e të korruptuara të Kosovës, hetohet një klasë e këshilltarëve fanatikë, që lavdin dhe servilizmin e tyre të neveritshëm nuk e bëjnë zap, madje as atëherë kur në ndonjë rast nuk e do as padroni dhe kur ndodh të skuqet, nëse ka pikë nderi e burrërie. Të tillë pa dyshim se ka, meqë ka ministra edhe me nga dy e tre e më shumë këshilltarë.
Dikush, me rezonimin e tij të mjerë mendon se të jesh këshilltar, doemos duhet ta lavdërosh “Shefin”, ta lavdërosh aq shumë sa të mos ketë ku të shkojë me tej, meqë “Shefi” nuk ka, as mund të ketë ndonjë të metë, sepse ai është shefi, kulti, i përsosuri, pehlivani, të cilit nuk ia vë kush shpinën në tokë, sepse ka kush ia mbron, sepse edhe ky shefi, është njëlloj servili e skllavi ndaj padronit të vet, ndaj shefit të vet “ndërkombëtar”.
Të jetosh si derr i kënaqur nuk është diçka e re, ashtu sikur nuk është e re as të jetosh si Sokrat i vuajtur. Por të jetosh duke luftuar të gjitha mitet e kultet, me të cilat ke qenë i edukuar dhe u ke besuar, e sot të përpiqesh t’i demontosh të gjitha ato “kulte”, duke lënë vetëm një kult, as kjo nuk është diçka e re. Kështu kanë bërë njerëzit, në rrugë për ta besuar vetëm një Zot dhe jo në shumë zotër sikur bënin paganët. Por përderisa besimtarët monoteistë i besojnë një Zoti që nuk duket, që nuk ka lindur as nuk vdes! “derri i kënaqur” është derr materialist, që i beson materies, shefit, atij që shihet, të cilit i shërbehet dhe nga i cili jetohet pa mund, pa djersë, vetëm duke e lavdëruar, por jo duke e këshilluar. Në rastin konkret, pse jo edhe në rastin e përgjithësuar, nuk kemi dëgjuar për ndonjë këshilltar që ka marrë apo merr guximin ta këshillojë shefin, sepse po të pretendojë të tregohet më i mençur se shefi, dihet ku përfundon.
“Derri i kënaqur” jeton me gjithë të mirat. Jeton pa gajle, jeton duke përlarë me turi nga “të lënat e çanakëve të shefit”, por ai ha edhe nga ndonjë “sahan” tjetër. Me rëndësi është të jetë kurdoherë me shefin, ta lavdërojë, duke e krahasuar me atë që dikur e kishte sharë, sepse edhe Shefi nga sharës e përbuzës tani është kthyer në lavdërues e përkushtues të “atij”, të cilin e kishte sharë e përbuzur për së gjalli.
“Derrit të kënaqur, aq i bën se “edhe Shefi faqe ndërron, dje shante e sot lavdëron”. Kështu do të bëjë edhe ai, gjithnjë sipas Shefit. Ndërrojnë kohët, ndërron zakoni, ndërrojnë shefat, ndërron padroni, por ama veset e derrit të kënaqur, as kanë ndërruar as ndërrojnë ndonjëherë. Të më falin derrat, këto kafshë të mjera e inteligjente, nuk e kam me sojin gjenetik të tyre, madje as me ata derra e dosa të Xhorxh Orvellit, thjesht fjalën e kam te derrat tanë të pangopur, të cilët përveç se jetojnë të kënaqur duan edhe të na mësojnë, duan të na bindin me çdo kusht se jeta ka kuptim, vetëm po të jetohet sikur jetojnë ata, gjithnjë duke i lavdëruar shefat e tyre, si të vetmit, më të mirët, më të pagabueshmit, në të fuqishmit, më të dijshmit, më trimat, më bukuroshët…
E shefat, mendojnë se Zoti e ka krijuar botën me krejt të mirat e saj, vetëm që ata ta qeverisin. Po të mos qeverisnin ata bota do të shkatërrohej. Kështu mendojnë madje edhe atëherë kur nuk e besojnë Zotin ose kur e ndërrojnë besimin sipas bindjes politike, për të mos rënë ndesh me erën.
Rendi shoqëror kripto-kapitalist, që është instaluar dhe po mbretëron në Kosovë ka krijuar një klasë mujsharesh politikë, ka krijuar “Gardën mujshare” të kohës sonë, gardën e horrave e rezilëve, të cilët sapo marrin pak pushtet përlajnë çdo gjë që u del përpara. Ata thirren në emër të shefave, shefat në emër të ligjit, të cilin e lakojnë dhe e kapërdijnë, kurdoherë që paraqitet nevoja për të ruajtur interesat e veta, krye-shefat thirren në emër të super-shefave ndërkombëtarë, atyre të cilëve, të parët e këtyre, u bënin, “lepe peqe” pak më vonë “zdravo moljim” tani “Jes okey”.
Këta janë shefat e përjetshëm, shefat të cilët zakonisht ndërrohen në katër apo tetë vjet, dikush e shtynë deri në dymbëdhjetë e tutje, sepse pa këta nuk do të na vlente as ajri që e thithim, sepse pa punën dhe angazhimin e tyre, ne do të ishim zeroja para numrit. Natyrisht se nuk janë të gjithë njësoj, sepse çdo rregull ka nga një përjashtim. (RKL)