Tefta Cami-Cani:

Tefta Ahmet Cami-Cani: Mbi Çetën Nacionaliste- Antifashiste-Partizane të Malit të Gollobordës, me komandant, Ahmet Fet Cami I

PUNA IME LE TË JETË LUFTA.

PAQA IME LE TE JETË FITORJA”

AHMET FET CAMI

 

Me datën 7 tetor, 2023, zhvilloi punimet Sesioni Shkencor në Tiranë me temë ” Mbi Çetën Nacionaliste- Antifashiste-Partizane të Malit të Gollobordës, me komandant Ahmet Fet Cami”.

  Në Sesion, si nga Dokumentari ashtu edhe nga pesë kumtesat, u trajtua gjerësisht dhe me dokumenta arkivore jeta e aktiviteti i  Ahmet Camit dhe i Çetës, që nga themelimi i sajë deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë në vitin 1944 kundër forcave pushtuese nazifashiste.

  Ahmet Fet Cami ka lindur me 8 gusht, 1900 në fshatin Viçisht të nënprefekturës të Zerqanit të Qarkut të Dibrës. Edukimin e parë e mori në familje, në kuvendet që zhvilloheshin në shtëpinë e tij për probleme të fatit të Shqipërisë e të trojeve shqiptare.

  Në kullën e stërgjyshit të Ahmet Camit, Mahmut Hidër Cami si kryetar i Malit të Gollobordës, në Gjoricë tek kalaja qenë mbledhur Nandë Malet e Dibrës dhe kanë lidh besë për të luftuar e fituar kundër forcave pushtuese të Hajredin pashës.

  Mahmut Hidër Cami ka pritur Abdyl Frashërin në kullën e tij në Golovisht në vitin 1878, sipas historikut të Dibrës. Sipas informacionit të konsullit anglez me seli në Shkup, që i bën MPJ të Mbretërisë së Anglisë në vitin 1878, Abdyl bej Frashërit i bëjnë atentat i nxitur nga xhonturqit Ago Jegeni në Dibër të Madhe, ku i plagos vetëm kalin. Qëllimi i atentatit i xhonturqve ishte, që të pengonin organizimin dhe shkëputjen e trojeve shqiptare nga sundimi i Perandorisë Osmane.

   Organizohen Camet si Eqerem Cami, Mahmut Cami me gjithë djemtë e tij, si dhe patriotë të tjerë dibranë, që marrin në mbrojtje Abdyl Frashërin dhe e përcjellin deri në Prizren, duke qenë të pranishëm në momentin e krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me 10 qershor,1878. Për aktivitete kombëtare e qëndrime antiosmane, Mahmut Hidër Camit i bëjnë atentat xhonturqit, që plagoset rëndë dhe ndërron jetë nga plagët, që mori.

   Ahmeti i përjetoi ngjarjet e shpalljes të Pavarësisë të Shqipërisë nga Ismail Qemali, ngjarjet e Luftës së I-rë Botërore dhe vendimet e antishqiptare të Fuqive të Mëdha nën presionin e Rusisë, që vendosën kundër kombit shqiptarë dhe coptuan padrejtësisht trojet shqiptare, duke ua dhënë Mbretërisë të Serbisë dhe Mbretërisë të Greqisë.

  Pas vrasjes e masakrimit të babait të Ahmetit nga pushtuesit serb, Fet Shaban Camit si komandant Çete në krahinë, që luftonte kundër pushtuesve serbo-bullgarë dhe është vlerësuar si legjenda e Luftës së Parë Botërore në atë krahine, Çetën e merr dhe e drejton Shaban Mahmut Cami, që i ve pushkën në krah nipit të tij, Ahmet Fet Camit në moshën 16 vjeç dhe e merr në luftime deri në Shkup, ku vritet Shaban Mahmut Cami dhe plagoset edhe Ahmet Fet Cami nga forcat pushtuese bullgare.

  Këto i ka shkruar Ahmeti në Ditarin e tij 1941-1942 në burgun e Tiranës si Antifashistë i burgosur bashkë edhe me 18 burra e djem Cami të arrestuar me të si antifashist. Ditari është publikuar e botuar në vitin 2003.

   Këtë lëvizje kundër forcave pushtuese serbo-bullgare e udhëhiqte Hasan Prishtina nga Shkupi, që ka bujtun më parë tek familja e Shaban Mahmut Camit.

  Ahmet Cami ka qenë i shkolluar. Ka mbaruar shkollën plotore në Zerqan dhe shkollë ushtarake në Tiranë, si dhe akademi ushtarake. Ka punuar si oficer i ushtrisë shqiptare në Shkodër, Gjirokastër dhe në Elbasan me gradën e fundit, kapiten i parë. Në vendet ku ka punuar është lidhur me qarqet intelektuale dhe ka marrë pjesë në diskutime e debate për reformat në fushat sociale e të ushtrisë, të drejtësisë e të arsimit, duke dhënë kontributin e tij në frymë demokratike, që të mos ishin formale e gjysmake.

  Ahmet Cami ka marrë takim në vitin 1938 me Mbretin Zogu i Parë dhe i ka parashtruar pakënaqësinë e tij për ndërhyrjen e të huajve, dmth, të ushtarakëve italian në ushtri para pushtimit. Por ka dalë i pakënaqur nga përgjigjet, që ka marrë.

  Ka përcjell Mbretin Zogu i Parë me familjen e tij deri në Kapshtice tri ditë para pushtimit të Shqipërisë për detyrën që kishte në Qarkun e Elbasanit. Kthehet në Elbasan dhe jep dorëheqjen, duke shënuar: “Unë jam betuar para Flamurit, që t’i shërbej Shtetit të vendit tim. Meqë Shteti im nuk egziston më, unë nuk u shërbej të huajve. Do të luftoj për çlirimin e vendit”. (Sipas kujtimeve të kolegut të Ahmet Camit në Elbasan, Isuf Kokomirit). Ahmet Cami kthehet brenda natës në fshatin Viçisht të Dibrës.

  Organizon që me 7 prill 1939 burrat e krahinës të Grykës së Vogël e të Gollobordës për të shkuar e luftuar në Durrës kundër sulmeve të ushtrisë fashiste italiane. Kur arrijnë në shkallë të Tujanit, kthehen, sepse informohen se ishte pushtuar kryeqyteti dhe ishte formuar menjëherë qeveria kuinslinge.

  Në janar të vitit 1940 Ahmet Cami krijon Çetë Nacionaliste me 19 pjesëmarrës nga Gryka e Vogël e Golloborda dhe fshatra të tjera, si dhe nga Dibra e Madhe. Pas Konferencës së Pezës këto çeta u emërtuan Çeta Antifashiste. Si komandant zgjidhet Ahmet Cami dhe z/komandant zgjidhet Uke Dan Cami, që ishte kryetar i Malit të Gollobordës. Prandaj edhe Çetën e emertuan që në fillim Çeta Nacionaliste-Antifashiste-Partizane e Gollobordës.

  Kjo Çetë në fillim realizoi këto detyra:

1.Ruajtjen e rendit dhe të. qetësisë nëpër fshatrat e Grykës së Vogël e të Gollobordës, ku u vendosën edhe roje me djem të rinj nëpër fshatra.

 2.Organizimin për marrjen e një informacioni për situatën politike në Europë e Shqipëri dhe në Qarkun e Dibrës nëpërmjet vëllait të Ahmetit, Kurt Fet Cami që shkonte në Tiranë e Dibër të Madhe si tregëtarë për furnizim, nëpërmjet personave, që merreshin me kotrabandë në Dibër të Madhe, nëpërmjet miqve e shokëve të Ahmetit, që vazhdonin të punonin në N/prefekturën e Zerqanit dhe në Dibër të Madhe, si dhe persona të tjerë.

  3.Ndërtimin e shkollave në disa fshatra në të dy krahinat, të cilat do të fillonin të funksiononin pas Çlirimit të Shqipërisë, në vitin 1945-së.

  4.Organizimin e realizimin e mos dorëzimit të të dhjetave nga fshatarët dhe të taksave, si tregues i mosnjohjes të qeverisjes kollaboracioniste.

