Tefta Cami lindi më 15 gusht të vitit 1940 në Viçisht të Dibrës, në Shqipëri. Është politikane shqiptare, Ministre e Arsimit dhe Kulturës.
Në vitin 1959, mbaroi shkollën pedagogjike në Peshkopi, kurse në vitin 1964 diplomoi në Tiranë në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe.
Në vitin 1972, mbaroi kursin e lartë të filozofisë.
Në vitin 1988, mbrojti gradën shkencore “Kandidate e Shkencave”.
Nga viti 1964 deri në 1967, mësuese, nën-drejtoreshë dhe drejtoreshë në shkollën e mesme të përgjithshme “Demir Gashi”, në Peshkopi.
Në vitet 1967-1969, redaktore e zëvendës-kryeredaktore në gazetën lokale “Ushtima e Maleve”.
Në vitet 1969, përgjegjëse e gruas në rrethin e Dibrës.
Në vitet 1970, 1976, sekretare e Komitetit të Partisë në Dibër. Në vitin 1976, sekretare e Parë e Komitetit të Partisë të rajonit Nr.1 në Tiranë.
Nga viti 1976-1987, ministre e Arsimit dhe e Kulturës të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Gjatë viteve 1987-1991, drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë “V.I.Lenin”. Gjatë viteve 1993-2006, kryetare e një shoqate dhe kryetare bordi e një shkolle të mesme artistike.
Jeton në Tiranë dhe merret me studime të ndryshme.
Në një bisedë në studion e TV-Diellit, ish-ministrja e Arsimit dhe e Kulturës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, studiuesja dhe intelektualja e mirënjohur, Tefta Cami-Cani ka folur për shumë probleme, me të cilat ishte ballafaquar asokohe, por edhe kontributin e jashtëzakonshëm që kishte dhënë gjatë kohës sa kishte qenë zyrtare e lartë e arsimit.
Pasi ka folur për jetën, si bijë e një familjeje, që në tre breza kishte dhënë shumë dëshmorë për çlirimin e vendit, ajo ka rrëfyer për shkollimin dhe punën aktive të saj në arsim e kulturë, gjatë kohës së Pushtetit popullor në Shqipëri.
Duke sjellë në kujtesë kohën e ngritjes arsimore, kulturore, shoqërore e ekonomike të Shqipërisë së viteve 70, Tefta Cami ka vënë në spikamë tri momente të rëndësishme që ngritën lartë ndërgjegjësimin e përgjithshëm kombëtar në rrugë drejt emancipimit dhe bashkimit, jo vetëm kulturor e arsimor.
Ajo, për shikuesit e TV-Dielli dhe dëgjuesit e Radios-Kosova e Lirë ka përmendur manifestimin në nivel kombëtar të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në një simpozium shkencor, i cili solli shumë lëndë historike shkencore në zbardhjen e së kaluarës dhe mesazhit që jepte për brezat e shqiptarëve të ndarë në disa shtete. Pastaj Konferencat e studimeve ilire, Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972, në Tiranë, kur shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e trevat e tjera dhe ata nga mërgata përkrahën unanimisht një gjuhë të përbashkët letrare për të gjithë shqiptarët, me moton: një komb një alfabet një gjuhë, duke veçuar faktin se Kongresi i Drejtshkrimit ishte një e arritur shumë e madhe në nivel të njësimit arsimor e kulturor kombëtar.
Studiuesja, Tefta Cami ka folur edhe për ndikimin e madh, me përmasa gjithëkombëtare në organizmin shtetëror të Shqipërisë dhe të Kosovës në manifestimin me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në vitin 1978, ngjarje kjo e cila rikthente në kujtesë të shqiptarëve, pësimet e rënda të së kaluarës, heroizmin dhe qëndresën popullore, por edhe nevojën imediate të luftës së gjithanshme në rrugën e ndërgjegjësimit kombëtar për një shtet të përbashkët, si e drejtë e natyrshme e popullit për vetëvendosje, për çka edhe kishte luftuar gjatë shekujve.
Duke folur për liberalizmin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitet 70 të shekullit të kaluar, studiuesja, Tefta Cami-Cani, ka veçuar bashkëpunimin arsimor dhe kulturor në mes Kosovës e Shqipërisë në kuadër të asaj marrëveshjeje.
Ajo ka veçuar faktin se para se të vinte në Kosovë i kishte paraqitur një raport Sekretarit të Parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili edhe ia kishte besuar atë detyrë me përgjegjësi. Ai i kishte thënë se shqiptarët nën Jugosllavi janë më patriotë se ne, sepse përveç se arsimohen e punojnë për ekzistencë ata nuk i nënshtrohen regjimit shtypës jugosllav. Por ai edhe e kishte porositur se pavarësisht nga kjo, në kontakt me zyrtarët komunistë të Kosovës, nuk është e nevojshme ta përmendni emrin tim as të partisë, sepse kjo i qet në pozitë të keqe. Atyre u duhet ndihma jonë e gjithanshme në arsim, shkollim kulturë, komunikim, shkëmbin përvojash dhe ne do ta japim pa e kursyer atë, kishte thënë Enver Hoxha.
Gjatë vizitës dhe qëndrimit katër ditë në Kosovë, prej 6 deri më 10 tetori të vitit 1980, Tefta Cami kishte kontaktuar me zyrtarë të lartë të arsimit e kulturës së Kosovës me profesor Ymer Jakën, Sabit Jakupin, Pajazit Nushin, Idriz Ajetin, Rexhep Qosen, Esad Mekulin, Dervish Rozhajen, Bahri Oruçin, Ramiz Kelmendin e shumë të tjerë. Po ashtu kishte vizituar edhe qytetet e tjera të vendit dhe ishte njoftuar me punën dhe aktivitetin arsimor e pedagogjik të shkollave të asaj kohe në Kosovë.
Zonja Tefta Cami duke folur për aktivitetet arsimore e kulturore, që në vitet 70 i kishte afruar Shqipëria Kosovës, ka veçuar kontributin që kanë dhënë qindra profesorë të shkencave shoqërore e natyrore në shkollat e larta dhe në të gjitha fakultetet në Kosovë. Madje ajo ka folur se në disa shkolla dhe fakultete ku profesorët nga Shqipëria mbulonin shumicën e kuadrit arsimor.
Zonja Çami ka porositur klasën politike dhe institucionale të Kosovës që të ketë vizion për të ardhmen, dhe për hir të saj të marrë qëndrim për ta arritur dhe për ta begatuar paqen, sepse shqiptarët asnjëherë nuk i kanë sulmuar fqinjët dhe në disa raste edhe i kanë falur, sepse shqiptarët kanë ditur dhe dinë të falin, por me kusht që e kaluara të mos përsëritet kurrë më.
Zonja Tefta Cami në fund ka falënderuar Radion-Kosova e Lirë për kontributin që ka dhënë gjatë luftës, duke transmetuar program në frontet e saj dhe duke e shpërndarë të vërtetën për luftën e drejtë të UÇK-së si dhe për kontributin që po jep tani në kohën e paqes.
Ahmet Qeriqi
Prishtinë
23. 3. 2019