Dhjetëra aktivistë të Iniciativës Qytetare për Veprim sot kanë zhvilluar një aksion simbolik para barrikadës mbi urën e Ibrit në Mitrovicë. Organizatorët e kësaj proteste kërkuan heqjen e barrikadave në veri të qytetit, kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre si dhe ndaljen e spastrimit etnik që po e bën Serbia në këtë pjesë. Me parullat “Një Mitrovicë, një Kosovë e bashkuar”, “Strukturat paralele të Serbisë po e shkatërrojnë Republikën”, “Duam kthim në pronat tona” e të ngjashme si këto, protestuesit paralajmëruan se ky do të jetë fillimi i organizimit dhe angazhimit qytetar për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në veri. Përfaqësuesi i kësaj Iniciative, Bujar Voca theksoi se në veri të qytetit po ndërtohet një Serbi e vogël. Duke përmendur veprimet e Serbisë që çuan në spastrimin etnik të pjesës veriore të qytetit, ai tërhoqi vërejtjen se plani aktual i Serbisë është ndarja e Kosovës mbi rrjedhën e lumit Ibër. “Plani i Serbisë është që të ndajë Kosovën mbi rrjedhën e lumit Ibër, dëbimi i shqiptarëve është bërë paralel me vendosjen e kolonëve serbë në Mitrovicën veriore dhe në veri. Serbia ka sjellë qindra familje në veri dhe ka ndërtuar qindra banesa për të kolonizuar veriun”, u shpreh aktivisti, Voca. Ai në vijim ka fajësuar Qeverinë e Isa Mustafës, e cila sipas tij, nuk ka ndarë asnjë cent për kthimin e shqiptarëve në veri dhe shtrirjen e sovranitetit edhe në këtë pjesë. “Isa Mustafa është frikacak përballë Serbisë, sepse në të kaluarën ka qenë bashkëpunëtor i regjimit të Jugosllavisë dhe Serbisë”, theksoi Voca.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …