Me rastin e ndarjes nga jeta të mjekut të plejadës së parë të mjekëve ferizajas, Dr. Abaz Beqa, familja Beqa me mbështetjen e Komunës, organizon Mbledhje Komemorative – të premtën më 6 Dhjetor nga ora 10:30 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.
Kryetari i Komunës së Ferizajt z. Agim Aliu në telegramin e ngushëllimit ka shkruar:
“Me dhembje e pikëllim të thellë, mora lajmin për ndarjen nga jeta të mjekut nga plejada e parë e mjekëve ferizajas, bashkëqytetarit tonë shembullor, mjekut të shquar, Dr. Abaz Beqa.
Dr. Abazin, Ferizaj dhe gjithë Kosova do ta kujtoj për profesionalizmin e tij të rrallë, dijen e tij të çmueshme, shembullin që la pas vetes me vlerat profesionale e atdhetare. Jeta e tij, ishte përpjekje për të mirën e përgjithshme, të cilës iu përkushtua me devotshmëri, korrektësi e fisnikërinë që e shquante.
Dr. Abazi – “Nderi i Qytetit të Ferizajt” do të mbetet i pavdekshëm në kujtesën e ferizajasve për shërbimin që i bëri qytetarëve dhe modelin e punonjësit të përkushtuar shëndetësor që la pas vetes.
Ngushëllime familjes Beqa, kolegëve – mjekëve e punonjësve shëndetësor në Ferizaj e më gjerë, miqve e të njohurve të të ndjerit. U prehtë në paqen e parajsës së paskaj, shpirti i tij!