  1. Mosdërgimi nga shkollat i balilave e xhovanifashistave për pushime në Itali, që e organizoi e realizoi në të gjitha shkollat e Grykës së Vogël e të Gollobordës mësuesi Fasli Cami, vëllai i Ahmetit.
  2. Organizimin e një pune politike me popullin nëpërmjet takimeve e mbledhjeve dhe festave fetare e ngjarjeve familjare nëpër shtëpitë e fshatarëve, si dhe gjatë grumbullimeve të popullit në ditët e pazarit, në gëzime e hidhërimr familjare etj. Ahmet Cami, sipas kujtimeve të disa veteranëve të Çetës, ka mbajtur një fjalim para popullit me 28 nëntor 1940 në ditën e pazarit në n/prefekturën e Homezhit, me qëllim që populli të kujtonte historinë e Pavarësisë dhe të mos binte nën ndikimin e propogandës fashiste e të qeverisjes kollaboracioniste, si dhe të mendonin, se vetëm me luftë të armatosur do të çlirohej mëmëdheu nga pushtuesit fashist italian.
  3. Në fund të marsit të vitit 1941 Ahmeti organizon me punëtorët e rrugës aksionin për pengimin e autokolonës të ushtrisë italiane me makina të ngarkuara me armatime nga Librazhdi për në Shupenzë. Në këtë aksion me punëtorët e rrugës morën armë e armatime dhe hodhën në Dri një makinë me armatime.
  4. Natën me 2 prill duke u gëdhirë 3 prilli 1941 Ahmeti organizon me Çetën e tij aksionin për marrjen e armëve në depot e armatimit të Batalionit të Divizionit italian “Firenze” i dislokuar në Krivarek të fshatit Tërbaç. Gjatë aksionit vritet një oficer italian dhe ushtarë. Nga antarët e Çetës nuk pati dëme, sepse aksioni ka qenë i organizuar mirë. Me armët e marra u armatosën gjithë anëtarët e Çetës Nacionaliste të Gollobordës dhe të Çetës Vullnetare të saj, që e komandonte vëllai i Ahmetit, Kurt Fet Cami.

  Me 5 prill 1941 Ejup Shahin Cami shkon si çdo ditë në Shtabin e Batalionit ” Firenze”, që ishte vendosur në një shtëpi në Golovisht, që e përdornin italianët si përkthyes dhe njëkohësisht informonte Ahmetin për lëvizjet e tyre. Atë ditë i shohin në brez revolen e oficerit italian me inicialet e oficerit dhe e arrestojnë. Arrestojnë të gjithë burrat e djemtë që gjetën nëpër shtëpi, sepse ishin të bindur, se ata e kishin bërë sulmin mbi depot e armatimit. Nga të arrestuarit 7 ishin burra e djem Cami dhe një nga Luznia. Me 12 prillë i çojnë tek varrezat e Tërbaçit dhe urdhërojnë pushkatimin e tyre. Por, meqë ishte natën e me dëborë dhe të palidhur, mbetën të vrarë vetëm tre vetë, Ejup Shahin Cami, Musa Rahman Cami e Mexhit Lezi. Të tjerët nuk i arritën dot, sepse shpërndahen në drejtime të ndryshme, kur kanë filluar të qëllonin, për t’i pushkatuar.

  Me 7 prill 1941 forcat ushtarake fashiste italiane sulmuan Mbretërinë e Serbisë gjatë kufirit Maqellarë deri në Librazhd. 300 forcat serbe të komanduara nga Haxhi Lleshi e një major serb nuk bënë rezistencë dhe një pjesë dezertuan dhe pjesa tjetër u kapën rrob, që i përshkruan Ahmeti në Ditarin e tij të burgut.

Luftuan vetëm forcat e Ahmet Camit për mbrojtjen e fshatrave për rreth Drinit si të Spasit e Sollokiçit, të Bohmovës e Reshanit e të tjera, duke i mbrojtur nga vrasjet e grabitjet e forcave pushtuese fashiste italiane. Haxhi Lleshi e majori serb më parë i kishin kërkuar Ahmet Camit, që të bashkëpunonte me ta në luftimet, që do të bënin kundër sulmit të forcave fashiste italiane në zonën Gjoricë-Gollobordë. Në takimin me ta Ahmeti e kupton, se ora e Serbisë kishte mbarue nga Gjermania në Veri….Dhe u përgjigjet:”Nuk bashkëpunoj me ju, se hasmi i vjetër nuk bahet mik. Do të luftoj më vete për mbrojtjen e viseve shqiptare”, sipas Ditarit të Ahmet Camit.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …