Dila ka përfaqësuar një grua drejtuese të zgjuar e të mençur dhe organizatore te talentuar. Fjala e saj qe me peshë e zinte vend tek gratë e burrat e krahinës. Gjithmon ndiqej shembulli i saj si një grua autoritare aq sa ishte bërë zakon, që fshatarët të pyesnin: “ A është Dila në aksion? A ka shkuar Dila në kursin kundër analfabetizmit? A merr pjesë Dila në punë? A është futur në kooperativën bujqësore Dila? A e hoqi veshjen e rëndë Dila? A i dorëzoi bagëtitë Dila?” çdo aksion e reformë lidhej me shembullin e Diles. Sipas shembullit të saj vazhduan kurset e luftës kundër analfabetizmit të gjithë burrat e gratë e krahinës që ishin mbi moshën 16 vjeç dhe u realizua me sukses, ku të gjithë mësuan shkrim e këndim, morën njohuri në histori e matematikë etj, duke marrë dëshmi për kryerjen e kursit të zhdukjes së analfabetizmit, që ishte ekuivalente me mbarimin e dëftesën e shkollës fillore. Një pjesë e kursantëve vazhduan edhe shkollat 7-vjeçare e të mesme. Në dëshmitë jepej vlerësimi real për njohuritë që kishin marrë nëpër kurse. Në vitet ‘80 kur unë isha ministre e Arsimit dhe Kulturës u ndërtua dhe u çel edhe shkolla e mesme në krahinën e Lurës, ku vazhdonin mesimet mbi 90% të nxënësve që mbaronin arsimin e detyruar 8-vjeçarë. Po të jetonte Dila tani, do të revoltohej për ngujimet nga gjakmarrjet dhe për përhapjen e analfabetizmit në Shqiperi.
Dila njihej si një grua e zonja, si zonjë shtëpie model, si një nënë e dashur dhe e kujdesëshme, si një aktiviste e punonjëse sociale, që u gjendej gjithmonë pranë grave e vajzave në nevojë. E kujtojne me shume nderim e respekt grate e vajzat qe e kane njohur, se ajo kishte një komunikim të ngrohtë e shoqëror, dinte të bisedonte e debatonte me shoqet dhe të zhbironte me takt e kujdes, duke nxjerre problemet e duke u dhënë edhe rrugëzgjidhjet e mbështetjen e duhur.
Dila e njihte traditën e krahinës dhe i respektonte ato që përfaqësonin vlerat e pasura atdhetare e kulturore të popullsisë. Më ka treguar për menyrën e organizimit që ka patur para çlirimit Lura si bajrak i vetëm i Dibrës. Më vonë m’i ka shpjeguar më me hollësi Hilmi Kolgjegja dhe kam mbajtur këto shënime në ditarin time:
“ Lura prej shekujsh ka qenë vetqeverisur prej 12 pleqve që i quanin pari e Lurës. Ndonëse jo plak me titull, për merita personale në pari të Lurës bënte pjesë edhe Ibrahim Gjoçi nga Krej-Lura. Ky ishte si përfaqësues i halise ( vegjëlisë ) së Lurës dhe mbante anën e tyre. Kur të 12 pleqtë merrnin vendime ose ndanin karare, që binin në kundërshtim me interesat e vegjëlisë ose haptazi në kundërshtim me kararet e njohura të Lurës, kuvendi i Lurës i rrëzonte të 12 pleqtë dhe nxirrte 12 dhetarë ( përfaqësues të popullit ) me fuqi të plotë për çdo vendim e kararë. Kur dhetarët shpërndaheshin mbas vendimit e kararit, nga gjiri i tyre zgjidheshin 5 ose 6 veta që quheshin ( Reja ), që bënin kontroll për zbatimin e vendimit e të kararit. Ky lloj organizimi e gjykimi, me siguri, ka të bëjë me Kanunin e Skënderbeut, që ka patur një ndikim të madh në trevën e Dibrës e të Matit. Më vonë ato kërkesa të atij Kanuni u kthyen në zakone dhe zbatohen nga të gjithë pa patur nevojë për gjykime e vendime pleqësie.
