Tefta Cami-Cani: Demonstrata e vitit 1981, në Kosovë, ishin një meteor që zgjoi popujt e Jugosllavisë dhe të Evropës III

Tefta Cami-Cani: Demonstratat e vitit 1981, në Kosovë, ishin një meteor që zgjoi popujt e Jugosllavisë dhe të Evropës III

    Që nga viti 1968, pas shumë vitesh ndarjeje, filloi të hidheshin hapa të rëndësishëm dhe deri në tetor të vitit 1980, kur shkova për vizitë në Kosovë, ishin zhvilluar disa veprimtari të rëndësishme kombëtare në Shqipëri dhe në Kosovë, që ndikuan në sensibilizimin kombëtar e ndërkombëtar të Çështjes shqiptare dhe në ringritjen e ndërgjegjes kombëtare:

Kremtimi i 500-të vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Sipas Vendimit, nr.33, datë 4.6.1966 për kremtimin e 500 -vjetorit të vdekjes të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të firmosur nga Kryetari i Këshillit të Ministrave të RPSH, Mehmet Shehu, u organizuan veprimtari politike, shkencore, kulturore e artistike dhe përkujtimore e propagandistike brenda e jashtë RPSH.

Në veprimtaritë kremtuese e shkencore për herë të parë qen ftuar e morën pjesë studiues nga Kosova, si prof. Mark Krasniqi, dekan i Fakultetit Ekonomiko-Juridik në UP, prof. Fehmi Agani, drejtor i Institutit të Albanologjisë të Prishtinës, prof.Idriz Ajeti, prof. Andon Çeta, prof. Syrja Popovci dhe prof. Zef Mirdita.

Nga shifrimi i  Legatës Shqiptare Nr. 126 , V. 1968, Fl. 3 informojnë MPJ si më poshtë: “ Në manifestimet që u bënë në Krujë shoku Enver pati një bisedë interesante me albanologët kosovarë. Midis të tjerash shoku Enver ju foli se ne jemi bijtë  e një nëne e një babe, se ne gëzohemi, që ju të fitoni sa më shumë të drejta dhe që ju kemi midis nesh dhe se ne do të ndihmojmë me libra e literaturë tjetër që kini kërkuar. Për marrëdhëniet me Jugosllavinë shoku Enver demaskoi titistët, duke ju thënë se ne nuk pajtohemi me ata. Në fund të bisedës shoku Enver i këshilloi ata që të bëjnë një vizitë nëpër vendin tone. Kosovaret gjate bisedës vetëm dëgjuan. Në fund Mark Krasniqi falënderoi për ftesën e bërë për të marrë pjesë në Konferencën Albanologjike.”

    Në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike me temë “Skënderbeu dhe epoka e tij” ishin të ftuar dhe morën pjesë  albanologë e shkencëtarë nga vende të huaja si nga Franca e Italia, Turqia, Bullgaria, Austria, Hungaria, Gjermania dhe Rumania, të cilët mbajtën kumtesa rreth figurës e rolit të Skënderbeut. Ishin ftuar dhe kanë marrë pjesë edhe arbëreshë të Italisë, shqiptarë e studiues nga Turqia dhe nga vende të ndryshme të Evropës.

   Në këtë Konferencë shkencore si nga referati që ka mbajtur profesor Aleks Buda edhe në 100 kumtesat e mbajtura nga profesor shqiptarë e të huaj është evidentuar lufta heroike dhe fitimtare të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu kundër pushtuesve osman, e cila përbën një nga faqet më të ndritura të historisë shqiptare, ballkanike dhe europiane. Gjatë 25 vjetëve të luftërave, që udhëhoqi Skënderbeu, është vlerësuar si epoka më heroike dhe e lavdishme e historisë të popullit tone, që u bë boshti qendror i rezistencës së popujve të Ballkanit dhe faktor i rëndësishëm për mbrojtjen e qytetërimit europian kundër pushtuesve osmanë.

   Analiza dhe vlerësimet për figurën e Skënderbeut dhe epokën e tij, si një fenomen i jashtëzakonshëm, si luftëtar i lirisë, u bënë mbi bazën e analizave të faktorve objektiv e subjektiv të epokës, lidhjes dhe ndërvarësisë së heroit me masat popullore, duke u udhëhequr nga misioni i madh historik, që shtroi epoka, për të përfaqësuar e realizuar aspiratat e masave. Në këtë luftë është shquar roli e figura e Skënderbeut si burrë shteti dhe strateg i madh e i shquar kombëtar e ndërkombëtar. Skënderbeu luftoi për shkatërrimin e Perandorisë Osmane dhe për krijimin e një mbretërie të Arbërit, krijimin e mbretërisë së tretë të Epirit në Ballkanin Perëndimor pas asaj të Pirros dhe të Justinianit.

   Figurat historike të kombit shqiptar kishin të drejtë të gjenin mitin tek Skënderbeu, sepse lidhte epokat dhe bëhej simbol i shqiptarëve me motivin që ata të dinin se nga vinin, të njihnin historinë, të njihnin vetveten dhe të luftonin e t’i mbijetonin armikut. Miti mbi Skënderbeun ka lindur nga populli shqiptar në një epokë dramatike të popullit shqiptar, në kushtet e një pushtimi të huaj dhe të një rreziku të asimilimit kolektiv. Vatikani e ka pagëzuar “Atleti i Krishterimit”, sepse mbrojti për 25 vjet krishterimin perëndimor nga mësyemjet osmane. Përpjekjet që vazhdojnë të bëhen nga ndonjë historian si Oliver Schmitt, apo të ndonjë trupe humoristike, në kuadrin e filozofisë së deheroizmit, për Çmitizimin e figës së Heroit tone kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, etj. janë e do të vazhdojnë të jenë të dështuar.

    Në shënimin e shifrës të notës të Legatës shqiptare në Beograd, sipas një shënimi të Fadil Hoxhës, jepet kjo përgjigje: ”Kuvendi i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë ka nderin të ju bëjë të ditur se e ka marrë letrën tuaj Nr. 214, datë 8.12.1967 në të cilën ftohet një delegacion i shqiptarëve të Jugosllavisë, që të marrë pjesë në kremtimin e 500 vjetorit të vdekjes të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.” Por bën sugjerime që të ftohen edhe nga kombësitë e tjera në Kosovë, t’u drejtohet edhe republikave të tjera, ku jetojnë shqiptarë. 500 vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbe, do të kremtohet edhe në Prishtinë gjatë majit të vitit 1968.”(AQSH,F.14/AP, S.I.R., V.1068, D.314, fl.1-3).

       Në gazetën “Zëri i Popullit”, nr.33(6032), e martë, 16 janar, 1968 me kryeartikull: Kruja, Kryeqendra Politike dhe Ushtarake e Heroit Kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shpallet “Qytet Hero”. -Me Dekret nr. 4357 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH, datë 13.I.1968.

     Organizohet në Tiranë një mbledhje përkujtimore kushtuar 500 -vjetorit të vdekjes të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Fjalën e mban Mehmet Shehu, Kryeministrit të RPSH, me 16.I.1068. (Gazeta “Zëri i Popullit”, nr.14(6033), e mërkurë 17 janar, 1968.)

     Në Lezhë përkujtohet me madhështi 500 –vjetori i vdekjes të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. (Gazeta “Zëri i Popullit”, nr.15(6054), e enjte, 18 janar, 1968.)

     -Zhvilloi punimet Konferenca e II e Studimeve Albanologjike me temë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Epoka e Tij”. Në këtë Konferencë referati kryesor në emër të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë e mbajti prof. Aleks Buda. Mbajtën kumtese edhe shumë studiues shqiptarë e të huaj.

      Në kremtimet dhe Simpoziumin shkencore në Prishtinë kushtuar 500-të vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut muarrën pjesë edhe një delegacion me studiues nga Shqipëria, të cilët kanë mbajtur edhe kumtesa. Për pritjen e përzemërt e vëllazërore të tyre, si dhe për vlerësimin e nivelit të kumtesave nga ana e studiuesve shqiptar të Kosovës e të albanologëve të huaj dhe veçanërisht të rinisë e popullit shqiptar të Kosovës, jepen nëpërmjet këtyre deshifrimeve të Ambasadës shqiptare në Beograd drejtuar MPJ në Tiranë:

       – Deshifrim nga Beogradi, Nr. 0227 dhe , 403, 404, 405, 406 ;Date 13.5.1968, drejtuar MPJ, Fl. 192-195  “ Delegacioni i ynë për në Simpoziumin e Skënderbeut u prit dhe po trajtohet deri tani në mënyrë korrekte nga ana e organeve të Kosovës të caktuar për Simpoziumin. Ata u propozuan shokëve tanë që të bëjnë një takim të vaÇant me udhëheqjen e Kosovës të cilët shokët tanë nuk e pranuan dhe u thanë se ata janë miq të Këshillit të Simpoziumit të Kosovës. Atyre gjithashtu ju propozua që përveç disa vizitave që do të bëjnë në Kosovë, të bëjnë dhe vizita në Beograd, gjë e cila nuk u pranua nga shokët tanë. Shkuarja e delegacionit tonë, është pritur me një interesim shumë të madh nga i gjithë populli. Entuziazmi i rinisë e i popullit i pa përshkruar. Nëpër rrugët e Prishtinës ka filluar të dëgjohet kënga: Se mjaft në robëri, o e mjera Kosovë, o djemë e bura merrni pushkët, ja vdekje ja liri. Stemat e Skënderbeut dhe fotografi nga vendi tonë e të shokut  Enver na kërkohen shumë nga populli.