Pleqtë tradicional ( të përhershëm) të Lurës kanë qenë këta:
1). Doçi- ( Zef Bib Doçi, shtepi e pare disa breza edhe krye pari );
2). Mena ( Hakik Ali Mena, bajraktar i Lures rreth vitit 1730 );
3). Kaci- ( Dalip Hasan Kaci );
4). Nezha- ( Fere Can Nezha );
5). Gjogjegja- ( Ahmet Can Gjogjegja );
6). Skana- ( Bajram Tahir Skana );
7). Vladi- ( Cen Mud Vladi );
8). Vladi- ( Zenel Musa Vladi );
9). Haldeda- ( Hamit Cen Haldeda );
10). Ajazi ( Deme Sadik Ajazi );
11). Gjoçi- ( Ahmet Can Gjoçi );
12). Perleka-( Ibrahim Hazis Perleka ).
Përsa i takon halisë, kur zëvëndësonin 12 pleqtë, nuk ishin të përhershëm, por zgjidheshin sipas meritave personale dhe ishin në shërbim të popullit dhe të zgjedhur vetëm për një kohë të caktuar. Ndërsa të 12 pleqtë e mësipërm ishin të përhershëm.
Kryepari të Lurës kanë qenë këta:
1). Doçi- Shtëpi e parë në disa breza;
2). Mena- Bajraktar i Lurës
3). Gjoçi- Përfaqësues i halisë ( vegjëlisë).”
Ky organizim ka funksionuar deri në maj të vitit 1944, dmth, deri në Kongresin e Përmetit, kur filloi forma e re e ndërtimit të pushtetit të ri dhe u ngritën këshillat nacionalçlirimtare edhe në krahinën e Lurës. Ngritja e këshillave nacionalçlirimtare çoi drejt shuarjes si të organizimit të bajrakut, te kryeparive dhe të pleqësive të Lurës, ashtu edhe të strukturave të Nëntë Maleve të Dibrës.
Dila njihte dhe vlerësonte si traditat e mira të krahinës, ashtu edhe format e reja të organizimit e të drejtimit të vendit. Ajo njihej si një grua e drejtë dhe e guximshme, që dinte të bënte si vlerësime objektive, ashtu edhe të kritikonte e të mos pajtohej me të keqen e vendimet arbitrare, që binin në kundërshtim me interesat e popullit. Ishte e mprehte e i nuhaste situatat dhe dinte të gjykonte e arsyetonte me gjakftohtësi, që koha u dha të drejtë dhe vërtetoi gjykimet e saj. E kam ndëgjuar të thoshte me kurajo në ato vite:
“ Vërtetë në jemi pjesë e Shqiperi së dhe i zbatojmë ato vendime që merren nga Tiranë e në Peshkopi. Por ne jemi në Lurë, që është vend malor. Pse të preket besimi i njerëzve? Nuk ëshë vepruar mirë, që u prishën kishat e xhamiat, sepse u prish besimi i popullit.” Edhe reformat, që u muarrën më vonë per kufizimin e heqjen e oborrit kooperativist Dila, jo vetëm nuk i ka mirëpritur, por i ka pas kundërshtuar, sepse ajo e ndiente, se ato reforma do te çonin drejtë dobësimit e dështimit të ekonomive të kooperativave bujqësore dhe në rënien e nivelit të furnizimit e të jetesës së popullsisë në Lurë, ashtu siç ndodhi në të gjithë rrethin e Dibrës dhe në Shqipëri. Ajo nuk ishte drejtuese apo specialiste ekonomisë bujqësore, por me intuitën e përvojën e saj ua kalonte dhjetra herë atyre. Dila kishte mësuar e përvetësuar shkollën e madhe të jetës.
Jeta e Dilës sa qe gjallë qe aktive, qe një shembull e model për të gjitha lurianet e dibranet, që e donin dhe nderuan deri në fund të jetës së saj.
Tiranë, më 5 maj, 2015
Tefta Cami-Cani
Ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës
Ky material i është dorëzuar z.Lenin Vladit, djalit të Dilës, sipas kërkesës së tij.