       Me datën 9 maj ansambli “ Shota “ dha një shfaqje ku ishin dhe shokët tanë, e cila u kthye nga shqiptarët në një manifestim të madh. Kënga e Azem Bejtës ( Galicës ) u prit me duartrokitje të një mbas njëshme. Organet e vendit janë shumë të shqetësuar nga proporcionet shumë të mëdha dhe nga  entuziazmi i popullit të Kosovës dhe veçanërisht i rinisë për vendin tonë. Organet e UDB-ës janë në lëvizje të vazhdueshme dhe kanë ardhur përforcime edhe nga vende të tjera.

       Me datën 8 maj u shfaq drama “ Trimi i mirë me shok shumë “ e Sylejman Pitarkës, në të cilën morën pjesë një numër shumë i madh njerëzish dhe thyen dyert për t’u futur në sallë. Shfaqja pati shumë sukses, pati brohoritje për vendin tonë dhe njerëzit qanin nga mallëngjimi. Natën e 8 majit në të gjitha muret e fakulteteve dhe konvikteve të Prishtinës serbët kishin shkruar këto lloj parullash të mëdha me përmbajtje: “ Kosova është e serbëve “,”Serbë do të fitojmë”, “ gjuha shqipe nuk ka vend në Kosovë “ etj. Lika “

      – Deshifrim nga Beogradi, Nr. 0289 dhe , 413, 414, 415, 416, 417 ;Date 14.5.1968, drejtuar MPJ, Fl. 196-200 “ Në takimin që pata me shokët e UT mësova se: 1) Kumtesat e tyre mbajtur në Simpoziumin e Prishtinës me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut patën shumë sukses. Ata u duartrokitën disa herë më shumë se vendasit dhe të huajt , në mënyrë të veçantë Prof. A. Buda.

2) Gjatë punimeve të simpoziumit me qindra e mijëra qytetarë e sidomos studentë e të rinj duke thyer çdo rregull që kishin vendosur organet e vendit tureshin, për t’u përshëndetur me grupin shkencor të vendit tonë.

        Hotelin ku ata banonin në Prishtinë si dhe ambienti i jashtëm i vendit ku zhvillohesh konferenca, kthehesh në manifestim nga ana e rinis studenteske. Me dhjetëra ishin buqetat me lule që u dhuronin shokëve e shoqeve, që kishin ardhur nga Tirana, një pjesë e të cilave ishin të lidhura me shirita kuq e zi.

3) Këto manifestime dashurie për grupin shkencor brenda dhe jashtë sallës ku zhvillohej konferenca, Çuditi gjithë grupet e tjera albanologjike që kishin ardhur nga vende të tjera aq sa ai i Gjermanisë perëndimore ju thotë shokëve tanë se “ Këtu qenka një vullkan i pashuar “.

4) Na thanë, pamë e dëgjuam gjate dy netëve që qëndrova në Prishtinë dhe Pejë, se rinia studenteske në grupe-grupe shëtisnin rrugët e qytetit deri në orën 2 pas mesnate, duke kënduar këngë të luftës partizane, të punës si dhe udhëheqësve tanë.

5) Dashuria e zjarrtë që tregonin masa kosovare për vendin tonë dhe udhëheqjen tonë, e cila manifestohej  nëpërmjet formave që thamë më lartë si dhe gjatë shpërndarjes së fotografive të sh. Enver dhe distinktiva të Skënderbeut, të cilat u shpërndane me një herë, detyruan organet e vendit që nëpërmjet Fehmi Aganit u thotë shokëve tanë që të mos shpërndajnë më material të tilla, sepse organizatorët e kësaj konference do të vihen para përgjegjësisë nga udhëheqja e vendit.

Si rrjedhim i kësaj organizuesit e konferencës që shoqërojnë tani shokët tanë. Në qytete të ndryshme të Kosovës për shëtitje, me sa duket jane porositur nga ana e organeve të vendit që shoket tanë t’i izolojnë nga masat kosovare. Me gjith’ate të rinjt thyejn çdo regull zyrtar dhe mundohen të takohen e t’i duartrokasin ata.

6) Përsa i përket reagimit të masave kosovare lidhur me “autonomin e Kosovës“ nga njëra anë, dhe serbëve e malazezëve, nga ana tjetër, Çështja qëndron ashtu si kundër ju kemi njoftuar me radiogramet tona të mëparshme. Lika “(AQSH, F.14/AP, S.I.R., V.1068, D.314, fl.1-3).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …